Deputetja e Partisë Socialiste, Valetina Leskaj tha dje se Asambleja e kësaj partie do të mblidhet së shpejti, për të diskutuar mbi pjesëmarrjen në Parlament dhe qëndrimin e disa deputetëve që kanë kërkuar tërheqjen nga bojkoti. Në një intervistë ne emisionin “Puls” në Alsat, ajo tha se data e Asamblesë së radhës nuk është përcaktuar ende, por theksoi se ky forum do të mblidhet shumë shpejt. “Dje është thënë qartë, konkretisht se kjo është një asamble që i dedikohet kësaj çështjeje, çka do të thotë që në një kohë shumë të afërt, do të ketë një asamble tjetër, e cila ka të bëjë me të gjitha këto çështje. PS shpejt do të mbledhë forumet e saj, qoftë kryesinë, qoftë asamblenë për qëndrimet politike. Te PS nuk ndodh si te PD, që nuk kujtohet njeri nëse u bë mbledhja e PS pasi u bë kongresi, ku foli kryetari i partisë dhe kryetarja e parlamentit dhe askush tjetër nuk pipëtiu”, tha Leskaj. E pyetur mbi qëndrimin e grupit të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, që ka kërkuar futjen në Kuvend, për shkak se politika e bojkotit nuk hapi kutitë dhe nuk provokoi zgjedhje të parakohshme, deputetja e PS tha se një vendim do të merret nga Asambleja. Sipas saj, janë forumet ato që vendosin mbi qëndrimin ndaj këtyre deputetëve, nëse ata do të thyejnë bojkotin dhe do bëjnë betimin, pavarësisht vendimit politik të PS-së. “Përsa i përket çështjes së qëndrimit ndaj deputetëve, të cilët mund të shkojnë në Parlament jashtë vendimit të grupit, kjo është një çështje dhe një vendim që ka të bëjë me forumet. Në rastin konkret, kjo çështje ka të bëjë me grupin parlamentar dhe nuk ka të bëjë me mua apo kryetarin”, tha Leskaj. Ndërsa deputetja Arta Dade tha në një intervistë për radion “Evropa e Lirë”, se “Sigurisht se ishte një letër e pavend dhe zonja Topalli nuk mund t’i trajtojë deputetët se ne duhet të vemi në Parlament nga dashamirësia e zonjës Topalli, sepse mandatet nuk na i ka dhënë zonja Topalli, mandatet i kemi fituar, mandatet na i ka dhënë populli dhe për këtë arsye mandatet mund të na i heqë vetëm populli, apo institucionet që janë kushtetuese. Unë besoj se nuk është bërë asnjëherë fjalë dhe askujt nuk i ka shkuar në mend që ne të lëmë apo të refuzojmë mandatin. Për këtë arsye, madje na janë shkelur të drejta të tjera si deputetë, pavarësisht kemi bërë apo s’kemi bërë betimin”.