Pak ditë më parë, miku i shqipes dhe shqiptarëve, albanologu dhe përkthyesi Christian Gut, ndërroi jetë. Në ditët e fundit të kësaj jete, prof. Gut ishte duke rishikuar përkthimin e kapitujve të munguar të romanit përkthyer shkëlqyeshëm nga ai në frëngjisht, Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo. Kështu shkruan Elona Agolli, e bija e shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli.


Lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të mikut të ngushtë të të atit, ajo e mësoi nga prof. Remzi Pernaska. Kujtoj ditën kur me rastin e 85 -vjetorit të babit ribotuam ndër të tjera edhe Zylon. I lumturuar që më në fund mbante në duar një botim serioz, me kopertinë lëkure, ndër miqtë e shumtë që përmendëm për tja dërguar librin, ishte edhe prof. Gut.


Ti shkruash edhe një letër, e ti thuash: Do ndeshemi shoku Gut, pasi këtë shprehje e pëlqente shumë Guti - më thoshte babi, atë paradite kur mërmërisnim planet tona. Tanimë të dy janë larguar , kanë lënë gjurmën e dhimbjes por edhe të veprës së tyre fisnike e të pashembullt, shkruan Elona.


Përkthyes i letërsisë shqipe, falë pasionit për shqipen Gut ishte dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, prof. dr. Christian Gut. I lindur në Paris, në vitin 1931, Christian Gut kreu studimet për histori e filologji në Ecole Nationale des Chartes dhe i kurorëzoi me një tezë nga historia e së drejtës franceze, për të mbrojtur pastaj doktoratë në es lettres. Kreu disa detyra midis funksioneve administrative, mësimdhënies dhe punës shkencore. Shërbeu në Algjeri, më vonë, si ekspert i UNESCO-s, në Çad, Kongo, Senegal, Qipro, etj.


Një kohë drejtoi arkivat e qytetit të Parisit. Pas diplomimit në Ecole Nationale des Langue Orientales, në vitin 1966, mentori i tij, albanologu i mirënjohur Henri Boissin, i besoi kurset e historisë së popullit shqiptar. Më 1972 hapi degën e historisë dhe të filologjisë shqiptare në Ecole Practique des Hauts Etudes, ku deri në pensionim bëri të mundur përgatitjen e disa tezave të doktoratës.


Për rreth një gjysmë shekulli në shërbimet publike, prej të cilave 35 vjet mësimdhënie universitare, z. Gut ka botuar një mori artikujsh e studimesh, midis të tjerash edhe në revistën Studime të ASHAK-ut. Ka dhënë kontribut të çmuar në veprat kolektive me interes të përgjithshëm enciklopedik dhe veçanërisht shquhet angazhimi i tij në përkthimin e veprave të rëndësishme të letërsisë shqiptare.


Ka përkthyer në frëngjisht dhe e ka botuar në Pejë Kanunin e Lekë Dukagjinit që erdhi si rezultat i një pune të gjatë studimi të së drejtës së hershme te shqiptarët. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2008 ASHAK botoi monografinë e tij Pashko Vasa, njëri nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes kombëtare .Me vdekjen e tij albanologjia humbi një nga studiuesit e rëndësishëm të gjuhës, letërsisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi.


5 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)