patosMinistria e Energjisë dhe Industrisë informon se që prej ditës së nesërme do të nisë puna në terren për të kryer montimin e dy stacioneve sizmike të cilat do të shërbejnë për monitorimin sizmologjik të aktivitetit në vendburimin e naftës në zonën e Patos Marinzës.


Përfaqësues të Ministrisë, të Albpetrolit, të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe të Institutit të Gjeoshkencës do të jenë në zonën e Patos Marinzës për të kryer veprimet e para të përcaktimit të zonës ku do të montohen dy stacionet të cilat tanimë kanë mbërritur dhe janë gati për tu vënë në punë.


Sipas ministrisë, fillimisht do të nisë monitorimi i lëkundjeve përmes këtyre dy stacioneve dhe më pas do të vendoset edhe një i tretë fiks dhe dy të tjerë të lëvizshëm. Sëbashku, këto pesë stacione do të mund të shërbejnë për të nxjerrë konkluzionin për shkaqet e lëkundjeve dhe nëse ato kanë apo jo lidhje me aktivitetin naftë nxjerrës të kompanisë Bankers Petroleum që operon në Patos Marinzë.


Ministria e Energjisë dhe Industrisë garanton se është e vendosur për të zbuluar sa më shpejt shkaqet e lëkundjeve dhe për ti dhënë përgjigje shqetësimit të banorëve të zonës.