19/10/2004  TIRANË – "Lamtumirë armë" në Irak për 71 komandot shqiptare, që kryen shërbimin në Mosul. Mëngjesin e djeshëm, me flamuj në duar dhe me mall për të afërmit e tyre, janë kthyer në vendlindje kontigjenti i tretë, që kreu shërbimin në Irak. Oficerët dhe trupat komando kanë zbritur dje në aeroportin e Rinasit. Ata kanë ardhur rreth orës 05 të mëngjesit dhe për nder të tyre është zhvilluar një ceremoni nga Ministria e Mbrojtjes. Në ceremoninë e pritjes së këtij kontigjenti në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtnant Pëllumb Qazimi, si dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm. Mëngjesin e djeshëm kanë qenë të pranishëm në aeroportin e Rinasit për të pritur 71 komandot dhe përfaqësues të ambasadës amerikane, prindër dhe të afërm të paqeruajtësve shqiptarë etj. Ushtarë dhe oficerë të forcave komando kanë qenë në misionin e tyre të tretë në Irak në krah të forcave aleate ndërkombëtare. Vetëm disa ditë më parë është nisur për në Irak kontigjenti i katërt i paqeruajtësve shqiptarë. Ky kontigjent, si paraardhësit e tij është përbërë prej 71 ushtarakësh efektiv të Regjimentit Komando të Zall-Herr. Komandot e mbërritura në Irak kanë zëvendësuar kontigjentin e 3-të të paqeruajtësve, që shërbyen prej gati gjashtë muajsh në qytetin e Mosulit, në përbërje të trupave të koalicionit ndërkombëtar. Pas përshëndetjes së rastit, që është bërë nga krerët e Mbrojtjes shqiptare, kanë përshëndetur dhe përfaqësuesit e ambasadës amerikane, që kanë falenderuar Qeverinë shqiptare për pjesëmarrjen e saj modeste në angazhimin ndërkombëtar paqeruajtës në Irak.