Në portalin e-Albania janë shtuar 13 shërbime të reja elektronike që lidhen që të gjitha me pagesat e Tatimeve.


Në një postim mesditën e sotme në “Facebook”, kreu i qeverisë Edi Rama thotë se vazhdon lehtësimi i shërbimeve dhe ulja sistematike e ndërveprimeve direkte me administratën, duke reduktuar vijimësisht mundësitë për korrupsion, radhët e kota dhe humbjet e kohës.


Ai thotë se sapo u publikuan në portalin e-Albania 13 shërbime të reja elektronike me pagesë, të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.


Rama bën me dije se nëpërmjet këtyre shërbimeve, bizneset mund të paguajnë direkt nga vendi i punës, shtëpia apo celulari, një sërë detyrimesh tatimore:


1. Tatim mbi të Ardhurat Personale të Biznesit të Vogël


2. Tatim i Lojërave të Fatit


3. Tatim mbi të Ardhurat nga Punësimi


4. Tatim i Mbajtur në Burim


5. Tatim mbi Vlerën e Shtuar


6. Tatim i Thjeshtuar mbi Fitimin


7. Tatim Fitimi


8. Tatim mbi të Ardhurat Personale


9. Taksat Kombëtare


10. Tarifat Kombëtare


11. Renta minerare


12. Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore


13. Detyrime globale/Penalitetet


Puna vazhdon, përditë dhe rezultatet do të ndjehen hap pas hapi në të gjitha shërbimet e administratës për qytetarin dhe biznesi, shkruan në mbyllje të postimit Edi Rama.


13 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)