Ikën gjenerali i kabasë, klarinetisti virtuoz Laver Bariu dhe sazet e Përmetit… 


Laver BariuHeshtje dje në Përmet. Asgjë nuk bëzan. Vetëm një pëshpëritje Shshsht! Po kalon usta Laveri! Kjo qetësi shoqëroi ceremoninë e djeshme në qytetin e sazeve në Përmet. Heshtje. Nuk dëgjohej asgjë, vetëm një kaba, një klarinetë e largët në sfond të dhimbjes.


Pavarësisht nga emrat e tjerë të historisë muzikore të sazeve të Përmetit, emri i klarinetistit virtuoz Laver Bariu, për shkak të kohës moderne në të cilën u publikua dhe shkëlqeu talenti i tij, do të mbetet emri simbol i sazeve përmetare.


Laver Bariu lindi në Përmet, më 2 maj të vitit 1929 dhe mbetet një nga personalitetet më të spikatur të muzikës popullore shqiptare si muzikolog popullor në gërnetë dhe si këngëtar i grupit të sazeve. Qysh i vogël, ai tregoi një dhunti natyrale për t’u marrë me veglat muzikore të thjeshta që zakonisht i sajonte vete me lëkurët e degëve të pemëve në pranverë, apo nga bimët me kërcell tubolar si shtohu, kallami, kërcelli i grurit etj., tregon etnomuzikologu përmetar, Vaso Tole, i cili ka zbritur nga Tirana në Përmet për ta përcjellë me dashuri Usta Laverin..


Pas një fëmijërie të lidhur me borriet e xamunxat, vijnë kontaktet me mjeshtrit e mëdhenj të klarinetës si Usta Vangjel Leskoviku, pranë të cilit punoi me llautë për më shumë se një vit, ndërkohë që ushtrohej në gërnetë me veshë në mënyrë autodidakte..


Pas largimit të Usta Vangjelit për në Vlorë, Usta Laveri organizon grupin e tij, me të cilin mori pjesë edhe në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë, më 1952, ku Laveri vlerësohet me çmimin e parë si instrumentist popullor. Më 1954, ai bën regjistrimin e këngës së parë me saze. Më 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane e paskëtaj më 1966-n regjistron në Radio-Tirana, veç të tjerash, edhe tri kaba përmetare me klarinetë, për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij për të gjithë kohën. Përmeti, një qytet që shtrihet në Shqipërinë e Jugut, në pjesën lindore të Krahinës Malore Jugore, është një rreth me tradita për punimin e verës, rakisë, perimeve, glikosë, për argjendarinë, qëndistarinë, etj. Vallet e Përmetit, vendlindja e Laverit, janë kryesisht të tipit dyshe, shoqëruar me këngë polifonike. Por një ndër më të veçantat e saj, janë sazet, të cilat shoqërojnë vallet qytetare përmetare, shprehet Vaso Tole, i cili ka botuar një sërë studimesh rreth tyre. Tole thotë për gazetën Shqip se gjatë periudhës së artë të Laver Bariut, sazet kanë pësuar disa riorganizime strukturore të cilat kanë reflektuar para së gjithash orientimin artistik të krijuesit të tyre, Usta Laverit… Në vitin 1951, ato përbëheshin nga një gërnetë, dy lahuta, dy fizarmonika, për të ardhur në formacionin e tij të qëndrueshëm të vitit 1976 (e deri më sot), të përbërë nga gërneta, një lahutë, një fizarmonikë, def dhe violinë. Tole pohon se, ato janë konceptuar edhe si saze klasike, pra që vetë interpretojnë në vegla dhe vetë këndojnë, por dhe si formacion shoqërues i këngëtarëve të tjerë popullorë. Nga kjo pikëpamje është shumë e vështirë që të dallosh personalitetin e Usta Laverit si interpret (gërnetar e këngëtar) dhe krijues i shumë stilemave aq të njohura sot nga muzika popullore përmetare. Sipas Toles, sazet kanë një veprimtari të dendur kombëtare e ndërkombëtare, duke u njohur kudo ku kanë shkuar si Bilbilat e Përmetit. Meritë kryesore e këtyre sazeve është se formuan edhe një tjetër identitet të këngës popullore të Toskërisë: këngën popullore përmetare. Usta Laveri ka qenë për gjithë këtë periudhë mësuesi më i mirë i shumë gërnetaxhinjve të tjerë popullorë të qytetit të Përmetit, por dhe të fshatrave, të cilët kanë mësuar prej tij abc-në e gërnetës popullore përmetare…


Themeluesi dhe njëkohësisht drejtuesi i sazeve të Përmetit, të njohura në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, performoi artin unik të tij, duke gjalluar dhe njëkohësisht duke mrekulluar teleshikuesit e këtij spektakli.


Është quajtur Gjenerali i klarinetës, metaforë dhe epitet që i shkon plot hir vetëm këtij mjeshtri të muzikës popullore, që një jetë që kishte e derdhi mbi klarinetë,


Heshtje dje në Përmet. Asgjë nuk bëzan. Vetëm një pëshpëritje Shshsht! Po kalon usta Laveri! Kjo qetësi shoqëroi ceremonitë e djeshme në qytetin e sazeve në Përmet. Heshtje. Nuk dëgjohej asgjë, vetëm një kaba, një klarinetë e largët në sfond të dhimbjes.


E. Serjani


 


 


Ky shkrim Lamtumirë me kaba për Laver Bariun u publikua me pare te Gazeta SHQIP.