Intervista


Lotaria me kuponë, posta përpunon të dhënat e lojës. 51% e të ardhurave, nga shërbimet financiare


Drejtori-i-Postes-Shqiptare-Majlind-LazimiRreth 51% e të ardhurave të Postës Shqiptare vijnë nga shërbimet e reja financiare. Ndërkohë, që në sportelet e saj kryhen edhe aktivitete bankare, si pagimi i kredive. Tani, sipas drejtorit të përgjithshëm, Majlind Lazimi, ka ardhur koha që posta të kthehet në PostBanka, por duhet edhe vullneti politik. Posta është duke investuar në teknologji, por nuk i ka lënë pas shërbimet klasike. Në 2015, numri i letrave u rrit me 27% krahasuar me një vit më parë. Në lidhje me pensionet, Lazimi premton se në 2016 do të eliminojë radhët në sportele.


Cilat janë shërbimet e reja që ka aplikuar Posta Shqiptare gjatë 2015 për klientët e saj?


Për vitin 2015 e në vazhdim Posta Shqiptare ka qenë e fokusuar në investime në fushën e teknologjisë për informatizimin e sporteleve dhe shërbimeve, të cilat ndikojnë direkt në cilësinë e shërbimit të ofruar. Një nga shërbimet e reja që ne prezantuam në 2015 ishte njoftimi i klientëve me anë të SMS për tërheqjen e pakove (koliposta) në adresë të tyre. Kjo ka sjellë një menaxhim më të mirë të tërheqjeve të pakove duke shmangur radhët e panevojshme në sportele për klientët. Tani klientët tanë e kanë më të thjeshtë të njoftohen nëse u ka mbërritur pakoja, pa qenë e nevojshme të paraqiten në sportel herë pas here. Një tjetër grup shërbimesh të reja që i është shtuar gamës së shërbimeve tona financiare kanë qenë mundësimi i pagesës së kësteve të kredive me disa banka ose institucione financiare të ndryshme. Pra, përveç marrëveshjeve ekzistuese për pagesa kredie në Postë, në 2015 ne kemi lidhur marrëveshje të re me Bankën Intesa Sanpaolo,  Fondin Besa, IUTE Credit etj. Gjithashtu, kemi lidhur një marrëveshje edhe me AK-Invest për transfertat e parave nëpërmjet MoneyGram në postë. Ndërkohë, ne vazhdojmë që të kemi partnerë kryesorë në shërbimet tona edhe institucionet shtetërore. Në 2015, ne bëmë një marrëveshje të re me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me anë të së cilës u ofrojmë qytetarëve mundësinë për ta marrë dokumentacionin e tyre në destinacionin që disponojnë në të gjithë vendin. Pra, pas aplikimit me ZRPP, qytetarëve u shkon në shtëpi dokumentacioni nga Posta Shqiptare. Një risi për fundvitin 2015 dhe janarin e 2016-s është edhe loja e lotarisë me kuponët tatimorë, e cila u lançua nga Ministria e Financave dhe po realizohet nëpërmjet Postës Shqiptare, e cila aplikon një sistemi software për hedhjen e të dhënave dhe përmes sporteleve të saj ku pranohen zarfet me kuponë tatimorë nga qytetarët, që bëhen protagoniste të kësaj loje promocionale.


A e ka dëmtuar email-i postën klasike me zarfe dhe letra?


Sigurisht, futja e teknologjive të reja ka ndikuar dhe në rënien e volumeve të korrespondencës postare, siç janë letrat ose kartolinat në nivel global, megjithatë po t’u referohemi statistikave për vitin 2015, volumet e letrave janë rritur me 27%, krahasuar me 2014. Zhvillimi i teknologjisë ashtu siç na sfidon në drejtime të caktuara, ashtu edhe na ndihmon në shërbimet tona, prandaj ne nuk i trembemi teknologjisë, përkundrazi. Megjithatë, ia vlen të përmend këtu që 51% e të ardhurave tona vijnë nga shërbimet financiare dhe bankare, prandaj do t’u jepet prioritet në të ardhmen.


A funksionon sistemi i adresave. A ka ardhur koha për të riorganizuar sistemin e korrierëve?


Aktualisht, për shkak të lëvizjeve demografike masive dhe kaotike në 25 vitet e fundit, nuk kemi një sistem adresash të plotë, të integruar dhe aq më pak të dixhitalizuar, gjë e cila është një shqetësim real për ne në kryerjen me cilësi maksimale të shërbimit postar. Teksa procesi i emërtimit të rrugëve është pjesërisht i përfunduar, procesi i numërtimit të banesave është ende në zanafillën e saj për shkak të kompleksitetit në terren, çka sjell vështirësi, jo vetëm për shpërndarësit e Postës Shqiptare, por mendoj dhe të përdoruesve të tjerë të adresave. Megjithatë, Posta Shqiptare, falë eksperiencës së punonjësve, ka mundur të hartojë sipas zonave të shpërndarjes disa harta lokale për të mundësuar shpërndarjen e objekteve në adresë, duke ulur në maksimum objektet e padorëzuara për mungesë adrese. Së fundmi, dëshiroj të theksoj se Posta Shqiptare është pjesë përbërëse e grupit ndërqeveritar të punës, i cili po punon për përfundimin e sistemit të dixhitalizuar të adresave në të gjithë vendin, që do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemet e institucioneve të ndryshme që janë përdorues të sistemit të adresave. Ndërsa, sistemi i korrierëve nuk mund të riorganizohet pa finalizuar sistemin e ri të adresave.


Si po shkon shpërndarja e shpërblimeve të Vitit të Ri të pensionistëve?


Me daljen e vendimit të qeverisë dhe aktmarrëveshjes me Institutin e Sigurimeve Shoqërore më 29 dhjetor 2015, ne filluam menjëherë ndarjen e shpërblimit të fundvitit për pensionistët. U punua me orare të zgjatura deri në orën 20.00, gjatë ditëve të festave për tërheqjen e pensioneve për qindra mijëra pensionistë në të gjithë vendin. Edhe ditët e para të janarit po vazhdon normalisht shpërndarja e shpërblimit së bashku me pagesën e pensionit të muajit. Posta e kreu detyrën më së miri në një kohë rekord për 2-3 ditë për pjesën më të madhe të pensionistëve dhe gjej mundësinë për të falënderuar të gjithë punonjësit tanë që punuan me orë të zgjatura edhe në prag festash.


Çfarë duhet të përmirësoni në ndarjen e pensioneve?


Posta Shqiptare realizon pagesat e pensioneve në bazë të një grafiku të miratuar nga ISSH, sipas ditëve të muajit. Zyrat postare që shpërndajnë pensionet punojnë çdo ditë të javës nga ora 8.00 e mëngjesit deri pasdite, por tendenca e pensionistëve është për tu paraqitur në orët e para të mëngjesit, normalisht duke krijuar një fluks të përkohshëm, ndërkohë që mbas orës 11 në pjesën më të madhe të zyrave të dedikuara të pensioneve fluksi bie dhe pensionistët tërheqin lehtësisht pensionin pa ndenjur në radhë. Për vitin 2016, Posta Shqiptare në ato zyra ku fluksi është më i madh, do të organizojë shërbimin për të rritur numrin e sporteleve të shpërndarjes së pensioneve duke krijuar sportele universale, të cilat krahas shërbimeve të tjera të realizojnë edhe pagesën e pensioneve. Në këtë mënyrë do të kemi mundësinë që t’i përdorim sportelet tona në mënyrën më efikase të mundshme dhe të mos lejojmë krijimin e radhëve në orët e para të mëngjesit.


Cilat janë shërbimet financiare që kryen Posta, veç pensioneve? 


Posta Shqiptare kryen shumë shërbime financiare ku pjesën më të madhe e zënë marrëveshjet me institucione shtetërore siç është arkëtimi i gjobave në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, pranim i pagesave të detyrimeve doganore në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, arkëtimi i pagesave të energjisë elektrike për llogari të OSHEE-së, arkëtimi i pagesave të ujit të pijshëm për llogari të UKT-së, shitja e kuponëve për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike etj. Posta Shqiptare ka marrëveshje me Ministrinë e Jashtme dhe Ambasadën Italiane dhe Greke për kryerjen e pagesave të legalizimeve të dokumenteve përkatëse, ndërsa për ZRPP ofrojmë shërbimin arkëtimit për pagesat e aplikimit. Ne ofrojmë arkëtime të ndryshme për pagesat e kësteve të kredive sipas marrëveshjeve me disa institucione si banka “Intesa Sanpaolo”, banka “Procredit”, banka “Societe Generale”, fondi “Besa” etj. Këto që ju përmenda janë vetëm disa nga shërbimet financiare më të rëndësishme, por ndërkohë bëjmë edhe shumë shërbime të tjera që nga pagesat e shkollave e kopshteve e deri te transfertat e parave nëpërmjet partnerëve si MoneyGram apo Eurogiro, por nuk do doja të zgjatesha se janë shumë. Ndoshta shumë qytetarë nuk janë në dijeni për të gjitha shërbimet që mund të gjejnë te Posta Shqiptare, por ne jemi munduar që t’i promovojmë ato nëpërmjet rrjeteve sociale, website-t apo edhe promocioneve në terren.


Jeni shprehur se objektivi juaj për këtë vit është ta ktheni postën në Postbankë. Çfarë kushtesh duhet që të përmbushni për marrjen e licencës?


Bazuar në Ligjin Për Bankat në Republikën e Shqipërisë, banka (PostBanka në rastin tonë) mund të themelohet me kapital shtetëror sipas dispozitave të këtij ligji ose me ligj të veçantë. Në kushtet kur Posta Shqiptare, është një shoqëri me kapital 100% shtetëror, PostBanka mund të themelohet duke u bazuar në kushtet dhe rregullat që ky ligj përcakton për krijimin, licencimin, organizimin dhe drejtimin e bankave të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, plani ynë strategjik për krijimin e PostBankës do të mbështetet në modelet më të suksesshme europiane, duke iu referuar modelit të BancoPosta Italiane, asaj gjermane dhe franceze, operatorë me të cilët tashmë kemi filluar shkëmbimin e ideve të para. Posta Shqiptare po përgatit një draft-propozim, i cili do t’i përcillet për shqyrtim institucioneve qeveritare vendimmarrëse dhe Bankës së Shqipërisë. Së pari, ky proces kërkon vullnet politik për krijimin e një institucioni bankar shtetëror. Së dyti, nevojiten edhe kapacitete financiare dhe njerëzore përpos miratimeve rregullatore, të cilat aktualisht janë sfiduese dhe kërkojnë patjetër mbështetje institucionale dhe një mendësi të re korporative për të garantuar një histori suksesi. Intervistoi: Zamir Alushi