I ftuar pasditen e sotme në Ftesë në 5 në Top Channel, ishte lahutari i vjetër i malësisë Jonuz Delaj. I prekur emocionalisht pas vendimit të UNESCO-s për ta regjistruar lahutën si pasuri kombëtare të Serbisë, Jonuzi nuk mundi ti ndalte lotët.


Ai rrëfeu se lahuta ka qenë pjesë e pandarë e jetës së tij, e trashëguar brezi pas brezi nga familjarët si një vegël muzikore që i jep identitet dhe përfaqësi popullit shqiptar.


Teksa moderatorja e ngacmoi për ti kërkuar një mendim të sinqertë rreth vendimit të marrë nga UNESCO, i prekur, lahutari tha: Lahutën ja u dhamë vetë, nuk na i grabitën, duke e lënë përgjegjësinë te institucionet shqiptare përkatëse.


Ndërkohë, studiuesi i njohur Sokol Shupo që po ashtu ishte pjesë e debatit për vendimin e UNESCO-s lidhur me lahutën, tha se kjo është një çështje, ku fitues janë ata që lobojnë dhe janë aktiv, e në rastin konkret serbët kanë punuar për të realizuar atë që donin.


Nga ana tjetër Shupo ka fajësuar Ministrinë tonë të Kulturës dhe të gjitha institucionet e tjera përkatëse, që nuk kanë bërë mjaftueshëm.


Se kemi këtu ca njerëz që nuk kanë asnjë lloj vizioni, asnjë lloj formimi apo informacioni që ta bëjnë këtë punë tamam, nuk na e ka fajin njeri, është shprehur ai.


6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)