Ylber LILI 

Profesor Vinca, në pamu-ndësi për të kontaktuar drejtpërdrejt, po rrekem të gjej një formë komunikimi përtej qasjes hidh e prit. Ana përmbajtësore e kësaj forme komunikimi, natyrisht e pazakontë ka dy anë medalje. Së pari, e ndiej obligim shoqëror dhe kolegjial të sjell në vëmendjen tuaj disa detaje marrëzie që kanë ndodhur në ambientin e dijes së shqiptarëve të Maqedonisë, USHT.  Natyrisht se ju e dini së çfarë  ka ndodhur, këtë e dëshmuat me reagimin tuaj të qartë dhe pa ekuivokë. Sidoqoftë po e vazhdoj komunikimin përmes detajeve, të cilat, siç thoshte i madhi Heminguej - të çojnë tek imazhi. Gjykoj se bashkoheni me mendimin tim se çdo minutë, orë, ditë, javë, muaj, vit apo datë karakterizohet nga detaje të llojllojshme.  
Më 2 korrik, ekzaktësisht ditën e enjte, këtu në Maqedoni pati tre momente kulmore. Janë raste tepër të rralla, ku brenda një dite kryqëzohen disa detaje. Njëri prej tyre të krijon ndjesi për adaptimin e formës më të përkryer për liri (përurimi i ambienteve të reja të ambasadën e SHBA-ve). Problemi i dytë të prek thellë në shpirt, humbja e papritur e një kolegu, prindi dhe qytetari (vdekja e parakohshme e profesorit Iljas Useini), ishte e dhimbshme. Ndërkaq detaji i tretë është tmerrësisht trishtues, një akt, uzurpues, pushtues, i paprecedentë, i pashembullt ndaj tempullit të dijes (uzurpimi i USHT-së).  
Profesor, më lejoni pak të sqaroj lexuesit se cili është emëruesi i përbashkët i detajeve që i radhita me dy rreshta. Uzurpimi i USHT-së në thelb nuk mbetet thjesht dhe vetëm një veprim antikushtetues, antidemokratik, arbitrar që cenon katërcipërisht autonominë e universitetit, por në kujtesën e pjesës së shëndoshë të shoqërisë, ekzekutimi i skenarit për uzurpimin e USHT-së mbetet antinjerëzor dhe antihuman. Sërish i kthehemi detajeve... Ato nuk harrohen!. Janë detaje të pakrahasueshme me asnjë ndodhi apo ngjarje të mëparshme, madje as me momente tepër delikate gjatë konfliktit që jeta kalonte nëpër fijen e perit. E marta e 2 korrikut 2009, është fiksuar aq fort saqë nuk harrohet asnjë grimë detaji. 
Me një letër në dorë e shkarravitur nga ministri tashmë i dorëhequr i Arsimit të Maqedonisë, një mësues i arsimit të mesëm i shoqëruar me eskortë policie dhe lumë kasnecësh, në ditën me diell hyri dhunshëm duke pushtuar Universitetin Shtetëror të Tetovës. Ata nuk pyetën Kushtetutën, ligjet, as autonominë universitare etj. Kaubojt e lagjeve kishin vënë para një mësues, i cili u kërrus në karrigen e akademikut.
Senati u suspendua, dekanët u zëvendësuan me rishtakë universitare, por me tituj militantë partiake. Panorama e shkëlqyer e universitetit të shqiptarëve u rrëzua përtokë dhe u bë copë e çikë. Gjithë investimi akademik u rrënua sa hap e mbyll sytë. Vëzhguesit e OSBE-së vazhdojnë të mbajnë shënime dhe tundin kokën për këtë katrahurë, ekspertë nga vende të botës perëndimore që kanë asistuar për disa vite në këtë universitet vetëm sa nuk klithin - ç’është kjo gjëmë. Ndërkaq, pjesa dërmuese e mediave e relativizojnë këtë atak të pashembullt. Agonia vazhdon, frikërat kanë pushtuar arsyen. Ndërkaq, qeveria hesht, Ministria e Arsimit nuk jep asnjë koment, orkestruesit, dirigjuesit dhe ekzekutuesit e kësaj çmendurie janë fshehur pas gishtit të pushtetit të dhunshëm.
Z. Vinca, nuk kam fare dilema se jemi në të njëjtën gjatësi vale. Uzurpimi i USHT-së nuk ndodhi tak-fak, këtë e dini më mirë sesa unë. Bëhet fjalë për një skenar të paramenduar me arkitekt kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski, i cili dëshmoi edhe njëherë se ka alergji ndaj institucioneve shqiptare. Ai vazhdon të ushtrojë pushtet ndaj shqiptarëve me logjikën e sulltanit, kundërvënie e shqiptarit ndaj shqiptarit, ai ushtron pushtet sipas metodës përça, sundo dhe rrëno. Për realizimin e skenarit pervers u shfrytëzuar tri momente kryesore:
-përurimi i ambasadës se re të SHBA-ve (larg syve të trupit diplomatik të akredituar në Shkup);
-pjesëmarrja e Rektorit legjitim prof.dr Agim Vela dhe bashkëpunëtorëve të tij në ceremoninë e varrimit të kolegut të ndjerë Useini;
-telashet e politikës dhe të mediave në Shqipëri me zgjedhjet.
Duhet theksuar se për të realizuar këtë skenar, Gruevski ka gjetur gatishmërinë e plotë të partnerit të tij Ahmeti. Në këtë kuptim, Universiteti Shtetëror i Tetovës është viktimë e antishqiptarizmit të politikës maqedonase dhe nga ana tjetër e logjikës primitiviste e militariste të partisë shqiptare në pushtet (BDI), e cila ka kohë që i shqyen sytë për të kollofitur USHT-në. Profesor, sërish po ndjek udhën e detajeve. Për koincidencë, ditën e pushtimit të USHT-së, prisja kolegët nga Tirana, të cilët kishin provim me studentët e gazetarisë dhe të masterit. Për hir të së vërtetës, ndieja përgjegjësi dhe më shkonte mendja ta anuloja provimin. Kolegët Marku, Tufa dhe Shehri sapo u informuan me situatën nuk e besonin këtë realitet të përçudnuar. Sipas tyre, as në imagjinatë nuk mund të ndërtohen të tillë skenarë.
Të nesërmen, takohem me kolegët në hotel “Liraku”, duke rrufitur kafenë e mëngjesit, karshi nesh u shfaq Rektori legjitim i Universitetit Shtetëror të Tetovës, z. Agim Vela, i cili mban mbi shpatulla mbi 35 vite si profesor dhe drejtues departamentesh në Universitetin e Prishtinës. Një intelektual i formuar dhe një profesor me tituj të shumtë shkencorë dhe akademikë. Bashkë me kolegun Marku, pasi e përshëndetëm u ulëm në tavolinën e tij. “Kjo situatë më kujton vitin 1990, ku aparati represiv i Millosheviçit më largoi me forcë nga Universiteti i Prishtinës”, u shpreh profesor Vela. Ndahemi me rektorin dhe nisemi për të universitet, situata atje ishte dramatike. Në rrugën kryesore dalloheshin makinat e policisë, tek hyrja e rektoratit qëndronin grupe policësh të shpërndarë në çdo cep të territorit, në korridore shihje fytyrat e traumatizuara të studentëve...
Duke i kursyer detajet e tjera që janë me bollëk për një rast tjetër, po kaloj tek anë tjetër e medaljes që e karakterizon këtë komunikim me ju. Të premten (10 korrik) ishit në Tetovë, bash në institucionin e dhunuar, nuk kam asnjë dilemë që keni plot për të rrëfyer në kuptimin sesi e gjetët atë ambient që deri dje pati standard dhe vlera. Nuk arritëm të takohemi për arsye objektive, megjithatë e kam për “borxh” t’i përgjigjem dilemës tuaj: përse unë nuk kam shkruar deri më tani?
Profesor, jam gatuar për të mos u viktimizuar kurrë edhe atëherë kur duhet ulëritur në kupë të qiellit. Për dijeninë tuaj, unë jam suspenduar sipas ligjit të pashkruar që përdorin gangsterët. Shporreni për 5 minuta, atë të shqiptnisë nga zyra. Ky është vendimi politik që u është komunikuar drejtuesve të jashtëligjshëm, natyrisht nuk është as i pari dhe as i fundit. Natyrisht që mua nuk më bën syri tërr, por le të mos e personalizojmë komunikimin.
Pra, mosreagimi im është i lidhur kryekëput me fiks-idetë e mia. Hezitoj ta paraqes shqiptarin që i vërsulet pamëshirshëm një bashkëkombësi të tij. Është çështje imazhi, profesor i dashur. Për të qenë korrekt nuk kam reaguar dhe shkruar edhe për diçka tjetër, dua të sfidoj gojëligët që thonë se paskam hallin tim. Por, këto janë anësore, mosreagimi im ka edhe qasje parimore. Kur preket indi i dijes, arsimit, shkencës, raca e intelektualëve duhet të ketë nerv, e cila reagon në kohën dhe momentin e duhur. A ka moment më emergjent që shoqëria civile, profesorë e pedagogë të ngrihen të gjithë për të mbrojtur vlerën nga antivlera, akademikun nga huliganët etj.?!
Shkurt e shqip, z. Vinca, nuk kam shkruar sepse këto ditë kam patur oreks të madh për të lexuar të tjerët, debatuar dhe reaguar. Jo vetëm që nuk jam ngopur profesor, por më griu uria. Ejani sërish në USHT. Si i thonë shih e shkruaj, për turpin tonë, aktualisht tempulli i dijes është në duart e të paudhëve. Gjeneratat do na mallkojnë...