Disa banda rroku i përshpejtojnë ritmet muzikore kur u bie rasti të luajnë pjesë të vjetra, dekada pas kompozimit të tyre. Përshpejtimi i ritmit është një lloj mburoje: refuzim ndaj faktit që koha është e pandalshme dhe kalon për të gjithë, entuziazëm disi i rremë për të kompensuar në njëfarë mënyre rënien e fuqisë muskulore dhe kundërvënie ndaj realitetit të ri, që e sheh grupin më pak të rëndësishëm në botën muzikore.

Por ky nuk është rasti i "Led Zeppelin". Ata bënë të kundërtën, i ngadalësuan ndjeshëm ritmet. Në Arenën O2 të Londrës, të hënën në mbrëmje, në koncertin e parë të plotë që nga viti 1980 - pa Xhon Bonham, i cili u nda nga jeta gjatë atij viti, i zëvendësuar natyrshëm nga i biri, Xheson - grupi i famshëm rigjeti një pjesë të madhe të madhështisë së dikurshme, falë ritmeve muzikore, më të hijshme se në kohët e shkuara, gjatë koncerteve live. Shpejtësia e interpretimit të këngëve iu afrua ndjeshëm regjistrimeve të vjetra në studio, madje edhe më të ngadalta.

"Good Times, Bad Times", "Misty Mountain Hop" dhe "Whole Lotta Love" u luajtën si të qenë rrugëtime me hapa të lehtë në botën shpirtërore. "Dazed and Confused" u servir si baladë e ngadaltë dhe e madhërishme.

Gjithçka iu kthye ritmeve të bluzit, në të cilin përçapja me ritme të lehta është virtyt dhe nga i cili "Led Zeppelin" kanë mbështetur gjysmën e aktivitetit muzikor. Këngëtari i grupit, Robert Plant, nuk do kurrsesi që ky fakt të lihet në harresë. E prezantoi këngën "Trampled Underfoot", duke shpjeguar lidhjen e saj me "Terraplane Blues" të Robert Xhonson, ndërkohë që nuk la pa përmendur as Blaind Uilli Xhonson, si frymëzuesin e "Nobody‘s Fault But Mine". Përveç kësaj, grupi u përkushtoi nga dhjetë minuta variacione dy këngëve nga katalogët e dikurshëm, "Since I Been Loving You" dhe "In My Time of Dying".

Ahmet Ertegun, njeriu të cilit i dedikohej koncerti, padyshim që do kish mbetur i kënaqur, sidomos duke njohur faktin se gjatë gjithë karrierës së vet ka qenë aksi i muzikës së zezë të jugut në kulturën amerikane. Koncerti ishte organizuar për motive bamirësie. Të ardhurat do të shkonin për llogari të fondit "Ahmet Ertegun Education Fund", i cili ofron bursa studimi në universitete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të Britanisë së Madhe.

Për të gjithë ata që panë koncertin prej dy orësh të "Led Zeppelin", qe e vështirë të vinin re grupet e tjera që morën pjesë në eveniment. Por grupi u parapri në skenë nga "Bill Wyman‘s Rhythm Kings", me të cilin kënduan edhe emra të tjerë të njohur të bluzit botëror, si Paolo Nutini dhe Albert Li, si edhe pak këngë nga Pol Roxhers i "Free and Bad Company" dhe "Foreigner".

Skena u dominua gjatë dy orëve nga një lloj qetësie. Çdo gjë ishte planifikuar me shumë kujdes dhe duhet thënë se provat për të luajtur pjesët e vjetra kishin nisur që në maj. Pjesëtarët e grupi qenë veshur më së shumti me të zeza, në vend të gardërobës së dikurshme, plot me ngjyra të ndezura. Në të kundërt të Mik Xheker, Plant, më i riu ndër anëtarët e grupit të dikurshëm, 59 vjeçar, nuk ecën dhe as gjestikulon më si të ishte femër e eksituar. Disa nga notat e larta të zërit të dikurshëm nuk i ka më, por përveç një përpjekjeje të dështuar për t‘u ngritur në lartësinë e duhur gjatë "Stairway to Heaven", ka gjetur rrugë të tjera muzikore, të cilat u përshtaten mundësive të tanishme. Diti të ruante përpara publikut gjithë autoritetin dhe dinjitetin e dikurshëm.

E përafërt qe edhe paraqitje e Xhimi Peixh. Solot e tij në kitarë nuk qenë aq frenetike dhe të artikuluara sa në kohët e vjetra, por kjo theksoi një prej tipareve të grupit: ata u lënë hapësirë të pazakontë variacioneve në kitarë, të cilat të hënën qenë fantastike. Tingujt e kitarës së tij iu përafruan atyre të violinës gjatë intervalit të këngës "Dazed and Confused".

Linjat e basit të Xhon Pol Xhonit humbën disi për shkak të akustikës së sallës - O2 Arena, me 22 mijë vende, është paksa e papërshtatshme për frekuencat e ulëta - por diti t‘i ngrejë të gjithë në këmbë, i shoqëruar nga Bonham, kur nisi të luante në tastierë "No Quarter", pa ndaluar së manipuluari më këmbë pedalet e basit.

Ajo për të cilin pyesnin të gjithë ishte se sa do t‘i përshtatej Xheson Bonham atij grupi, që në epokën e vet vlerësohej si një ndër bashkimet më të përkryera të muzikantëve të rrokut. Ai është ekspert në njohjen e ritmeve dhe tingujve të të atit, një enciklopedi e vërtetë e gjithë atyre variacioneve të regjistrimeve të panumërta. Dhe përveç pak shkarjeve aty këtu, ai diti t‘i përshtatej tingullit të gjithë grupit. Trumbeta nuk kishte tingullin e ashpër që karakterizonte dikur atë të të atit. Por, pasi koncerti hyri në orën e dytë, problemi u korrektua gradualisht nga teknikët e zërit dhe as që vihej më re. Gjithçka nisi të funksiononte përsosmërish.

"Led Zeppelin" janë bashkuar (asnjëherë tërësisht) edhe në të shkuarën, por pa shumë sukses. Koncerte të shkurtra e problematike në vitin 1985, si dhe në përvjetorin e 40-të të "Atlantic Records" në vitin 1988. Por ky ishte një bashkim tek i cili grupi kishte investuar shumë energji, përveç faktit që nuk ekzistojnë ende plane konkrete për një tur të mundshëm. Mes 16 këngëve gjendej njëra që grupi nuk e kishte luajtur kurrë më parë: "For Your Life", nga albumi "Presence".

Emocionet e publikut u ndjenë gjatë gjithë koncertit. Duartrokitjet dhe thirrjet gjatë intervaleve të këngëve qenë të gjalla. Në fund të koncertit, Bonhami i ri u vendos përpara tre pjesëtarëve të vjetër dhe u përkul me gjithë nderimin e mundshëm.