Joan Laporta, njeriu që do të mbetet në historinë e Barcelonës si presidenti i "tripletës", arritjes historike të sukseseve në sezonin e kaluar (La Liga, Champions dhe Kupa e Mbretit), pret Masimo Moratin me krahë hapur, por nuk do ta tolerojë. "Duhet të mundim Interin për të ecur përpara në Champions. Për ne është ndeshje vendimtare", ka thënë presidenti i blaugranas, i cili rrëfen refuzimin kategorik të mikut zikaltër, që ëndërron prej kohësh Lionel Mesin.



President Laporta, si lindi miqësia me Moratin?



Një mik i përbashkët, ambasadori i Kuvajtit në Madrid më 2005-n na ftoi në një darkë. Folëm për gjithçka, nga futbolli te jeta e përditshme. Për orë të tëra. Fjetëm edhe në ambasadë, natyrisht jo në të njëjtën dhomë (qesh...) dhe e rinisëm bisedën duke ngrënë mëngjes.



Çfarë mendon për Moratin si person?



Është një biznesmen i suksesshëm, por, nga mënyra se si sillet, është mbi të gjitha një zotëri. Mes nesh ka lindur një miqësi shumë e bukur që nga takimi i parë, sepse më flet si vëlla. Ka shumë vlera humane, di t‘i dëgjojë të tjerët, por është edhe simpatik dhe plot humor.



Po si president?



Është maksimumi për klubin e tij, sepse e dashuron futbollin dhe Interin. Di si ta drejtojë një klub dhe jo rastësisht ka fituar katër titujt e fundit. I uroj t‘i bëjë pesë këtë vit.



Miqësia juaj a e ka favorizuar operacionin e shkëmbimit mes Ibrahimoviç dhe Eto‘o?



Po, në fakt e ka bërë gjithçka më të lehtë. Për të tjerat kanë menduar drejtuesit që kemi.



Kur menduat se do të ishte e mundur të blinit suedezin?



Në mesin e korrikut. Kishim diskutuar edhe në të kaluarën dhe profesionistët tanë kishin analizuar aspektet e një shkëmbimi Eto‘o-Ibrahimoviç, por kam pasur dyshime se diçka po zhbllokohej, kur një ditë (më 17 korrik) e mora në telefon ndërsa po vizitonte Spanjën.



Na trego pak për telefonatën?



Isha në Donetsk dhe po rikthehesha në Barcelonë. I telefonova Masimos, i thashë që sapo fluturova mbi Itali dhe e pyeta nëse ishte në Milano, pasi do të më pëlqente ta vazhdonim diskutimin për Ibrën, që e kishim nisur në qershor. "Kam një propozim interesant për ty dhe për lojtarin", shtova. Më ftoi të shkoja në shtëpinë e tij për të diskutuar: në ato momente e kuptova se tratativa do të mbyllej me sukses.



Në të ardhmen do të ketë të tjera shkëmbime mes Interit e Barçës?



Sigurisht. Nëse operacionet do të jenë interesante për të dyja skuadrat...



Morati adhuron Mesin dhe do ta donte në Milano. Si i përgjigjesh?



(Qesh) Mesi nuk është në shitje. Duhet ta harrojë.



Ia ke thënë këtë edhe Moratit verën e kaluar?



Po, e kam bërë. Mesi nuk është në shitje. As që bëhet fjalë.



Sfida me Interin është një ndeshje kyçe për të ardhmen tuaj në Champions?



Pa dyshim. Sfida në "Kamp Nou" do të jetë më e rëndësishme për ne sesa për Interin: ata mund të kualifikohen duke mundur në shtëpi Rubin Kazan. Ndërsa ne s‘kemi alternativë tjetër veç tri pikëve ndaj Interit. E respektojmë kundërshtarin, por do të japim maksimumin për ta mundur.



Ronaldinjo pak nga pak po rikthehet të shkëlqejë. Surprizë?



Jam i kënaqur që po luan mirë te Milan dhe që është sërish në formë të mirë. Ne dhe tifozët i jemi mirënjohës për atë që ka dhënë te Barça. I uroj më të mirën, mbetet lojtar fantastik.