01/03/2010 Reforma zgjedhore


Juristët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë nisur përpilimin e një pakete ndryshimesh në Kodin Zgjedhor, të cilat do t’u përmbahen rekomandimeve që OSBE-ja ka parashtruar fill pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, ka deklaruar dje se këto propozime vijnë me qëllimin për të riparuar defektet e vëna re gjatë zgjedhjeve të 2009-ës dhe do të paraqiten në mënyrë institucionale në Parlament. Kjo nismë e LSI-së vjen në një moment delikat të politikës shqiptare. Partia Socialiste, megjithëse ka thyer bojkotin, kushtëzon vazhdimësinë e saj në Parlament me plotësimin e kushtit të paracaktuar, atë të hapjes së kutive. Por mazhoranca (pjesë e së cilës është edhe LSI-ja) ka mbyllur çdo mundësi për pranimin e kësaj kërkese. Edhe dje Haxhinasto nuk ka lënë pa shigjetuar opozitën dhe pjesëmarrjen e saj në të ardhmen në jetën parlamentare. “Angazhimi apo tërheqja para një përgjegjësie të tillë do të tregojnë më së miri nëse motivet e opozitës janë përsosja e standardeve të zgjedhjeve apo provokimi i krizës politike. Është momenti të tregohet maturi politike dhe angazhim institucional. Ligjet nuk përmirësohen duke bërtitur nga rruga dhe as duke hedhur ‘shashka’ politike”, tha Haxhinasto.


Qëllimi


Ndryshimet që do të kërkojë LSI-ja në ligjin zgjedhor janë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, konkurrim të ndershëm dhe të barabartë për të gjithë, proces të pakontestuar nga partitë pjesëmarrëse, garantimin vetëm të një kuadri ligjor sipas standardeve ndërkombëtare.


Kërkesa


LSI-ja u ka bërë thirrje të gjitha partive politike të japin kontributin e tyre në reformën zgjedhore. Padyshim kërkesa i drejtohet Partisë Socialiste, pa votat e së cilës këto ndryshime nuk mund të kryhen asnjëherë. LSI thekson se duhet treguar maturi politike për këtë proces.