BLEDAR HOTI

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon ribërjen e nga e para të Kodit Zgjedhor dhe jo amendim të tij, një korrektim. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili në një prononcim për mediat deklaroi se kërkon që të realizojë një proces sa më të gjerë konsensusi për hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor. Vasili bëri të ditur se LSI me krijimin e Qeverisë së re do të kërkojë hartimin e një ligji të ri, i cili duhet të garantojë përkthimin real të votave në mandate për çdo subjekt politik. “Korrektimi i Kodit nga rajonal në kombëtar, apo përcaktimi i një anëtari të LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe grupet e numërimit, nuk është i mjaftueshëm për të shmangur deformimin e votës”, tha Vasili. LSI-ja hedh tezën që sistemi zgjedhor duhet të ndryshojë nga rajonal në atë kombëtar. Sipas Vasilit, pragu prej 2 për qind do të sjellë edhe një pasqyrim real i partive politike në Parlament. “Pragu prej dy për qind mendoj se është i nevojshëm për të realizuar një pasqyrim në Kuvend me dy deputetë të partive politike”, theksoi Vasili. Ndërsa ka theksuar se sistemi aktual i përdorur për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ka dështuar, pasi solli një deformim të votave. “Ky sistem ra në Shqipëri, kështu që nuk di a vlen më që të flasim për një korrektim kombëtar, apo duhet të rishikojmë këtë sistem proporcional rajonal. Duhet të flasim me shumë seriozitet dhe përgjegjshmëri, përtej kalkulimeve të vogla politike”, theksoi Vasili. Ndryshimi i Kodit Zgjedhor kërkon një shumicë të cilësuar të votave për t’u ndryshuar. Për ndryshimin e tij kërkohen 84 vota, të cilat maxhoranca aktuale nuk i disponon, si dhe nuk mund të realizohet pa konsensusin e partisë më të madhe të opozitës. Nisur nga kjo Vasili shprehet se: “Çështja nuk është nëse PS na ofron apo s’na ofron dhjetë vota. Kemi të bëjmë me një kod të propozuar nga PS që rezultoi i dështuar”. “Në këto kushte, PS është partia e parë në Shqipëri që duhet të interesohet për të vënë në vend nderin politik, por edhe profesional të hartuesve të saj që propozuan një kod atipik, mostër. Shpreh besimin se PS është kaq e përgjegjshme sa të kuptojë se një kod i tillë anormal, që penalizoi dhe vetë PS-në, duhet ndryshuar, përmirësuar, kështu që nuk është interesi i LSI-së në këtë mes, po interesi është shumë më i madh”, theksoi Vasili. Nga ana e saj PD-ja ka shprehur paraprakisht dakordësinë e saj për të realizuar ndryshimin e Kodit e Zgjedhor, si pjesë e plotësimit të kushtit ndaj LSI-së. Përfaqësuesi i demokratëve në KQZ-së, Oerd Bylykbashi ka mbështetur idenë e LSI-së, për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, por në të njëjtën kohë ka vënë në dukje faktin se kjo varet edhe nga PS-ja, e cila duhet të japë konsensusin për miratimin e një ligji të tillë. “Në rast se do të ketë nevojë për të futur më tej në Kodin Zgjedhor elementë besimi, për ta bërë akoma më pak vulnerabël procesin zgjedhor, edhe kjo mund të bëhet, por nuk ka recetë për të zëvendësuar mungesën e vullnetit politik nga një subjekt i rëndësishëm siç është në këtë rast partia më e madhe e opozitës”, tha eksperti i PD-së, për hartimin e Kodit.