Nga Këze (Kozeta) Zylo

Vijon nga numri i së dielës






Ju keni 15 vjet që drejtoni revistën “Kuq e Zi”, cili është kontributi i kësaj reviste në Diasporë, dhe cilat janë temat që zënë një vend të gjerë aty?





Koha kalon shumë shpejt në botën e lirë, dhe 15 vjetët e revistës me duken si 15 ditë.


Ideja e një reviste, siç e kam thënë, kishte lindur qysh në atë kohë të dënimeve, ku shpresa për një lirim të plotë, nuk ishte shue kurrë, dhe ja që e fituem lirinë e dolëm në atë vend, në Belgjikë, ku shqiptarët kishin gjetur strehim politik qysh me kohën e Faik Konicës, e ku kishte pa dritën revista "Albania", nga 1897 deri 1903, e cila vazhdoi të dalë në Londër deri më 1909. Pra qysh nga koha e asaj reviste kishin kaluar 100 vjet, e një tjetër shtyp shqiptar i atij lloj nuk ishte dukur gjëkundi as si një fletë e vetme letre. Ne erdhëm në Belgjikë, më tetor 1990, dhe nuk m’u desh shumë kohë për të kuptue mangësinë e shtypit shqiptar. Fillimisht isha i zanun me redaktimin e poezive të mija të kohës së burgjeve e kampeve, që arrita t'i mbledh në një libërth: "Ankimi i Zanave" të cilin e përktheva në dy gjuhë të tjera që zotëroja, frëngjisht e italisht. Pastaj iu vura punës për të krijuar revistën. Punë që e mora përsipër vetë, mbasi isha mjaft i prirun e praktik për të tilla gjëra, dhe njëkohësisht si piktor, e më lehtësohej detyra. Kështu, më tetor – nëntor 1993 doli numri i parë, sigurisht me pakicë, që i shpërndava ndër shokët e tjerë të vuejtjeve, si Guljelm Deda, Mark Dema, Mikel Koliqi, Lazer Radi, Ded Gjomarkaj, Eugjen Merlika, Nush Radovani, Gjosho Vasija, Injac Zamputi, At Zef Pllumi, Hans-Joachim Lanksch, e të tjerë, që më uruen për këtë nismë. Po ashtu i dhurova dhe bibliotekës kombëtare e bibliotekave të tjera dhe disa figurave të njohura të diaporës, si Prof. Arshi Pipa, Nermin Vlora, Sali Toptani, Dervish Duma, Ton Koka, etj. Të gjithë sa përmenda, derisa qenë gjallë, u banë anëtarë nderi e bashkëpunëtorë, dhe ky është një nder i madh që i mbetet revistës.


Revista mori përsipër të zhvillojë një kulturë të shëndoshë të bazuar mbi parimet e rilindasve, si një tribunë e vërtetë shqiptarizmi. Ajo trajton tema të ndryshme, kulturore, letrare, historike, gjuhësore, dokumentare, e të tjera fusha të kulturës shqiptare e botërore, por kryesisht ato çështje që u përkasin shqiptarëve. Botohet pa qëllime përfitimi, dhe gjithë ata që punojnë për të e bëjnë falas. Një rast unikal për të cilin krenohemi.


Pra rëndësia e revistës, qëndron në faktin që ajo në një farë mënyre vazhdoi në gjurmët e Konicës, dhe me këmbëngulje u botua kaq vjet rresht dhe mendon se do të vazhdojë edhe për shumë kohë.


Në 15 vjetorin e saj, revista gjen rastin nëpërmjet jush, t’ju urojë bashkëatdhetarëve kudo janë, mbarësi ne familje e jetë, e suksese në detyrë, në punë dhe në veprimtarinë e tyre intelektuale në dobi të kombit shqiptar.







Cilat janë librat tuaja të botuara dhe a keni gati ndonjë për botim?





Mbasi mori udhë botimi i revistës u përqendrova në shkrimet e mija e më dolën shumë variante e detyra: Së pari duhej shkruar për atë kohë dhe për atë pjesë të historisë shqiptare që ishte mbuluar me harresën deformuar e sakatuar, duke qenë vetë dëshmitar i shumë fakteve, nëpërmjet prindit tim, gjeneral Prenk Pervizi, një figure prestigjioze ushtarake që kishte përcjellë gjithë historinë e re shqiptare, nga 1918 deri kur vdiq më 1977 në Belgjikë, ku kishte gjetë strehim politik, si rrjedhim duhej shkruar edhe biografia e tij e plotë. Duhej shkruar për dënimet, burgje e kampet, për kujtimet e mija, për vllaznit e familjen në tërësi, por ja që liria të jep shumë mundësi dhe të hap të gjitha dritaret e dyert e mundshme të bibliotekave e të arshivave. I dhanun edhe pas historisë, e pas figurës kombëtare të Gjergj Kastriot Skanderbeut, përkrah të cilit kishin luftuar të parët e mij, ja që më bie në dorë vepra origjinale e Dhimitër Frangut, këshilltarit e shoqëruesit të Skanderbeut, që i kishte ndenjur pranë gjithë kohën e luftërave dhe të veprimtarisë së Princit të madh krutan. Menjëherë e përktheva dhe e botova në Shqipëri, si një dokument faktik i jetës dhe veprave të Skanderbeut, për të hedhë poshtë gjithë trillimet dhe hamendjet për të, që filluan të përhapin paturpërisht disa individë pseudohistorianë, fatkeqësisht shqiptarë, sepse të huajt edhe mund ta bënin atë punë, por për çudi nuk e kanë bërë e në të kundërtën i kanë thurur lavde. Akademia dhe Instituti i Historisë me historianët e njihnin veprën e Frangut, por nuk i kishin dhënë rëndësi duke ngritur në qiell si 'bibël’ veprën e Barletit. Ndërsa Barleti vet e kishte marrë (vjedhur) veprën latinisht të Frangut, duke ndërtuar veprën e tij mbi të, e duke i shtue rrëfime absurde e fantastike dhe fjalime të pavend të Skanderbeut.


Për këtë përkthim pata një vlerësim dhe Unioni Kombëtar i Artistëve më dekoroi me një çmim. Historianët dhe akademikët mbetën gojë mbyllur, sepse kishin shkelur të drejtën ekskluzive të At Dhimitër Frangut, si shkrimtari i parë që shkruejti veprën e parë, jetën e veprat e Skanderbeut, që më vonë kur u përkthye italisht, njohu botime të shumta, 17 vetëm në Venecia, si dhe të tjera në vende të ndryshme evropiane. Kjo nuk i heq asgjë veprës së Barletit, por është mirë që haka të vejë tek i zoti.


Përkthimi u realizua nga italishtja e vjetër, ku isha mjaft i thelluar duke pas lexuar pothuejse të gjithë librat e asaj kohe, nga Dante e më vonë. Kështu më doli prapë punë me përkthye një autor e historian italian të Rilindjes, 1531, që dhe ky kishte përvetësuar librin latinisht të Frangut dhe e kishte përkthyer e botuar si të vetin. Ky ishte Paolo Jovio, peshkop i Noçeres dhe koleksionist i madh veprash artistike, portretet e njerëzve të shquar, ku figuronte dhe portreti i Skanderbeut, që quhet më i sakti dhe që është ai që ruhet në "Galeria degli Uffizi” në Firenze.


Kjo valë përkthimesh më shtyu të përkthej nga frëngjishtja një libër mbi pellazgët e pasardhësit e tyre, qe simbas autorit, Eduard Shnaider, ishin shqiptarët. Libri ishte botuar në Paris më 1894. Duke qenë se e ndjek fillin historik të prejardhjes së shqiptarëve nga pellazgët, e përktheva dhe është gati për botim, vitin e ardhshëm. Edhe libri i Paolo Jovios është për t'u botuar. Gjithashtu për botim kam një libër mbi babanë tim sipas relacioneve të tija origjinale për luftën e Abisinisë 1935-36, ku ai përfaqësonte Shqipërinë në Komisionin e Vëzhguesve Ndërkombëtarë dhe manovrat e Mëdha. Kam dhe librin "Lahutari Shqiptar", një përmbledhje kangësh rapsodike popullore të krijuara nga të burgosur e të internuar nën diktaturën. Një libër me rëndësi unike, sepse aty shprehet fjala e mendimi i popullit. Një tjetër vepër origjinale imja për botim, është një libër mbi historinë e shqiptarëve, nga origjina deri më sot, sipas një teorie të re. Këtë libër e kam çuar për botim frëngjisht në Paris, sepse atë e kam shkruar fillimisht frëngjisht, duke parë se historia e Shqipërisë nuk njihet fare në vendet e huaja, me titull "Albanie, pays à connaître" (Shqipëria, vend për t'u njohur). Kam në shkrim e sipër, një përmbledhje poezish të krijuara në kushtet e reja të lirisë, si dhe të tjera lidhur me familjen, si një poemë familjare në tingëllimë njëmbëdhjetë rrokëshe. Monografitë e vllazënve të mij, Valentin e Genci, të dy të vdekur, njeni, Genci, në kampin e Gradishtës, pas 42 vjet burgje e kampe, e tjetri, Valentini, që pas 47 vjet burgjesh e kampesh, u bashkua në Itali me te shoqen italiane, e ku vdiq me 1999 në Bologna.







Ju keni qenë një jetë të tërë burgjeve, internimeve, çfarë tmerresh do të kujtonit më së shumti për atë kohe?





Kjo pyetje e ka përgjigjen direkte. Tmerri që nuk mund të hiqet nga kujtimi është terrori që u ushtrua mbi intelektualët shqiptarë që u zhdukën nëpërmjet pushkatimeve me e pa gjyqe, dhe u burgosën masivisht duke iu nënshtrue punës së detyrueshme shumë të rëndë, sa që ato kampe pune u quejtën kampe shfarosjeje. Tmerri i kampit të Tepelenës që u be sinonim i terrorit qe ushtrohej mbi qenie njerëzore krejtësisht të pafajshme, si pleq e plaka, nëna e fëmijë, burra e gra, familje të tëra, nga të gjitha anët e Shqipërisë, pa dallim.


Por tmerri më i rëndë është ai personal, ku të dashurit tanë vdiqën në ato kushte mizore: gjyshja, quhej nënë vogla, që vdiq në kampin e Tepelenës 90 vjeçe. A ka më akuzë të rëndë për kriminelët? Sa pleq të tjerë si ajo humbën jetën, e varret nuk u gjenden? Mama, edhe ajo e internuar me 1945 njohu vetëm kampe internimi nga Berati, ne Tepelene, Porto Palermo, Gradishtë e Plug të Lushnjës, ku vdiq më 1977 në moshën 77 vjeçe pas 32 vjet internim. Vëllai Genci, i cili vdiq në Gradishtë të Lushnjës më 1989, pas 42 vjet burg - internim. Me vdekjen e pjesëtarëve të familjes dhe të kushërinjve në Tepelenë, me të vrare e të pushkatuar, e të vdekur në burgje e kampe, familja jonë e pagoi me 16 viktima: 12 burra, dy gra e dy fëmijë, varri i të cilëve, përveç të mamës e të Gencit, nuk dihen ku janë. Këtyre, t’u shtohet eliminimi i njerëzve, besnikëve e miqve tanë. Janë me dhjetëra që u pushkatuan. Ndër ta shume intelektualë, të cilët u zhdukën pa lënë gjurmë, ku disa prej atyre figurave të shquara vinin në shtëpinë tonë: si gjeneralët Aqif Përmeti e Gustav Mirdashi, Patër Anton Harapi, Patër Lek Luli, Dom Shtjefën Kurti, Cen Elez Ndreu, Patër Klement Miraj, Mark e Llesh Gjomarakaj, Dom Ndue (Anton) Zogaj, të gjithë të pushkatuar.







Si e pritët vdekjen e Enver Hoxhës, dhe ku ishit në atë kohë?





Ishte një lajm i papritur që sillte një lehtësim shpirtëror. Diktatori i hiqej qafet shqiptarëve, mbi të cilët kishte ushtruar terror të paparë gjatë 40 vjetëve. Ngjallej shpresa e një ndryshimi që ta çonte Shqipërinë në drejtimin e saj të natyrshëm, drejt Evropës. Një e keqe e madhe i hiqej Shqipërisë. Njerëzit nuk e përmbanin në vetvete atë ndjenjë lehtësuese që ishte një shpresë e gëzim për një shpëtimi t'ardhshëm. Të gjithë, dhe vetë komunistët, paçka se derdhnin lot krokodili, edhe ata e ndjenin shpëtimin nga hija e tij e rëndë që peshonte si shpata e Demokleut edhe mbi ta, e që kishte qërue hesapet edhe me shumë prej tyre.


Unë gjendesha në shtëpi me gjithë gruen e djalin e vogël, 9 vjeç. Lajmin e morëm nga radio. Nuk lëvizëm fare nga shtëpia. Por pak më përpara kisha një punë te zyrat e sektorit, dhe vërejta që ato të zyrave më shikonin sikur nuk më kishin njohur kurrë. Ato e paskëshin ditë dhe kërkonin të kuptonin në se unë dija gjë, e në qofte se dija, çfarë shprehje kisha të gëzuar apo... hiq gjë. Ec e merre vesh se ku iu shkonte mendja!


Të nesërmen në mëngjes herët, unë kisha dalë para zyrave ku më bëhej apeli. Isha i vetmi që bëja apel dy tri herë në ditë aty në Plug. Bënte ftohtë dhe kisha veshë pallton. Prit e prit, kryetari i Këshillit nuk po dukej. Kur dëgjoj një zë, ai kishte dalë në dritaren e pallatit kundruell ku banonte e ma bënte me dorë që të shkoja.


Të nesërmen në brigadat mbajtën mbledhje ku u tha se Lek Pervizi, ndërsa bëhej ceremonia mortore, shëtiste si kapadai, poshtë e lart sektorit nga gëzimi. Ndërsa për gruan time kishin folë se ajo ia kishte marrë këngës duke kënduar arie operash në fushë. Çështja ime u mbyll, sepse ishte kryetari i këshillit që e dinte se unë isha duke pritë apelin pa luajtur vendit. Kurse për gruan u bë problem. Erdhi operativi, i cili thirri ato vajzat që kishin nxjerrë llafin e këngëve e që punonin në një brigadë me gruan time, për të bërë një proces verbal për incidentin. Me atë proces verbal gruaja mund të arrestohej e dënohej. Operativi u kërkoi vajzave të tregonin të vërtetën sepse përndryshe e çonin shoqen e tyre në burg. Ishte sekretarja e partisë së sektorit që e kishte kurdisë atë punë. Kur operativi i pyeti vajzat, se a kishte kënduar Beba atë ditë në fushë, ato i thanë se Beba këndonte gjithmonë në fushë, e atë ditë ajo nuk kishte qenë në punë. Doli problemi pse nuk kishte shkue në punë. Shyqyr që brigadieri pohoi se e kishte lënë gruen pushim dy ditë sepse ajo kishte punuar dy të djela. Edhe ajo çështje u mbyll e lindi tjetra. Doli problemi i djalit tim 9 vjeç, që i paskësh thënë një shoku të tij 5 vjeç, kur po luenin, se aty po më rreh mua se ka vdekë Enveri. U mblodh shkolla. Erdhën operativi e sekretarja e partisë e cila e mbante në prehër fëmijën 5 vjeçe, duke i kërkuar të thoshte se ç'kishte thënë Aureli, djali im. Aureli përgjigjej që nuk kishte thënë asgjë. Një komedi e sajuar nga sekretarja, për të goditur mua e familjen. Të nesërmen kur Aureli shkoi në shkollë, e sulmojnë fëmijët e tjerë dhe e rrahin, e njeri e kërcënon me një kaçavidë që të pranonte se kishte thënë: “aty po më rreh mua se ka vdekur Enveri”. Në fushë qarkullonte fjala e partisë, se duhet të shikoni se kush janë armiqtë e popullit. Djali i Lek Pervizit, kështu ka thënë, e i ati Leka shëtit nëpër sektor si kapadai, ditën e varrimit, e shoqja këndon opera në fushë, për të shprehur gëzimin për vdekjen e udhëheqësit tonë të ndritur etj, etj. Në fakt vdekja e diktatorit ishte një shpëtim për të gjithë. Për ata që kanë ndjekur televizionin shqiptar, sa ishte gjallë Enveri, kohët e fundit, gjithë anëtarët e Byrosë politike ishin tharë e bërë si ceraga të tymosura e nuk u qeshte fytyra. Ata e ndienin shpatën që u rrinte e varur mbi kokë. Pas një muaji nga vdekja e diktatorit, ata e kishin marrë veten. Dukeshin të ripërtërirë e të shëndoshur e gjithë shend e verë, sikur kishin shpëtuar nga një rrezik i madh. Kur ata? Po populli? Edhe populli, po e ndiente afrimin e paevitueshëm të ndryshimit për më mirë, që ishte shembja e diktaturës.







Ç’ndjeu Lek Pervizi kur u rrëzua busti i Enverit dhe a kishit shpresë se po vinte demokracia e vërtetë?





Isha në Bruksel në shtëpi duke ndjekur lajmet televizive, ku pa pritur doli pamja e shembjes së monumentit të diktatorit me turmën e madhe të popullit në eufori festive. Diktatura komuniste kishte marrë fund. Ishte një ndjenjë gëzimi që na pushtoi, e gjithë familja, gruaja dhe tre djemtë u grumbulluan aty për të parë atë ngjarje të madhe historike, që u shfaq gjithë atë ditë dhe ditë të tjera. Populli shqiptar po i jepte fund me guxim, njëherë e përgjithmonë, sistemit të urryer komunist, ku me shembjen e statujës së Enver Hoxhës mbyllej epoka më e errët e më e përgjakur e historisë sonë. Patjetër se ajo ngjarje hapte rrugën e Shqipërisë, drejt lirisë e demokracisë. Shqiptarët duhej të kuptonin e të kuptojnë se vendi ndodhej si para një tërmeti shkatërrues, ku paraqitej nevoja që të rindërtohej bashkarisht. Pra duhej punë e mirëkuptim nga një anë, por duhej edhe vendosmëri nga ana tjetër, ku ata që kanë qenë shkaktarë krimesh e persekutimesh, të largohen në shtëpitë e tyre e të gëzojnë atë pension që u jepet. Të lozin domino e të shëtisin ku ta kenë qejfin, por të mos fusin përsëri turinjtë aty ku nuk duhet e ku nuk kanë të drejtë të përzihen. Pas shembjes së bustit, patjetër lindën shpresat për vendosjen e demokracisë edhe në Shqipëri. Sipas meje, pavarësisht nga disa probleme të brendshme, Shqipëria do ta gjejë vendin e vet kur të hyjë në Evropë, atëherë është më se e sigurt se demokracia do të vendoset e të lulëzojë në Shqipëri si në vendet e tjera evropiane.







Si u njohët me bashkëshorten tuaj, të quajtur ndryshe Bebe, si ishte martesa juaj, çastet romantike në internim, dhe mund të më flisni dhe për fëmijët tuaj?





Edhe çastet romantike nuk kanë munguar në atë errësirë skëterrë, si rreze dielli mes stuhisë. Kështu e mendoj unë njohjen e martesën me shoqen time të jetës. Ajo quhej Xhuliana Malaj, e bija e Nikoll Malajt, i cili ishte arratisur në korrik 1948, kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë. Xhuliana katër muajshe, me t'amën Zorka, me origjinë malazeze, u internuan menjëherë dhe i degdisën në Berat në korrik 1948, dhe pastaj në Tepelenë, ku ajo u rrit e u bë gjashtë vjeçe e aty fitoi emrin "Beba", sepse ishte një nga fëmijët e paktë, dhe më i vogli, që i shpëtoi vdekjes masive të fëmijëve.


Kështu Beba erdhi në Plug të Lushnjës ku u rrit e u bë një vajzë e bukur që tërhiqte vëmendjen e të rinjve që i vinin rrotull, por më kot. Ajo i kishte bërë planet e veta dhe e kishte fiksuar mendjen aty ku nuk i shkonte mendja askujt, aq ma pak të interesuarit, që e shoqëronte dhe e respektonte me sinqeritet e me shpirt kalorësiak si një vajzë e kampit. Kjo kishte në një farë mënyre një ngjasim me filmin me Zhan Marene, i cili rriti vajzën që ia kishte lënë amanet i jati i vrarë, dhe më në fund kur vajza u rrit u dashurua dhe u martua me të. Kjo pak a shumë është historia sentimentale që na bashkoi neve, që prej 43 vjetësh, me tre djem. Në Tepelenë, ku kisha nanën time, e ama e Bebes, që shkonte në punë, ia linte vajzën asaj dhe mua, që asokohe isha i sëmurë rëndë e nuk më nxirrnin në punë. Kështu që Beba u rrit pothuajse me ne. Dhe erdhën ditët e mëvonshme, kur ajo u rrit dhe zgjodhi të bashkohet me mua, bile të rrijë, sepse s'amës i doli leja me u kthye të prindët në Mal të Zi, me tre kalamajtë e tjerë të mitur. Bebes i kërkuan që të plotësonte një formular ku ajo pranonte me shkue me t'amën e vllaznit. Ajo e mori formularin dhe e grisi para syve të çuditun të oficerit të degës që ia kishte dhënë: “E kam zgjedhur fatin tim, do të rri me Lekën”. Operativi kishte tundur kokën si me thënë, a e di se me kë je bashkuar? Me të birin e Gjeneralit. E armikut nr.1 të popullit. Zi e më zi ka me të shkue jeta.


E kështu ndejti me mua për të shijuar jetën e internimit e të punës në fushat e parcelat e bujqësisë nga mëngjesi deri në darkë, pa pushuar një ditë. Ishte fati ynë që u shemb diktatura e dolëm në Belgjikë, për të harruar atë të kaluar të kobshme dhe shijuar pakëz jetë të lirë nga koha që na ka mbetur për të jetuar.







U preka shumë që ju midis personaliteteve që keni pasur kontakt direkt, përmendni dhe intelektualin erudit prej Prizreni, z.Lazër Radi, me të cilin kam pasur një miqësi familjare disavjeçare, deri sa na ndau viti i mbrapshtë i 97-ës. Ç'mund të kujtoni nga bisedat intelektuale me të, dhe si ndihej ai për Kosovën, por që ishte burgosur dhe internuar tërë jetën në tokën amë?





Emnin dhe shkrimet e jueja znj.Zylo i kam ndjekur, e më vjen mirë që i përkisni asaj shtrese intelektualësh që e kanë të qartë se diktatura komuniste e katandisi Shqipërinë si një vathë bagëtish, ku kasapi zgjedh berret që do të theri. Ndryshe nuk mund të mendohet ajo e kaluar që bani kërdinë kryesisht mbi shtresën intelektuale të formuar në shkollat më të mira të Evropës.


Me Lazër Radin jam njohur për pamje në Savër më 1954. Kam kaluar 20 vjet me të në kondita të ndryshme. Së pari na mbyllën në kampin e Shtyllazit e të Radostinës (Fier) me nja 90 të internuar të tjerë ngjitur me kampin e të burgosurve, që hapnin një kanal vaditës, ku na kishin futur dhe neve për të punuar. Pastaj na hoqën e na çuen në Kuç të Kurveleshit ku ndejtëm të izoluar tre vjet, 1955-1958. Këtu u njohëm më mirë dhe zumë miqësi, ai kishte njohur edhe babanë tim dhe kështu miqësia u forcua.


Siç e kam thënë, aty në Kuç ishte mbledhë ajka e intelektualëve që i kishin shpëtuar pushkatimit, por jo burgjeve e internimeve. Lazri ishte një intelektual i mirë dhe shumë i përgatitur, nga ana kulturore vlerësohej nga të gjithë. Bisedat tona, në atë mjedis i përkisnin më tepër letërsisë, sepse kishim disa profesorë dhe shkrimtarë që ngjallnin këto biseda. Nga Kuçi na çuen në Lushnje, e këtu na caktuan me punue si marangoza dhe si dizenjatora për fermën “29 Nëntori”. Nga viti 1958 e deri 1978, plot njëzet vjet punova me Lazrin, dhe veçanërisht në punë si disenjatorë e piktorë, kishim kohë me u prrallisë e bisedat tona gjthmonë rrihnin mbi kulturën, letërsinë, poezinë, librat, të ardhmen etj. Kur të shkojmë në Itali e gjetkë, më thoshte Lazri ndër të tjera, ti do të merresh me pikturë, dhe unë do të bëhem menaxheri yt, sepse ti si piktor nuk merresh dot me punën e organizimit të ekspozitave e të porosive që mund të vijnë. Lazri më konsideronte si një piktor të madh, të cilit ia kishte pre riskun diktatura, por do të vinte ajo kohë që të fitonim lirinë dhe talenti im do të afirmohej. Kjo ndër të tjera një lloj bisede. Flisnim dhe për shkrime. Ai diçka merrej me shkrime, por më shumë kujdes, pa ra në sy. Me mua bisedonte çdo gjë, edhe nga ato bisedat më komprometuese e të rrezikshme. Por gjithçka mbetej brenda nesh. Edhe për perspektivën e botimit të një reviste kulturore flisnim, se si mund të botohej jashtë shtetit, si Konica. Pra ishin biseda frymëzuese për t'ardhmen, në kuptimin se edhe në konditat pa rrugëdalje, na mbante shpresa e shpëtimit.


Për Kosovën ai kishte nostalgji të madhe. Emocionohej kur kujtonte fëmininë.


Familje jo e pasur. Mbante mend e dëshpërohej për keqtrajtimin nga ana e serbëve, që donin me kolonizue vendin dhe i detyruen me e braktis Kosovën e me kërkue shpëtim në Shqipëri. Kur erdhën në Shqipëri në kohën e Zogut, patën vështirësi. Ai e ndoqi dhe e mbaroi shkollën në Shkodër, me bursë shteti. Por u dallua shumë në mësime e doli shkëlqyeshëm në maturë. Fitoi bursën për në Itali, ku zgjodhi drejtësinë, dhe në mbrojtjen e diplomës, mori komentin dhe analizën e Kanunit të Lek Dukagjinit, duke befasuar komisionin dhe duke u diplomuar me notat më të larta 30 me lode. U mor me gazetari e artikuj të ndryshëm edhe me temë letrare, si poezi e të tjera shkrime. Nga ana politike, ai kishte besim se Kosova do ta fitojë Pavarësinë dhe se nuk do të shkojë vonë e do të bashkohej me Shqipërinë në një shtet të vetëm. Për atë ishte një arritje e pashmangshme, sepse kohët kishin ndryshuar dhe forca e Serbisë sa vinte dobësohej. Serbia do të dorëzohej pa shpresë ndaj fitimit të pavarësisë së Kosovës, dhe të bashkimit të saj me shtetin amë. Kur u shemb diktatura desh me shkrue çka kishte blue në mendje gjithë kohën e dënimeve, dhe botoi disa libra, sa me ndie kënaqësinë intelektuale për të cilën ishte i prirun. Por ishte tepër vonë. Mosha dhe vuajtjet e pësuara, ia prenë edhe atë pak jetë që i kishte mbetur. Me '97 m’i dërgoi me një mik, të gjithë librat e tij me këto fjalë: “Po t’i çoj t’i ruejsh, se po kthehet prapë komunizmi, nabarë të shpëtojnë këto pak vepra sa mos me mu harrue emni”. Ai kishte besim te madh tek unë. Por edhe unë nuk mund të bëja mrekullira, pavarësisht se e kisha natyrën e tillë, të organizimit e të vendosmërisë si dhe të kapacitetit krijues. Por si thonë, trimi i mirë me shokë shumë, ndërsa kisha mbetur vetëm dhe në dhe të huaj. Ato shokë nuk ishin më, mua nuk më mbetej veçse me përcjell amanetin e tyre për të mos mbetur të harruar.





Nëntor, 2008


New York