luan ramaGjatë ditës së djeshme, në mbledhjen e kryesisë së Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, është marrë vendimi se LSI, do të bëjë transparencë të plotë të skemë së financimit të partisë.

Ndërkohë sot, në një deklaratë për mediat, sekretari i Përgjithshëm Luan Rama tha "Me shumë përgjegjësi dhe seriozitet duke reflektuar pas këtij vendimi kemi ndërmarrë dhe hapat konkretë që kanë të bëjnë me realizimin funksional të transparencës së plotë të gjithë skemës së financimit të partisë. Çështja e transparencës së fondeve me të cilat funksionojnë partitë politike, çështja e transparencës së sistemit politik është çështje e ndjeshme. Kemi online hapësirën e posaçme për të dhëna që kanë të bëjnë me buxhetin e partisë. Jo vetëm kaq, po kemi miratuar në mbledhje dhe buxhetin e partisë për vitin që vjen".

Sipas tij, çdo aktivitet, çdo veprimtari politike, publike apo e strukturave të partisë e çdo lloj natyre qoftë do të jetë në sytë e publikut dhe për sa i përket mbështetjes financiare.

"Natyrisht me këtë gjë ne nuk po bëjmë ndonjë çudi, thjesht po aplikojmë një standard demokratik, thjesht po institucionalizojmë instrumentet apo mekanizmat e transparencës ndaj publikut. Po vendosim në këtë mënyrë një standard të domosdoshëm edhe në respekt të rekomandimeve të herë pas hershme të bëra nga OSBE/ODIHR dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë", shtoi Rama.

/Shekulli Online/