rifat-teqja—-Nga Anisa Ymeri—-


Tiranë- 4 gusht 2013! Shuhet dirigjenti më i zëshëm i muzikës shqiptare, Maestro Rifat Teqja. Në redaksitë e fare pak mediave (por të asnjë reporteri kulture) cingëllon një telefon. Dikush njofton për homazhet që do të mbaheshin në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të hënën e 5 Gushtit në orët e pasdites. Kaq! Asgjë më shumë. Një heshtje e mjerueshme institucionale, e atyre institucioneve të kulturës them. Nga TOB-i, nga institucioni orkestrën e të cilit e drejtoi për vite me radhë, asnjë njoftim zyrtar ndonëse drejtuesi i këtij institucioni qe aty, në homazhet ku ju dha lamtumira e fundit. Njësoj edhe nga Ministria e Kulturësheshtje. Por nuk qe 1 minutë heshtje në nder të kujtimit të tij. Asnjë njoftim nuk doli nga kupola e kulturës ndonëse ministri Zhiti qe aty për tu përkulur në nderim të Mjeshtrit Teqja. Asnjë ngushëllim nga Presidenti i Republikës. Ca më pak kryeministri ende në detyrë i Shqipërisë. Paradoks këtë herë! Sepse në faqen zyrtare të qeverisë i fundit njoftim është ky: Kryeministri Berisha mesazh ngushëllimi Kryeministrit të Republikës së Italisë Z. Enrico Letta, për humbjet e jetëve njerëzore në aksidentin tragjik të ndodhur në afërsi të qytetit të Avellinos.


Ironi këtë herë. E kotë të kërkosh mesazhe ngjushëllimi gjetkë. Fali Mjeshtër, fale mjerimin e institucioneve dhe shtetarëve tanë. Ndjesë edhe për këtë parantezë të pazakontë për përcjelljen e informacionit të asaj çka emri juaj personifikon për vendin, për kulturën shqiptare.


Rifat Teqja qe dirigjenti më i zëshëm ndër shqiptarë, themelues i klasës së dirigjimit së bashku me Mustafa Krantjen në Institutin e Lartë të Arteve të asokohe. Për dekada me radhë drejtoi orkestrat e vendite nën drejtimin e mjeshtrit Rifat Teqja, u ekzekutuan për herë të parë në Shqipëri dhjetra vepra të repertorit botëror, simfonik dhe koncertal.


Këtë fillimgusht, dirigjenti Teqja u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare, duke lënë pas jo vetëm dirigjimin e qindra veprave të repertorit botëror, të kompozitirëve që kanë bërë historinë e muzikës, sepse emri i tij është i lidhur ngushtësisht edhe me dirigjimin e muzikës së filmave shqiptarë të realizuar para kapërcyellit të vitit 1990.


Pas përfundimit të Shkolles se Mesme Artistike Jordan Misja në vitin 1951, Masetro Rifat Teqja kreu studimet e larta në Konsrvatorin Çajkovski të Moskës ku u diplomua në vitin 1958 për dirigjim simfonik e pas kthimit në Shqipëri, u emërua dirigjent kryesor i Orkestres Sinfonike të Teatrit te Operas e Baletit, të cilën e drejtoi për vite me radhë. Ndër dekada ai dirigjoi veprat më të rëndësishmet të operas dhe baletit, ndër to operat Berberi i Seviljes të Rosinit apo baletin Arrëthyesi të Çajkovskit. Aleko të Rahmaninovit apo  Don Zhuanin e Mozartit. Baletet Romeo e Zhuljeta të Prokofievit por edhe operat shqiptare Mrika dhe Skënderbeu të Prenkë Jakovës, Toka Jonë e Pjetër Gaciit apo baletet Cuca e maleve Nikolla Zoraqit, Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë e Fehim Ibrahimit apo Para stuhisë e Çesk Zadesë. Me dirigjent Rofat Teqjen, orkestrat vendase interpretuan ndër vite fondin e muzikës simfonike e orkestrale shqiptare.


Dirigjenti Rifat Teqja, më i zëshmi ndër shqiptarë u përcoll për në banesën e fundit nga pak miq, kolegë e të afërm, nga shtëpia e operas shqiptare por pa vëmendjen institucionale që i takon një personaliteti të këtyre përmasave.