TIRANE-Kryeministri Edi Rama, ka folur të hënën për gjendjen alarmante të universiteteve shqiptare. Gjatë fjalës së tij, nuk ka lënë jashtë vëmendjes as Qendrën e Studimeve Albanologjike. “Rastet për të qarë e qeshur janë të panumërta në të gjitha, mjafton degjenerimi i Qendrës (së Studimeve) Albanologjike për të parë se ku është katandisur bota e të menduarit dhe niveli i arsimit të lartë, i shkencës që mësohet dhe zhvillohet në këto institucione. Si mund të ketë doktorë shkencash që kanë doktoruar me ‘humori i këngës popullore’, apo temë doktorature ‘Diana Çuli dhe Helena Kadareja’”, do të shprehej kryeministri. Në një intervistë për “GSH”, drejtori i QSA, Ardian Marashi e kundërshtoi fort idenë e Ramës, kur tha se “i ashtuquajturi ‘degjenerim’ i Qendrës së Studimeve Albanologjike i shërben Kryeministrit të vendit si matës për krejt botën e të menduarit e madje për krejt nivelin e arsimit të lartë, për krejt nivelin e shkencës që mësohet në institucionet arsimore dhe kërkimore-shkencore të Republikës. Kësaj i thonë të fshish me një të rënë të lapsit edhe mendimin shqiptar, edhe arsimin shqiptar, edhe shkencën shqiptare. Unë nuk mund ta konceptoj se çfarë niveli do të mund të ndërtojë në arsim dhe në shkencë një Kryeministër kaq shpërfillës, i cili nuk beson se në Shqipëri ka arsim të lartë, ka shkencë, ka mendim”.

Veçse, pos shefit të ekzekutivit, ka edhe të tjerë që gjendjen e albanologjisë e shohin përvajshëm. Gjuhëtarja Ledi Shamku dhe akademiku Vaso Tole, vijnë sot në “GSH” me opinionet e tyre për albanologjinë dhe Akademinë e Shkencave.

Ledi Shamku
Reflektim i shkurtër mbi zëra të zgjatuara
U bë e disata herë që jehu i do zërave të zgjatuar (gojë pas goje) mbërrin përmes këtij kumti të turbullt: “Të ripërfshihet Albanologjia nën Akademinë e Shkencave”.
Uroj FORT që diçka e tillë të mos ndodhë!!! Uroj FORT që një jeh i tillë të shuhet pa u shndërruar në vendim. Do qe një prapakthehu e dëshpëruar në një situatë albanologjike po kaq të dëshpëruar. Dhe sigurisht nuk do ish reformë!
Fillimisht, pohoj pa mëdyshje se Albanologjia tek ne thuajse nuk ekziston. Por nuk gjykoj se ky mosekzistim lidhet me futjen e institucioneve nën ombrellën e qeverisë. Kam nisur punë qysh në vitin 2000 në Institut, dhe ia njoh rrjedhën. Qysh në atë kohë Albanologjia nuk e përligjte aspak veten dhe misionin kombëtar e ndërkombëtar që ka si shkencë. Albanologjia këtu te ne ka ekzistuar në vlerë e përmasë deri në kohën e brezit të Çabejt, Domit, Zojsit e pak të këtillë. Fill pas asaj kohe nuk frymëton më.
Akademia e Shkencave është në një situatë po aq letargjike sa edhe albanologjia. Do ish si të shtrinim dy të sëmurë në një shtrat, pa mjek, e të rrinim në uzdajë se po shërohen. Ku ka qenë vallë Akademia në gjithë këto vite kur çështjet kombëtare kanë pasur nevojë për zërin e saj? Ku ka qenë vallë Akademia kur pushteti kërkoi të falte detin e të dënonte kufijtë e Shqipërisë? Ku ka qenë Akademia në gjithë këto vite bastisje mbi mendjet përmes Alterteksteve të marra, në të cilat edhe vetë muaji mars përfshihej në dimër, se numërimi fillonte: janar, shkurt, mars? Ku ka qenë vallë Akademia kur vlonin debatet jashtë e brenda për ri-ndërkombëtarizim të Albanologjisë si shkencë e si e vetmja avokate e identitetit tonë kombëtar? Ku ka qenë Akademia e Shkencave kur vidheshin e piratoheshin përkthimet e ndritura të kolegëve të tyre që sot nuk rrojnë më, e që prej kësi hajnish iu shua emri e mundi? Thjesht nuk ka qenë, duke mërmëritur me vete batutën e Shvejkut “ç’më duhet mua se ç’bëj unë”.
Albanologjia ka nevojë për një reformë të thellë! Ka nevojë të rilidhë fijet e saj të këputura me gjithë qendrat albanologjike nëpër botë, me të cilat, përveçse për qoka, nuk komunikon më. Ka nevojë albanologjia të lidhet fort me arbëreshët e me institucionet e palodhura të tyre, të cilave as që iu përgjigjet më! Ka nevojë të mbledhë rreth vetes gjithë ato djem e vajza të reja që janë diplomuar në universitetet e botës pikërisht për filologji e gjuhësi, e që punojnë në Universitetet e atjeshme pasi këtu nuk gjejnë vend ngaqë fusin në krizë sistemin e kalbur e të ngrirë.
Albanologjia është e vetmja shkencë e mirëfilltë që ne mund dhe duhet të bëjmë vetë se nuk ka kush ta bëjë për ne! Gjithë disiplinat e tjera mund të jenë thjesht shkenca të aplikuara.
Albanologjia ka nevojë urgjente të dalë nga letargu, por kjo nuk mund të ndodhë asesi duke e shtënë nën sqetullën e një tjetër letargu të madh: atij të Akademisë. Dhe teksa po i mbyll këto pak radhë të shqetësuara, më vjen ndër mend një shkrim luminar i Ardian Klosit: “Kolltukët e shqyer të Akademisë së Shkencave”.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)