Ditën e sotme do të jetë edhe ndarja e fundit e familjarëve, miqve, shokëve dhe gjithë opinionit sportiv, me kapitenin dhe qendërmbrojtësin e Fiorentinës, Davide Astori. Në orën 10:00 është parashikuar të mbahet ceremonia e lamtumirës për 31-vjeçarin, që humbi jetën të dielën, pas një ataku kardiak.


Ceremonia e lamtumirës do të zhvillohet në Bazilikën e Kryqit të Shenjtë në Firenze, teksa më pas kortezhi do ti drejtohet San Pellegrinos, vendit ku Astori lindi dhe do të prehet.


Në Firenze ka një pjesëmarrje rekord, në homazhet e Astorit, teksa është konfirmuar se do të jetë e gjithë skuadra e Interit, që ka ndryshuar edhe planet e stërvitjes, për të qenë e pranishme.


Gjithashtu, 11 futbollistë të Juventusit, bashkë me trajnerin Allegri, janë nisur nga Londra për të qenë pjesë e ceremonisë mortore, teksa konfirmohet se do të marrin pjesë edhe shumë futbollistë e trajnerë të tjerë të Serisë A.


8 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)