Drejtësia shqiptare ka vendosur sot dënimin përfundimtar për Dritan Dajtin, autorin e Masakrës së Durrësit, ngjarjes së rëndë të ndodhur më 7 gusht 2009, ku mbetën të vrarë 4 efektivë policie.


Pas një kalvari 10 vjeçar zvarritjesh në dyer prokurorish dhe gjykatash, çështja Dajti është vulosur nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, që ka rrëzuar kërkesën e Gjykatës së shkallës së parë për Krimet e Rënda, e cila e kishte dënuar atë me burgim të përjetshëm.


Sipas vendimit të Apelit, Dritan Dajtit që vrau 4 efektivët të cilët kishin shkuar ta arrestonin në një apartament pranë plazhit Iliria, do ti duhet të kryejë vetëm 25 vite burg.


Me vendimin e sotëm Dritan Dajti praktikisht merr një dënim shumë herë më të lehtë seç mendohej, pasi sipas legjislacionit në fuqi atij i përllogariten rreth 15 vite qëndrim në burg edhe koha prej një dekadë e gjysmë që ka qenë i mbyllur në qelitë e paraburgimit.


Që prej momentit të arrestimit në 2009 dhe deri sot në 2019, ekzekutori i Fatos Xhanit, Altin Dizdarit, Kastriot Feskajt, dhe Sajmir Duçkollarit ka qëndruar në paraburgim.


Ligji shqiptar përcakton se 1 vit qëndrim në paraburgim është i barabartë me 1.5 vite dënim nga gjykata dhe në rastin e Dritan Dajtit, automatikisht dënimi prej 25 vitesh që Apeli akordoi për të zbret në vetëm 10 vite burg.


Por përveç lehtësimit nga gjykata ka edhe një tjetër element që shkon në favor të Dajtit dhe kjo ka të bëjë me sjelljen e mirë në qeli dhe respektimit të rregullores së burgut.


Nëse avokatët mbrojtës të tij dorëzojnë një kërkesë në gjykatë për lehtësim dënimi për shkak të këtyre kushteve dhe ajo pranohet, atëherë Dritan Dajti mund ta lërë qelinë brenda 7 viteve.


Ndërkohë, kujtojmë se përveç ngjarjes në fjalë, Dritan Dajti ka qenë në kërkim nga policia pasi ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.


Deri në momentin e arrestimit pak minuta pas masakrës së Durrësit, ku mbeti edhe vetë i plagosur, Dritan Dajti kishte qenë në liri pasi ishte arratisur nga Gjykata e Tiranës në verën e vitit 2004.


Gazeta Shqip