Në takimin me qytetarët e Kamzës, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se nën drejtimin e Edi Ramës, Saimir Tahirit, Haki Çakos dhe pasardhësve të tyre, Policia e Shtetit u shndërrua në një repart ndihme për drogën, e cila i shpërbeu Edi Ramës për të blerë pushtetin.


Largimi i Haki Çakos nuk është gjë tjetër veçse plotësimi i një pakti mafioz midis tij dhe Edi Ramës. Edi Rama ka garantuar Haki Çakos se pavarësisht qenies në krye të Policisë së Shtetit kur vendi u mbulua me drogë, pavarësisht së qënit leva e Saimir Tahirit, kur policia u kthye në një organizatë kriminale, pavarësisht veprimeve të paligjshme me përgjuesit që përgjonin opozitën, diplomatët e huaj dhe çdo kundërshtar të vërtetë apo të perceptuar të qeverisë, mund të ikë i lirë në punën e tij. Nga ana tjetër Haki Çako do ta mbyllë gojën për aferat e tmerrshme kriminale dhe korruptive që implikojnë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëzit e tij më të ngushtë në qeveri dhe në Partinë Socialiste. Por, dua tjua them sot ju dhe çdo shqiptari. Ky pakt mafioz nuk do ta ketë jetën e gjatë,-tha Basha.


Kreu i PD-së tha se qeveria e Edi Ramës përdor dy standarde për qytetarët e pamundur dhe për kriminelët, duke iu referuar rastit të Qamil Zelës, kryefamiljarit që u vetëvra në burg nga dëshpërimi për mospagesën e energjisë elektrike.


Qamil Zelën që për 32 mijë lekë të vjetra, megjithëse ishte i sëmurë, u mor dhe u plas në birucë, derisa dëshpërimi e shtyu drejt vetëvarjes. Por sot një nga të dënuarit, të burgosurit për kokainën e Xibrakës është liruar me pretendimin se qelia nuk i bënte mirë për shëndetin. Ky është shteti i Edi Ramës, plas në burg të pafajshmit dhe zbraz qelitë nga trafikantët e drogës dhe të krimit,-tha Basha.


Kryedemokrari u bëri thirrje shqiptarëve, të bashkohen me protestën e opozitës për një pjesëmarrje sa më masive për të bërë të mundur sa më shpejt nxjerrjen e vendit nga udhëkryqi i rrezikshëm.


9 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)