01/06/2005 Veteranët e rokut Pete Townshend dhe Roger Daltrey, dy nga anëtarët që i kanë mbijetur kohës, e grupit legjendar të muzikës rok "The Who", në përpjekjen e tyre për të xhiruar një dokumentar historik u kanë bërë një apel publik fansave të tyre, që t'i ndihmojnë të realizojnë dokumentarin. Të dy këngëtarët e kanë prezantuar këtë lutje, si edhe faktin që ata vetë po ndihmojnë në realizimin e kësaj iniciative, nëpërmjet një website, të ndërtuar për këtë qëllim. Townshend dhe Daltrey do të intervistohen dhe do të venë në dispozicion materialet e tyre arkivore në xhirimin e këtij dokumentari, që do të titullohet "Gjenerata ime: Who do të mbeten Who" dhe që do të pasqyrojë jetën e pjesëtarëve të grupit gjatë karrierës së tyre. Filmi dokumentar do të jetë xhirim definitiv audio-vizual i grupit, theksohet midis të tjerash në sitin e ndërtuar për këtë qëllim. "Ky dokumentar e ka marrë temën nga muzika dhe tekstet e krijuara nga grupi, me qëllim që të nxjerrë në pah ndjenjat dhe qëndrimet e tyre, në të gjitha albumet muzikore të krijuara prej tyre". Materiali filmik do të zejë fill nga viti 1960, që shënon dhe krijimin e grupit, për të vazhduar më pas me sukseset e tyre të mëdha, ndarjet dhe ribashkimet, e më pas me vdekjen e bateristit Keith Moon dhe basistit John Entwistle. Daltrey dhe Townshend u kanë bërë thirje fansave që kanë ndjekur koncertet e tyre, por edhe që kanë siguruar suvenire të ndryshme gjatë koncerteve, të prezantohen dhe të ndihmojnë në xhirimet e filmit, i cili mendohet të shfaqet për publikun në fillimet e vitit të ardhshëm. Regjia i është besuar Murray Lerner, i cili ka fituar një "Oscar" me dokumentarin e tij "Nga Mao te Moxarti: Isac Stern në Kinë". Daltrey dhe Towshend do të prodhojnë filmin në bashkëpunim me Nigel Sinclair dhe Guy East, kompania e të cilëve "Spitfire Productions", ka realizuar edhe prodhimin e dokumentarit të Martin Scorsese "No Direction Home: Bob Dylan", kushtuar jetës së Bob Dylan. "Kur mendon për katër anëtarët e këtij grupi është njëlloj si të mendosh për "Beatles", "Rolling Stones", Bob Dylan etj.", është shprehur Sinclair. "Pete është një nga kantautorët më të mëdhenj britanikë si dhe një forcë e jashtëzakonshme e skenës muzikore, e sidomos në krijimin e të parave rock-opera", ka deklaruar ai për mediat britanike.