Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami urimi ka përshëndetur vendimin e presidentit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Barack Obama, për të nominuar senatorin John Kerry, për sekretar të Shtetit të SHBA-ve.
“Bazuar në vlerat që i bashkojnë dy vendet tona dhe angazhimin tonë të përbashkët për paqe, liri dhe siguri, Republika e Kosovës i gëzohet nominimit Tuaj për pozitën e sekretarit të Shtetit të SHBA-ve”, thuhet në letër, njofton ministria e punëve të Jashtme
Ai ka shtuar se senatori Kerry është një personalitet me eksperiencë të gjatë dhe një përkrahës i aspiratave dhe përpjekjeve të popullit të Republikës së Kosovës.
Hoxhaj, ka shprehur mirënjohje për kontributin dhe përkrahjen e madhe që senatori Kerry ka dhënë për Kosovën në proceset e deritashme.
Në letër po ashtu thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë nderin dhe kënaqësinë që të punojë me senatorin Kerry për avancimin e paqes, sigurisë, stabilitetit si dhe proceseve integruese euroatlantike.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për konsolidimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve speciale, të partneritetit strategjik dhe të miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar Hoxhaj në letër./Indeksonline/