Edmond Rugova nuk do të jetë më drejtor i përgjithshëm i klubit të futbollit Prishtina. Ish përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës ka dhënë dorëheqje të mërkurën nga posti i tij i deritashëm.



Ai nuk ka dashur ta tregojë më detajisht arsyen, veçse është arsyetuar se e la kampionin aktual të Kosovës pas një kohe të shkurtër për shkaqe personale.



“Po largohem nga FC Prishtina për shkaqe personale. Nuk kishte asnjë anomali, zyrtarët e klubit i kam si vëllezër. Ai është klubi im i zemrës dhe nuk ka asnjë arsye tjetër, nuk kishte kurrfarë të keqeje”, ka thënë Rugova për Express.



Ai kishte plane afatgjata te Prishtina, por të cilat mbetën pa u realizuar. “Është e vërtetë se aty ka punë për t’u bërë dhe unë po punoja në këtë drejtim. Por, tash i kam disa punë që dëshiroj t’i përfundoj”, shtoi ai.



Rugova gjithashtu e falënderoi bordin e klubit për rastin që ia kanë dhënë, ndërsa Prishtinës përzemërsisht i dëshiroi shumë suksese në të ardhmen. Pasi t’i përfundojë disa punë, Rugova paralajmëroi se planifikon të rikthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku qëndron me familje që një kohë të gjatë.



Udhëheqësit e Prishtinës thanë se janë në dijeni për vendimin e Rugovës, të cilin pritet ta aprovojnë shpejt. Nënkryetari Afrim Muçiqi nënvizoi se shkaqet e Rugovës janë personale dhe se nuk është nevoja të predikohet asgjë.



Edmond Rugova shpjegoi se largimi i tij ka të bëjë vetëm me shkaqe personale, por enigmë mbetet arsyeja reale.