Lëvizja Socialiste për Integrim dënon ashpër aktin e shëmtuar primitiv të hakmarrjes politike të Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, që largoi nga puna figurën e shquar të futbollit Shyqyri Ballgjini, vetëm pse mbështet LSI. Lëvizja Socialiste për Integrim u njoh dje me vendimin e shëmtuar të largimit nga puna të figurës së shquar të futbollit shqiptar dhe të kombëtares, Shyqyri Ballgjini nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

LSI deklaroi nëpërmjet një deklarate për shtyp se shkarkimi i z. Ballgjini është bërë vetëm për motive politike, për shkak të afrimit dhe mbështetjes së tij të LSI. LSI dënon ashpër këtë akt, të këtyre drejtuesve të papërgjegjshëm, të cilët ndërmarrin veprime të tilla të ulëta, primitive dhe hakmarrëse, ku prevalojnë emocionet politike mbi ligjin për administratën publike dhe atë vendore në veçanti. I kujtojmë z. Dako se ai është zgjedhur në postin e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, edhe me mijëra votat e anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI. Për më tepër që ky veprim është bërë në kundërshtim të hapur me ligjet e shtetit, parimet dhe funksionimin e administratës publike dhe asaj vendore në veçanti, në mungesë të transparencës dhe moralit, përfundon deklarata për shtyp e LSI.