Prof. Dr.Agron F. Fico


Para disa javësh kam botuar një shkrim për domosdoshmërinë e reformimit të Akademisë së Shkencave, që të realizojë rolin e saj, rolin për të cilin është krijuar. Madje, kam nënvizuar se jemi kombi më i pasur me akademi dhe akademikë, që mund të na i kishte zili edhe kombi më i pasur dhe më i fuqishëm i planetit! Ky shqetësim qytetar për fatin e Akademisë së Shkencave është i drejtë, po të mbajmë parasysh se jemi i vetmi komb që kemi 5 akademi e gjysmë të shkencave: dy në Shqipëri, një në Kosovë, një në Hamburg, Gjermani (e quajtur “Akademia e Djathtë e Hamburgut”), një në Nju Jork dhe gjysmë në Maqedoni (anëtarët shqiptarë të Akademisë Maqedonase të Shkencave). Pra, gjithë këta akademikë do të duhej të kishin hartuar e prodhuar programe e vepra serioze shkencore që të lehtësonin procesin e përparimit të çështjes kombëtare dhe asaj të zhvillimit ekonomik, që shqiptarët të mos mbeteshin njerëzit më të varfër të Ballkanit. Duhet thënë se Akademia e Shkencave të Shqipërisë, pothuajse asnjëherë nuk ka qenë në rolin e vet, që të ndihmojë zgjidhjen e problemeve dhe sfidave madhore që ka pasur dhe ka vendi dhe kombi shqiptar. Shkatërrimi i lëndëve kimike të Sirisë është një aksion ndërkombëtar i përmasave të mëdha. Shqipëria do ta rriste dhe do ta forconte prestigjin po të kishte marrë pjesë aktive në këtë aksion, që forcon lirinë dhe demokracinë kudo në botë. Shkatërrimi i armëve kimike siriane në tokën shqiptare ishte një problem sa kompleks edhe i vështirë që përfshinte disa aspekte: politike, mjedisore, shëndetësore, financiare dhe mbi të gjitha kërkonte përkrahjen popullore. As dje dhe as sot nuk ka qenë dhe nuk është krejt e qartë se çfarë janë këto armë kimike (?), lëndë helmuese kimike (?), rreziqet e vërteta, ato mjedisore dhe pasojat shëndetësore etj.. Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhej të ishte ajo që të thoshte fjalën e parë dhe të fundit, ta thoshte fjalën shkencore dhe me profesionalizëm, për statusin që ka dhe anëtarët më të kualifikuar: mjekë të njohur, studiues të shkencave natyrore etj., të cilët duhet të kenë edhe integritetin e duhur qytetar. Por është për të ardhur keq që Akademia jonë e Shkencave nuk e mori këtë përgjegjësi, ajo zgjodhi heshtjen dimërore dhe u vu në pozitën e sehirxhiut! Fjala autoritare e Akademisë, si dje edhe sot, në një truall shoqëror ku çështja ende kuvendohet, do të shpërndante mjegullnajën që ende rri pezull. Miku im, doktor Adem Harxhi, dje shkruante: “Japonezët, pas dy bombave në Hiroshimë dhe Nagasaki, ndërtuan centralet atomike më të fuqishme në botë. A nuk e dinin ata se kanë rreziqe, siç ndodhi gjatë cunamit të fundit?” (“Dita”, 17 nëntor 2013, f. 9). Ama duhet thënë se në Japoni, Akademia është në krye të vendimeve programatike të vendit, madje kryetari i saj është një ndër pesë anëtarët e kabinetit perandorak. Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk e meriton qenien në këtë status papërgjegjshmërie. Kjo Akademi duhet të reformohet mbi parime morale dhe kritere bashkëkohore e kombëtare. Ajo që kemi parë dhe shohim në punët e saj është tepër egoiste. E kemi parë këtë Akademi të shqetësohet vetëm për rotacionin e drejtuesve të vet, edhe kjo sipas një rituali të vjetruar partiak. Anëtarët e Akademisë, kjo shtresë e privilegjuar e shoqërisë, janë paguar dhe paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Për pasojë duhet të sillen me një ndjenjë më të lartë përgjegjësie dhe të jenë më të përkushtuar për punën dhe misionin shkencor. Mendoj se ka pasur dhe ka edhe një sërë faktorësh jashtëshkencorë që kanë përcaktuar dhe përcaktojnë gjendjen e mpirë të punës akademike, qëndrimin e saj në hije, veçanërisht në Shqipëri. Ndryshimet historike, përmbysja e sistemit totalitar dhe zëvendësimi me një sistem pluralist dhe demokratik pritej të hapnin mundësitë dhe dyert e zhvillimit edhe për veprimtaritë shkencore dhe ato akademike. Por kjo dukuri nuk ndodhi. Ashtu siç ngjau me përbërjen e akademisë së parë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, krijuar më 10 tetor 1972, në të cilën u përfshinë edhe ish-komisarë mediokër, po ashtu po ndodh edhe sot me Akademinë e tanishme, ku krahas specialistëve janë përfshirë edhe ish-ministra, anëtarë të forumeve të PPSH-së, si dhe nga radhët e militantëve të Partisë Demokratike. Kjo përbërje heterogjene dhe bashkëjetesë filozofike eklektike ka përcaktuar edhe atë letargji dhe mënyrë burokratike të funksionimit të vetë Akademisë së Shkencave, pra ka bërë të kemi një “Akademi të Shkencave pa shkencë”, gjë që e ka vënë në dukje edhe masmedia. Akademia e Shkencave të Shqipërisë pothuajse nuk iu është përgjigjur në shkallën e duhur sfidave të mëdha të kohës dhe të kombit. Aksionet e saj shkencore janë paralizuar nga ndërhyrjet politike. Mjaftojnë pak shembuj: fati i gjuhës shqipe është reduktuar në çështjen e përdorimit të “ë”-së dhe drejtshkrimit të disa fjalëve. Janë përpjekur dhe përpiqen të ndryshojnë vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit për gjuhën e njësuar shqipe me anë të ca sloganeve bajate politike. Historia e Shqipërisë, sfida për rishikim kapitujsh, për vlerësim të figurave të harruara ose të keqtrajtuara është kthyer në një “grindje politike”. Edhe një botim i Akademisë së Shkencave, si “Fjalori enciklopedik”, nuk i shpëtoi njëanshmërisë, duke lënë jashtë figura të njohura dhe duke futur njerëz pa ndonjë vlerë, pra nuk iu shmang dot kritereve kaotike. Vetë Akademia Shqiptare e Shkencave do të kishte dobi po të arrinte të kapërcente frikën e “njollosjes” nga mendimet dhe debatet që bëhen për të, qofshin këto edhe kritike e ndonjëherë të skajshme. Kjo shprehje e hapur përbën edhe nenin e parë të mendimit të lirë në demokraci. Ndofta variant më i përshtatshëm për kushtet e vendit tonë do të ishte jo krijimi i një institucioni gjithëpërfshirës, por i atij specifik, të veçantë, pra i një Akademie të Shkencave Albanologjike, që të përfshinte fushat: gjuhë shqipe, histori shqiptare, letërsi, kulturë popullore, arkeologji, monumente të kulturës. Ndërsa degë të tjera të shkencave të përfshihen në njësitë mësimore universitare ose edhe në ndonjë institut të veçantë. Tashmë, kur Kryeministri Edi Rama njoftoi në fjalimin e fundit se Shqipëria nuk do të përfshihet në aksionin për shkatërrimin e lëndëve helmuese luftarake të Asadit, padyshim qytetarët e gjithë hapësirës shqiptare kanë të drejtë të pyesin: Po Akademia e Shkencave të Shqipërisë ku ishte?