Polemika


Ky ekip, i ndërtuar për Champions, por do të ketë vështirësi për një klub jo të strukturuar mirë


Murinjo, sulm Sitit: Paratë nuk e blejnë historinë


Nuk kishte se si të mungonte në këtë moment gjuha e hidhur e Zhoze Murinjos, i cili ka gjithnjë diçka për të thënë në dëm të rivalëve apo atyre që e bezdisin. Pikërisht këtë e ka bërë edhe dje. Një ditë pas superofertës që Mançester Siti formuloi për Kristiano Ronaldon, trajneri i Realit të Madridit ka sulmuar klubin anglez, kampioni në fuqi i Premier League. Tekniku luzitan ka vlerësuar kontingjentin që kanë aktualisht Sitizens, por tha se kurrë nuk do të mund të blejnë me para, historinë e klubeve si Reali i Madridit. Galaktikët janë në grupin D në Champions League bashkë me Mançester Sitin, bashkë me ekipe të tjera të forta si Borusia e Dortmundit dhe Ajaksi. Ne kemi potencial për të mbajtur futbollistët tanë kryesorë. Madrid, Barça dhe Bajern janë klube që kanë një histori unike, kanë dhjetëra trofe, kupa europiane dhe tifozë. Këto janë gjëra që nuk mund t’i blesh me para. Të gjithë lojtarët më të mirë duan të shkojnë në këto klube, tha Murinjo, i pyetur për ofertën e Mançester Sitit. Investimi i sheikut Mansur mund të sjellë një triumf në Champions League, por fair play financiar mund të cenojë ekipe si Siti apo Paris Saint Germain. Siti është një ekip i ndërtuar për të fituar Champions, por do të ketë vështirësi për një klub jo të strukturuar mirë, edhe pse e ka portofolin plot. Ai nuk e ka strukturën e një klubi historik, tha Murinjo. Trajneri i madrilenëve, në një intervistë për të përditshmen sportive AS ka përgënjeshtruar zërat se mbetja e brazilianit Kaka në Madrid do të thotë kokëçarje për të. Nuk është aspak e vërtetë se mbetja e Kakasë më shkakton probleme. Është pikërisht e kundërta e kësaj, pasi kam më shumë alternativa në skuadër. Më duhet ta lavdëroj Kakanë, pasi po stërvitet intensivisht, por konkurrenca në skuadër është e jashtëzakonshme, ka thënë Murinjo. Mirëpo, nëse vazhdon me këtë ritëm, atëherë sigurisht që do të ketë rastin për të luajtur. Do të vijë edhe koha e tij dhe periudha kur ai do ta ndihmojë Realin, theksoi Special One. Ai nuk harroi të theksojë se alternativa e parë është Modriç, i cili, sipas tij, do të shndërrohet edhe në një idhull për tifozerinë madrilene.


 


Sep Blater


Leo Mesi magjistar, Ronaldo gjeneral


Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, ka gjetur kohë për të lavdëruar dyshen e yjeve të La Ligës, Kristiano Ronaldon dhe Lionel Mesin, duke i quajtur ata si legjenda të gjalla. Mesi ose Kristiano Ronaldo? Të dy! Ata janë të ndryshëm, por të dy janë fantastikë për futbollin. Kristiano dëshiron të bëhet gjeneral në fushë, ti krijojë rregullat dhe të bërtasë këtu jam. Mesi, në anën tjetër, është magjistar. Ata të dy janë legjenda të gjalla të futbollit, ka thënë Blater për Marca-n. Presidenti i FIFA-s ka gjetur kohë të lavdërojë edhe trajnerët si Murinjo, Ferguson, Venger dhe Guardiola.


 


Interesimi


Milan kërkon të marrë Fabregas nga Barça


E ardhmja e Sesk Fabregas te Barcelona është vënë në pikëpyetje, madje tashmë kanë filluar të qarkullojnë zëra se futbollisti i ardhur nga Arsenali në verën e kaluar mund të vazhdojë karrierën në një tjetër klub. Nga një lojtar titullar, brenda pak muajsh, Fabregas kthehet në një emër merkatoje. Mesfushori i Barcelonës i cili nuk po gjen hapësira në formacionin e Vilanovas ka përfunduar në shënjestrën e Milanit, që mund të nisë një ofensivë në muajin janar. Sipas Corriere dello Sport, Fabregas qëndron në krye të listës së dëshirave të Galianit, që planifikon ti shtojë mesfushës një emër me peshë.


 


 


Masimo Morati


Zgjedhja e Strames, vendim politik


Me emërimin e Andrea Stramacionit, një vit më parë, Interi ka filluar një revolucion dhe merkatoja e kësaj vere, duket se kënaq plotësisht Masimo Moratin. Ky është një vit kyç për tu rikthyer përsëri si protagonistë, u shpreh numri një i klubit zikaltër Mund të them që është një sezon shumë i rëndësishëm, i cili do të përqendrohet te vlerat bazë që ka Interi. E shoh të fuqishme skuadrën, edhe pse është vetëm fillimi dhe rruga do të jetë e vështirë. Andrea kishte të gjitha karakteristikat për të qenë trajneri i Interit dhe nuk gabova në zgjedhjen time. Ishte një zgjedhje politike dhe sportive.


 


Reagimi


Venger kundër Juves për strategjinë e merkatos


Arsen Venger del hapur kundër mënyrës se si Juventusi kërkon të menaxhojë merkaton, pasi deklaroi se bardhezinjtë kërkojnë të shesin shtrenjtë dhe të blejnë lirë, por në futbollin e sotëm është e pamundur. Sipas 62-vjeçarit nga Alsasa, Marota dëshironte të merrte Van Persien në Torino, pasi ishte ai lojtari i duhur për të kompletuar sulmin e bardhezinjve, por drejtuesit e klubit piemontez kërkojnë të mos shpenzojnë shumë para për blerje, ndryshe nga Mançester Junajtid, që ofroi menjëherë 29 milionë euro. Ndërsa bardhezinjtë përfunduan te Bentner.


 


Lajme shkurt burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip