Nga Kopi Kyçyku


Kopi KycykuKultura e këtij fillimshekulli dhe mijëvjetshi mbisundohet nga fryma integruese, nga prirja për ta këqyrur individualen në kontekst universal. Që nga vështirësia për ti kuptuar dukuritë e fizikës ultramoderne, deri në shprehjen, – e vjetër sa bota vetë, – e ndjenjave delikate të shpirtit, të gjitha po rroken brenda strukturave të një sistemi. Çdo specializim po cilësohet si i ngushtë ngaqë personaliteti i njeriut synon të zhvillohet gjithanësisht, njohuritë dhe dijet duan të vlerësohen si ndër – e shumëdisiplinore.


Por, në rastin e letërsisë dhe historisë kemi të bëjmë me një përjashtim. Marrëdhënia midis tyre ka pasur një ecuri të anasjelltë, që na kujton një peme gjenealogjike: një stërgjysh i përbashkët, nga i cli pasardhësit shkëputen dhe degëzohen. Pra, janë të vetëdijshëm për lidhjen e gjakut, farefisninë, por, me kalimin e kohës, marrëdhëniet e tyre ndryshojnë në varësi nga faktorët kompleksë  të mjedisit kulturor: nganjëherë bëhen të ngushta, herë të tjera të rezervuara, madje edhe armiqësore. Në zanafillë, letërsia dhe historia u ndërtretën në krijime me frymëmarrje të gjerë epike. Miti ka qenë matrica zanafillore e përbashkët për letërsinë dhe historinë.


Ajo që realizoi ndarjen e tyre të madhe ishte pikërisht mrekullia intelektuale greke. Në shekullin V para Krishtit, Herodoti dhe Tuqididi, – sidomos ky i fundit, – ishin historianët e parë, në veprat e të cilëve mori përparësi përpjekja për njohjen objektive të së kaluarës, për kuptimin dhe shpjegimin e zhvillimit të ngjarjeve historike. Ato që Tuqididi ve në gojën e personazheve historikë kanë si pikësynim zbërthimin e qartësimin e aksh situate, përvijimin e një temperamenti, e një karakteri, përmes logjikës, jo imagjinatës. Kjo metodë, gjithsesi, përftoi një ndërdepërtim midis letërsisë dhe historisë. Në shekullin IV para Krishtit në kulturën greke zuri vend qendror retorika, e cila u përsos si teknikë kompozimi letrar nga Izokrati, rivali i Platonit. Shumë shpejt retorika ia doli mbanë të ushtronte një ndikim të ndjeshëm, – disa e kanë cilësuar tiranik, – në produktet historike të Greqisë e më pas edhe të Romës. Dora dorës që këto dy kultura u zhvilluan, në gjurmët e njëra-tjetrës, dhe u stabilizuan në klasicizëm, historianët e panë veten të kapur në orbitat e letërsisë. Shqetësimi kryesor i tyre tanimë nuk ishte më përpjekja për të ndërtuar, – në bazë të dëshmive të shkruara, – një model njohjeje të besueshëm, të vërtetë, të së shkuarës, por formalizmi për të njohur se Si duhet shkruar historia (kështu titullohet edhe një studim i autorit të satirës Luçiani nga Samosata).

Me nuancime të diktuara prej ndryshimit të atmosferës kulturore falë kalimit nga antikja tek mesjetarja, letërsia dhe historia ruajtën marrëdhëniet e vendosura nga shkrimtarët klasikë deri në periudhën e Rilindjes. Rivlerësimi i idealit estetik të antikitetit rehabilitoi dhe konsolidoi gjininë e historisë së shkruar me elegancë, në pajtim me rregullat klasike të kompozicionit retorik dhe, në një shkallë apo në tjetrën, shpërfillëse ndaj objektivitetit të përmbajtjes. Por, duhet theksuar se pikërisht Rilindjes i takon merita e rifutjes së kufindarjes mes letërsisë dhe historisë. Duke minuar qëndrimin mendor dogmatik dhe duke bërë të lulëzonte fryma kritike sistematike, Rilindja e vendosi historinë mbi themele të vetat, mbi kërkimin e thellë e të gjithanshëm të të të dhënave që lidheshin me të kaluarën dhe pranimin e tyre vetëm e vetëm pas një verifikimi metodik, përmes sitës së vërtetësisë. Nga kjo e fundit zunë fill e u ngjizën disiplina të ndryshme, erudite, të cilat çuan në krijimin e një historiografie moderne, shkencore, që kulmoi në shekullin XIX. Racionalizmi dhe pozitivizmi patën impakt vendimtar mbi historiografinë dhe bënë të mundur saktësimin e dallimit midis historisë dhe letërsisë.


Vetëkuptohet se njeriu është i interesuar për historinë jo vetëm thjesht për kureshtje intelektuale, por edhe për ta shfrytëzuar si shtysë shpirtërore. Historia na përshfaqet edhe si një shumësi rrëfenjash, që, krahas autenticitetit, mbartin jo pak emocione. Vështruar nga ky kënd, fitimi nga historia i autonomisë së plotë në sistemin e kulturës, arritjet e saj të panumërta në nxjerrjen në pah të një materiali faktik kolosal, e kanë përmbysur deridiku raportin e dikurshëm ndërmjet historisë dhe letërsisë. Gjatë dy-tre shekujve të fundit letërsia ka pasur një farë varësie ndaj historisë. Analiza e një numri të madh veprash letrare, – shkruan historiani frëng . H.I. Marru, – ka treguar se njohja e përvojës njerëzore autentike, historike, të jetuar në kohë reale, nga njerëz të vërtetë, ka fekonduar imagjinatën krijuese të poetit apo të romancierit, që, pa njohjen e atyre shembujve dhe precedentëve, nuk janë në gjendje ti konceptojnë jetët e mundshme të personazheve të sajuar. Historia shfaqet, nga kjo pikëpamje, si një zgjerim, praktikisht i pacak, i përvojës së përjetuar. Tablotë që ajo vizaton realizojnë, përtej çdo imagjinate, programin e Balzakut: një Komedi Njerëzore me njëqind akte të ndryshme.

Marrëdhëniet letërsi-histori, me trajtat e tyre të larmishme, mund të përbënin objekt studimesh të hollësishme.