Një turmë e pafundme, e tronditur nga dhimbja dhe e pranishme nga kujtimi. Firence i dha lamtumirën e fundit kapitenit të Fiorentinës, Davide Astori.Një lamtumirë e gjatë dhe e dhimshme. Kortezhi i nisur nga Coverciano parakaloi përpara stadiumit Artemio Franchi. Ishte një prej momenteve më prekës.


Më pas, trupi i pajetë i 31-vjeçarit që pësoi infarkt kardiak ndërsa ishte në grumbullim me ekipin për ndeshjen me Udinesen, mbërriti në bazilikën Santa Croce. Të pranishëm ishin 10 mijë persona. Tifozë të Fiorentinës, por edhe njerëz nga e gjithë Italia, që donin ti jepnin lamtumirën një prej lojtarëve më të dashur.


Ka vetëm një kapiten dhe Astori njëri prej nesh. Këto ishin thirrjet në sheshin jashtë bazilikës, ku u zhvillua edhe funerali për Davide Astorin. Tifozët zgjodhën kore si në stadium dhe flakadanët për të përshëndetur kapitenin e tyre.


Në ceremoninë mortore ishte e pranishme gjysma e Serisë A. Nga drejtuesit e përkohëshëm të Federatës Italiane, te delegacionet e të gjitha skuadrave. Mjaft domethënëse duartrokitjet për përfaqësuesit e Juventusit, skuadra që cilësohet armike sportive e Fiorentinës. Delegacioni i udhëhequr nga trajneri Allegri dhe kapiteni Buffon udhëtoi nga Londra direkt drejt Firences dhe u duartrokit nga turma.


8 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)