Dhuruesi i vdekjes/seriali i njohur zviceran, flet për shqiptarët
Transplanti i veshkës, bëhet në Prishtinë
Publiku televiziv i Zvicrës gjermanofolëse, ka pritur me interes këto ditë fillimin e ciklit të dytë të serialit televiziv Der Bestatter (Varrtari). Përbërja e mirë e aktorëve dhe suksesi i arritur në ciklin e parë, kanë tërhequr publikun pranë për të shikuar këtë serial kriminalistik të prodhimit vendor zviceran. Dhe, nisur nga kuotat e shikuesve, episodi i parë Der Todesspender (Dhuruesi i vdekjes) ka arsyetuar pritjet: me 837 mijë shikues ai ka shënuar një vlerë rekorde për produktet e ngjashme televizive në Zvicër. Ngjarja te Varrtari mbështetet në një rrëfim interesant dhe intrigues. Dy kufoma gjenden brenda një kohe të shkurtër në vende të ndryshme të qytetit, pavarësisht nga njëra-tjetra. Por ajo që i lidh ato është gjurma e operacionit në trupat e viktimave, në të dyja rastet diku në regjionin e veshkave.
Nga kufoma parë, e një të riu që mendohet se është nga Europa Lindore është nxjerrë veshka ndërsa të dytit, një industrialisti zviceran i ishte transplantuar një veshkë.
Një ish-detektiv policor, tashmë pronar i një ndërmarrjeje të varrimeve (Luc Konrad) dhe detektivja, ish-partnere e tij (Anna-Maria Giovanoli) fillojnë hetimet lidhur me këtë rast misterioz. Në punën e tyre implikohet edhe detektivi federal me përvojë nga ndjekja e trafikut të organeve, Pedro Lambert, i ardhur nga Zvicra frankofone (Lozana).
Më së voni këtu, rrëfimi filmik fiton në dinamizëm dhe bëhet interesant edhe për shqiptarët. Rruga e veshkës së transplantuar kalon nëpër Prishtinë! Në një klinikë të atjeshme është bërë transplantimi i veshkës nga moldaviani i varfër tek industrialisti i pasur zviceran. Kur e bija e industrialistit, e nxitur nga Lambert fillon të hulumtojë krye në vetë rrethanat e vdekjes së babait, edhe ajo vritet në mënyrë misteriozeRrëfimi i serialit është interesant dhe intrigues, gjë që e tregon edhe shikueshmëria e lartë që ka arritur episodi i parë.
Por, ajo që mbetet në fund është shija e hidhur. Kosova, ndonëse indirekt, paraqitet si vend që nuk bën të anashkalohet kur bëhet fjalë për trafikim dhe transplantim të organeve. Një aludim më se i qartë ky për aferën e njohur mediale të trafikut të organeve njerëzore, ku një spital në Prishtinë pati luajtur rol të protagonistit.
Kriza në kinema, në një debat
Situata në kinemanë shqiptare vitet e fundit, do të jetë në qendër të një debati që do të organizohet sot me nismën e ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Për kë po realizohen filmat shqiptarë? Si do i risjellim në kinema dhe cili është shikuesi i filmit shqiptar; përshtatja e teknologjisë së fundit me detyrimet ligjore që përmban ligji; kriteret e financimit të filmave; ngritja e strukturës film-komision sa është domosdoshmëri e zhvillimit; bashkëprodhimet minoritare dhe ligji për përfshirje në bashkëprodhime për filma, të cilët xhirohen në Shqipëri, me regji dhe skenar të huaj, janë disa nga temat që pritet të diskutohen sot në një panel me përfaqësues të QKK-së, kineastëve, producentëve dhe studentëve te filmit.
Sot, drejtori i ri i Teatrit Kombëtar
Ministrja e Kulturës pritet të shpallë sot emrin e drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar. Tre kandidatët e përzgjedhur mes 11 të tillëve që konkurruan për postin e drejtorit të TK, paraqitën platformën e tyre në ministri. Laert Vasili, aktori shqiptar që jeton në Greqi, prezantoi konceptet e tij për teatrin, dje. Tashmë mbetet që ministrja Kumbaro të shpallë emrin e drejtorit të ri, si kandidatura që plotëson të gjitha kriteret e kërkuara nga ministria. Reformimi i Teatrit Kombëtar dhe një prirje tjetër ndaj tij, duket se janë prioritet i ministres së re, prioritet i cili shprehej edhe në kriteret e vendosura prej saj për kandidatët që do të garonin për këtë post. Hervin Çuli, Edmond Budina dhe Laert Vasili janë tre emrat e përzgjedhur për këtë post. Vetëm njërit prej tyre pritet ti besohet sot drejtimi i këtij institucioni, i cili ka prodhuar shpesh debat mbi mënyrën e funksionimit gjatë këtyre 23 viteve.
Ky shkrim Lajme kulture shkurt u publikua me pare te Gazeta SHQIP.