Tiranë -Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta e ka vlerësuar si presion ndaj biznesit, vendimin e fundit të qeverisë për rritjen e kompetencave për tatim-taksat, për investigimin e biznesit dhe të biznesmenëve.“Asnjëherë në këto 4 vite, Qeveria Berisha nuk e ka trajtuar biznesin si një partner të domosdoshëm, për zhvillimin e vendit. Përkundrazi e ka trajtuar si një kundërshtar, duke e trajtuar në mënyrë selektive dhe duke aprovuar një sërë ligjesh dhe aktesh procedurale, të cilat e kanë dëmtuar besimin e biznesit tek ligji dhe tek Qeveria. Një nga shembujt evident është miratimi i ligjit për gjobat, i cili më pas u shfuqizua nga gjykatat edhe pas reagimit të Komisionit Evropian”-tha Meta gjatë një konference për shtyp.



Sipas kreut LSI-së, ky vendim i qeverisë ka pasoja të rënda për sa i takon ecurisë së biznesit, teksa –shtoi Meta- vendim që vjen në një kohë të krizës shqiptare,si dhe një mënyrë sjelljeje arbitrare, selektive dhe policeske e Qeverisë Berisha ndaj biznesit.