Nga Darina Tanushi
Deputeti i kësaj partie, Spartak Braho ka denoncuar 8 pika në projekt-kodin e ri zgjedhor, të cilat kufizojnë përfshirjen e të gjitha partive politike në procesin e administrimit të zgjedhjeve. 

TIRANE-LSI-ja ka gjetur 8 pika në projekt-kodin e ri zgjedhor, të cilat kufizojnë përfshirjen e të gjitha partive politike në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Deputeti i kësaj partie, Spartak Braho ka vërejtur që këto 8 kufizime vijnë ndesh me Kushtetutën, e cila sanksionon bara-zinë e shtetasve dhe të subjekteve para ligjit. Në pritje të reagimeve, LSI-ja ka renditur një sërë ankesash për projekt-kodin, për të cilin Braho thotë se favorizon dy partitë e mëdha, PD e PS dhe aspak partitë joparlamentare apo ato të vogla parlamentare. Në projekt-kodin aktual zgjedhor kufizohet dhe ngushtohet mundësia e regjistrimit në procesin zgjedhor të partive politike joparlamentare, pasi për t’u regjistruar një parti joparlamentare, i duhet paraqitja dhe mbështetja bashkë me listën e kandidatëve të saj edhe lista e 10 mijë zgjedhësve në rang vendi në KQZ, konstaton Braho. Sipas tij, në projekt-kod kufizohet dhe ngushtohet edhe mundësia e regjistrimit në procesin zgjedhor e partive politike që dalin në koalicion, pasi për t’u regjistruar ky koalicion i duhet paraqitja dhe mbështetja nga jo më pak se 15 mijë zgjedhës në rang vendi në KQZ. I njëjti kufizim, sipas Brahos, vihet edhe për kandidatët e pavarur, pasi kushti i kandidimit të tij është paraqitja e një liste zgjedhësish mbështetës, jo më pak se 1 % të listës së zgjedhësve të regjistruar, e cila duhet të jetë e noterizuar. “Kështu që, nëse në qarkun e Tiranës lista e zgjedhësve është 340 mijë zgjedhës, kandidatit të pavarur i duhet të paraqesë për t’u regjistruar në KQZ, një listë me 3400 firma zgjedhësish të regjistruara përpara noterit duke përballuar vetë edhe shpenzimet e mëdha financiare. Ndërkohë që në kodin aktual, për t’u regjistruar kandidati i pavarur nevojiteshin 300 firma zgjedhësish”, - sqaron Braho. Ai shpjegon se “projekt-kodi i ri zgjedhor, në dispozitat ku parashikohen strukturat e organeve te administrimit te procesit zgjedhor, ka kufizuar nga pjesëmarrja në këtë proces partitë politike në përgjithësi ose subjektet politike në përgjithësi dhe ato parlamentare në veçanti, duke mohuar gjithëpërfshirjen e subjekteve politike dhe duke forcuar monopolin e dy partive PD–PS”. Ky variant është hap prapa krahasuar me procesin e administrimit të zgjedhjeve në vitin 2007, shtoi Braho. Mungesa e anëtarëve nga të gjitha partitë nëpër komisionet e administrimit të zgjedhjeve, sipas Brahos, “lënë jashtë procesit të kontrollit të votimit dhe të numërimit të votave, jo vetëm pjesën dërmuese të partive që konkurrojnë midis tyre, por edhe koalicionet që konkurrojnë midis të njëjtit spektër”. LSI-ja shpreh pakënaqësi për kriteret mbi bazën e të cilave janë caktuar komisionerët nga partitë e tjera. Ka probleme në projekt-kod, sipas LSI-së, edhe për mënyrën e ndarjes së mandateve, gjë që bëhet mbi bazën e dy formulave të ndryshme. Nga ky kod bëhet i pamundur votimi i emigrantëve.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)