Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar se do të marrë pjesë në seancën plenare të së hënës në Parlament, ndonëse po përgatitet ashtu si Partia Demokratike për protestën e 27 janarit.


Nënkryetari i kësaj partie, Luan Rama, tha se vendimi u mor në mbledhjen e grupit parlamentar të LSI-së.


Rama po ashtu theksoi se protesta e pas dy javëve do të jetë një revoltë popullore kundër varfërisë, abuzimit dhe pakënaqësisë së njerëzve kundër qeverisë së kryeministrit Rama.


27 janari do të jetë revolta e qytetarëve, do të jetë një protestë që do të përcjellë revoltimin qytetar. Ndërsa 2018, do të jetë viti kundër abuzimit dhe varfërisë. LSI do të vijojë presionin ndaj qeverisë për zbatimin e reformës në drejtësi. Do rrisim falë presionit tonë luftën ndaj papërgjegjshmërisë së qeverisë, – shtoi Luan Rama në një dalje për mediat.


Kredo politike për 2018 integrimin europian të vendit dhe ne jo vetëm do ushtrojmë presion mbi qeverinë dhe strukturat e saj po do të jemi të vendosur që Shqipëria të çelë negociatat me BE si tregues i seriozitetit, angazhimit dhe përgjegjësisë që kemi përballë qytetarëve shqiptarë. LSI do të vazhdojë dhe do të rrisë presionin mbi papërgjegjshmërinë e qeverisë në mënyrë që viti 2018 të jetë viti i realizimit, implementimit, zbatimit të reformës në drejtësi si një kusht i rëndësishëm për të kthyer legjitimitetin, kushtetutshmërinë dhe integritetin kushtetues të institucioneve ligjzbatuese për ti mbrojtur ata nga kapja abuzivizmi dhe shpërdorim i pushtetit, tha Luan Rama.


12 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)