Jovan BASHO*


Shkak për këtë shkrim u bë një emision në televizionin Channel 1 i gazetarit Roland Qafoku me të ftuar Zotin Apollon Baçe, mbrëmjen e datës 24.12.2018 dhe artikulli i botuar të nesërmen në gazetën TEMA.


Për hir të së vërtetës, ia ndjej vetes për detyrë të theksoj, që unë personalisht kisha dëgjuar për këtë letër nga babai im Kozma Basho (1927-1994), të cilit ia kishte thënë xhaxhai i vet, Dr. Jani Basho (1892 1957), në fillim të viteve 50të të shekullit XX, kur babai ishte pedagog në Institutin e Shkencave të Natyrës dhe Dr. Basho, drejtor i Maternitetit të Tiranës, përballë atij Instituti.


U entuziazmova tepër kur lexova në shtyp një shkrim të zonjës Nevila Nika e cila ishte e para që shkroi për këtë letër, në kohën kur ajo ishte Drejtore e Arkivit Qendror të Shtetit. Unë iu luta asaj të më siguronte një kopje, nëpërmjet mikut tim të ngushtë, të ndjerit Thimi Nika dhe ajo pati mirësinë të më jepte kopjen shqip dhe variantin anglisht të letrës së studentëve shqiptarë drejtuar Presidentit Wilson.


Duke pasur këtë letër në dorë unë shkrova një artikull të titulluar  Letër e studentëve shqiptarë të Universitetit të Vjenës dërguar Presidentit amerikan Wilson në dhjetor 1918, duke bërë edhe një paraqitje të rrethanave historike të kohës. Artikullin e botuan shumë gazeta në Shqipëri dhe Kosovë në vitin 2011.


U bë shumë mirë që u ribotua me rastin e 100 vjetorit të shkrimit të saj, por unë nuk e kuptova dot, pse ribotimi u quajt zbulim, ashtu siç nuk ka asnjë lidhje njëfarë përpjekje kundërvënieje ndaj grevës që studentët e universiteteve publike bëjnë sot.


Kjo letër nuk përmendet as në librin Studentët shqiptarë të Austrisë dhe veprimtaria e tyre, shkruar nga Zoti Uran Asllani (Tiranë 2000), megjithëse i ati i tij Zoti Fuad Asllani ishte një nga firmosësit dhe përkthyesit e letrës nga shqipja në anglisht (pasi ai kishte mbaruar Robert College në Stamboll). Edhe Zoti Apollon Baçe e mori vesh për herë të parë ekzistencën e kësaj letre dhe faktin që babai i tij ishte një nga firmosësit e saj, kur i dërgova një gazetë, me artikullin e botuar në 10.03.2011.


*  * *


Woodrow Wilson (1856-1924)

Pas Luftës së Parë Botërore, SHBA ishin fuqia dominuese botërore. Dihet historikisht që Presidenti Amerikan Wilson e paraqiti programin e tij të bazuar në parimin e vetvendosjes së popujve, në fjalimin që mbajti në Kongresin Amerikan në 8 janar 1918.


Në 14 pikat e famshme të tij, thuhej: të garantohet pavarësia për vendet e Ballkanit, duhet të formohet një lidhje e përgjithshme e kombeve me konventa specifike dhe me qëllimin që të sigurojë garantimin reciprok të pavarësisë politike dhe integritetin territorial  si për shtetet e mëdha edhe për ato të vogla.


Presidenti Wilson ishte i pari president i SHBA që kaloi Oqeanin Atlantik në kohën kur ishte në detyrë. Ai arriti në Brest të Francës, në 13 Dhjetor 1918.  Në Konferencën e Paqes në Paris, ai u përball me diplomacinë europiane (kryesuar nga Lloyd George i Anglisë, Clemanceau i Francës dhe Orlando i Italisë), duke ndikuar mbi të dhe nuk i njohu marrëveshjet e arritura gjatë Luftës së Parë Botërore, ose fill pas saj (Adem Harxhi Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris, Sesioni shkencor i Akademisë Shqiptaro-Amerikane, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, 27.11.2012).


Shqiptarët e kanë vlerësuar gjithmonë rolin e Presidentit Wilson në mbështetje të çështjes shqiptare. Në librin, Ligjëron Fan Noli (Mbledhur nga Lefter L. Dilo, Tiranë 1944), përmendet edhe një këngë, që këndohej në ato vite në Lushnjë: Populli thrret: Rroft Amerika Madhëri e tij Wilsoni, Që me katërmbëdhjetë pika, I tha Europës: Qëndroni!


*  * *


Rrethanat historike


Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe fitimit të Pavarësisë Kombëtare (28.11.1912), Shqipëria u njoh si shtet i pavarur më 22 janar 1913 (Konferenca e Ambasadorëve në Londër), por gjysma e saj kishte mbetur jashtë kufijve territorialë të caktuar në këtë konferencë. Brenda vendit anarki e plotë: Qeveria e Ismail Qemalit në Vlorë e kundër saj Qeveria e Esad Pashë Toptanit në Durrës. Grekët shkelën dhe shkretuan Shqipërinë e Jugut, serbët pushtuan Shqipërinë e Veriut, malazezët hynë në Shkodër. Princi Wied, i cili u dërgua si mbret i Shqipërisë prej fuqive të mëdha, zbriti në Durrës në 7 mars të vitit 1914 dhe u shtrëngua të largohej në fillim të shtatorit të atij viti. Lëvizja e Rebelëve në Shqipërinë e Mesme dhe veprimet e grekëve në Shqipërinë e Jugut  e bënë të pamundur organizimin e shtetit shqiptar. Në këtë kohë plasi Lufta e Parë Botërore (korrik 1914) dhe Shqipëria u shkel prej ushtrive ndërluftuese austro-hungareze, italiane dhe franceze.


Me mbarimin e Luftës Botërore, problemi shqiptar ishte akoma më i koklavitur: Traktati i fshehtë i Londrës (i nënshkruar më 26 prill 1915) kishte vendosur copëtimin e Shqipërisë midis Italisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.


Lufta e Parë Botërore mbaroi në nëntor 1918. Në dhjetor të po këtij viti u formua qeveria e Durrësit nën Turhan Pashë Përmetin, që u zëvendësua nga qeveria e Tiranës e dalë nga Kongresi i Lushnjës (janar 1920).


Në vazhdim të politikës antishqiptare, Italia nënshkroi me Greqinë  marrëveshjen Tittoni-Venizelos (1919), e cila i njihte Greqisë kërkesat mbi Shqipërinë e Jugut me kusht që edhe Greqia të njihte sundimin italian mbi pjesën tjetër të Shqipërisë.


Në këto rrethana historike u mblodh Konferenca e Paqes në Paris më 1919. Austria, që kishte influencuar dhe mbështetur aq shumë pavarësinë e Shqipërisë, kishte humbur luftën. Nga ana tjetër fuqitë fituese (Anglia, Franca dhe Rusia) mbështesnin hapur shtetet fqinje të interesuara për tu zmadhuar me territore shqiptare. Kështu, Shqipëria nuk kishte më asnjë përkrahje të jashtme, përveç zërit të fuqishëm të Presidentit Wilson të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili mbrojti të drejtën në dobi të kombit shqiptar.


*   *   *


Studentët shqiptarë nënshkrues të letrës Vjenë 1920

Studentët shqiptarë që studionin në Vjenë ishin njohur që më parë nëpërmjet shtypit të kohës me parimet e Presidentit Wilson. Letra u shkrua nga këta studentë dhe iu dërgua Presidentit Wilson kur ai kishte shkuar në Paris në Konferencën e Paqes. Si arritën studentët shqiptarë që letra e tyre nga Vjena të bjerë në dorën e Presidentit Wilson në Paris, kjo është so një mister, por letra ishte shkruar në një mënyre të tillë që kujtdo që ti binte në dorë, të ishte i detyruar tja jepte Presidentit. Letra mban datën 15.12.1918 (dmth dy ditë pas mbërritjes së presidentit Wilson në Francë) dhe përbën pa asnjë dyshim, përpjekjen e parë serioze për ta bërë të njohur problemin shqiptar tek Presidenti Wilson.


Letra u shkrua nga Jani Basho (1892-1957) asokohe student në Fakultetin e Mjekësisë dhe kryetar i shoqërisë së studentëve shqiptarë, Albania, i cili është edhe nënshkruesi i parë. Kjo kuptohet menjëherë po të lexohen shkrimet e tij në revistën Dialëria, kryeredaktori i së cilës ishte po ai (edhe më vonë ka përdorur shprehje të njëjta ose të ngjashme). Ai i kishte thënë babait tim, se pas marrjes së letrës, presidenti Wilson kishte dërguar në Vjenë ambasadorin Calvin Coolidge (më vonë President i SHBA) për tu takuar me studentët shqiptarë. Zoti Coolidge i priti këta studentë në një kështjellë në periferi të Vjenës (fillim i vitit 1919).


Dr. Basho kujtonte se takimi me të, ishte lënë në orën 12.00 dhe kur lavierësi i orës së murit në sallën ku po prisnin studentët shqiptarë filloi të binte 12 herë, u hap dera nga ky doli një oficer i ushtrisë amerikane që tha: të hyjnë studentët shqiptarë.  Biseda filloi anglisht dhe u zhvillua gjermanisht (Zoti Coolidge ishte austriak). Pasi dëgjoi studentët shqiptarë (që kryesoheshin nga Jani Basho) ai u deklaroi atyre që zëri i Presidentit Wilson në Konferencën e Paqes do të ishte në përkrahje të vendit të tyre.


Nga ana tjetër, për të parë gjendjen në vend, ai dërgoi në Shqipëri konsullin e SHBA në Torino, zotin Jozef Haven (1919), i cili vizitoi Shqipërinë e Jugut dhe atë të Mesme. Zoti Haven zbriti në Vlorë dhe vizitoi qytetet Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Përmet, Leskovik, Ersekë, Korçë, Pogradec, Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Gjatë qëndrimit në Shqipëri u shoqërua nga i dërguari i qeverisë shqiptare, Tefik Mborja. Raporti që ai i dërgoi Presidentit Wilson ishte tërësisht pro Shqipërisë, saqë shkaktoi edhe dërgimin e një note proteste nga qeveria greke e kohës për Konferencën e Paqes.


Në vitin 1920, po këta studentë i dërguan një notë Konferencës së Paqes në Paris, pikërisht për këto arsye.


*Prof. Dr. Jovan BASHO, Universiteti i Mjekësisë, Shërbimi Hepatologji/ Gastroentetrologji, QSU Nënë Tereza, Tiranë.


*   *   *


Woodrow WILSON (1856-1924)


(Studentët shqiptarë nënshkrues të letrës Vjenë 1920)



  1. Woodrow WILSON


President i Shteteve të Bashkuara


Palais Murat, Paris Francë


Fort i ndershmi Zotëri!


Ne,  të nënshkruarit studentët shqiptarë të Universitetit të Vjenës, Austri, marrim lirinë të paraqesim veten tonë me këtë letër për të na dëgjuar më shpirtmadhi njerëzor dhe i drejtë i Zotërisë suaj.


Sot, kur fati i botës varet kaq shumë prej Jush, kur çdo e vetme minutë e Zotërisë suaj do të jetë e zënë me çështjet e nesërme, shumë natyrisht do të duket si një guxim i pafalshëm që nga ana e një grushti studentësh të një kombi jo shumë të dëgjuar të luten për një të katërtën orë prej kohës së çmueshme të Zotërisë suaj.


Zotëri! Në këtë furtunë të ngjarjeve të papritura, në këto ditë historike kur mbretërira shekullore rrëzohen dhe kudo kombe të rinj ringjallen, kemi pritur me vëmendje të gjallë dhe me një shpresë që për ditë pakësohej, për një fjalë shpëtuese për atdheun tonë fatkeq. Por duket se jemi krejt të harruar, sikur i përkasim historisë së vjetër. Dëshpërimi na rrëmben me gjithshka kur mendojmë mundësinë e një paqeje të padrejtë. Pak mund të jemi, por megjithatë kemi vendosur dhe kemi bërë nën çdo kusht, çna vjen nga dora për vendin tonë të dashur. Ai është i tëri që kemi, i tëri që duam të kemi edhe i tëri për të cilin japim jetën tonë me gëzim.


Si më i madhi idealist i shekullit do të jetë shumë e lehtë për Ju, fort i ndershëm Zotëri, të çmoni drejtësisht qëllimin e ambicies sonë; ai është ideali ynë. Edhe si mjeshtëri i mjeshtërve, tërë vërtetësia entuziaste e djalërisë kurrë smund të jetë e huaj për Zotërinë Tuaj që të besoni drejtësinë e qëllimit tonë.


Edhe nga këto kushte guxojmë ti drejtohemi Zotërisë Suaj përulësisht, më të dëgjuarit njeri të shekullit, i cili qëndron me idenë e tij më lart se gjithë njerëzit e tjerë në historinë e botës së qytetëruar, dhe fjala e të cilit, për fatin e mirë të njerëzimit rëndon më shumë se mendimi i gjithë botës.


Zotëri! Ju lutemi të keni durim me ne deri në fund.


Zoti President! A do të jetë pa dobi të të numërojmë dy, tri pika nga fatkeqësitë e panumëruara të këtij vendi? A ka ndonjë komb tjetër mbi faqen e dheut të cilit i ka qenë ndaluar përdorimi i gjuhës amtare? Pesëqind vjet Shqipja ka qenë një gjuhë e ndaluar në Shqipëri, kaq e rëndë ka qenë zgjedha e tiranisë së huaj! Pa këtë dhurim të pafajshëm të Perëndisë, pa këtë vegël të gjallë të kulturës e të përparimit të  një kombi, si mund të kërkohej të kishim mbajtur një hap me botën e lirë? Megjithatë, Europa e mendshme e priste këtë prej nesh. Dhe një fatkeqësi e madhe e dytë e Shqipërisë  është mospasja e një feje të bashkuar që të mbante zjarrin e idealit kombëtar kurdoherë të ndezur në zemrën e popullit. Por me gjithë këto besime të ndryshme e ngatërrime të tjera, shqiptarët kanë qëndruar, kanë bërë kryengritje dhe kanë luftuar së bashku për liri si një komb me traditat e me gjuhen e vet.


Fort i ndershmi Zotëri, do përpiqemi me çdo mënyrë që të mos keqpërdorim durimin e Zotërisë Suaj me hollësira të panevojshme dhe me ca fjalë që vinë më poshtë mund të përmendim epokë historike: Heroin kombëtar, Skënderbeun, i cili për 24 vjet ndaloi Turqit edhe luftoi burrërisht kundër invazionit të huaj që të mbrojë Europën mosmirënjohëse me gjakun e vlefshëm shqiptar (1443); Lidhjen e Prizrenit më 1879 të cilën Ippeni aq bukur e barazon me Konfederatën e Kantoneve Schwytz, Uri dhe Unterwalden në vitin 1307, edhe me komitetin e sigurimit popullor, i cili qeverisi Francën prej 1793 deri 1795; Kushtetutën e Turqisë fituar prej shqiptarëve për të gjithë kombet që ishin atëherë nën Turqinë (1908); kryengritjet kundër regjimit të ri turk, më despotik që mund të jetë 1909-10-11.


Zotëri! Ky kombi  më i vjetër në gadishullin ballkanik ka treguar kurdoherë gjallërinë e tij dhe ka kërkuar të drejtën për një jetë kombëtare, por fqinjët tanë kanë qenë shumë më të fortë se ne, ne që përpiqeshim në kaq mundime. Edhe duke qenë se historia e jonë na le në kohërat e mesme në errësirë të plotë, politikanë grekë e serbë gjetën rastin të mohojnë të drejtën e një jete politike për ne.


Këta shkuan aq larg sa të mos shohin qenien gjeografike dhe etnografike tonë; ata besuan se Europa Perëndimore dhe Amerika duhej të këndonin punrat e ngatërruara të Ballkanit vetën sipas shkrimeve të tyre, edhe të shohin vetëm me sy grekë e serbë. Por, për fat të mirë historishkrues të dëgjuar si Thalloczi dhe Jirecek (i dyti sadoqë një sllav vetë) duke i shërbyer shkencës, kanë rrëfyer të drejtën dhe i kanë provuar botës racionale se çka qenë Shqipëria dhe çrol kanë luajtur shqiptarët në historinë e përgjithshme.


Edhe nga ana tjetër politikanë të mëdhenj që kanë ardhur në kontakt më Shqipërinë janë bërë mbrojtësit më të fuqishëm të çështjes sonë; sepse kanë parë të vërtetën edhe padrejtësinë që punohet kundër nesh. Midis tyre në radhë të parë vjen Z. George Fred Williams, ish ministri i Shteteve të Bashkuara në Athinë, i cili dha dorëheqjen më 1913 për të protestuar kundër përdorimit të keq të Shqipërisë prej fuqive të mëdha të Europës. E drejta do të fitojë, por ne shikojmë për hidhërimin tonë, se me sa rezultate kanë qenë përpjekjet e fqinjëve tanë, sa në Europën e Perëndimit edhe nuk na marrin parasysh.


Vërtet Konferenca e Londrës më 22 Janar 1913 njohu si shtet më vehte Shqipërinë, por po thua 2/3 e vendeve që mbas drejtësisë duhej të njiheshin si Shqipëri, u lanë të vuajnë nën zgjedhën e huaj. Serbët morën gjithë Kosovën shqiptare dhe u munduan me çdo mënyrë të shuajnë në ato vende të gjithë mos-serbët.


Mali i Zi u rrit edhe dy herë më shumë se çqe, vetëm me shqiptarë e me tokën shqiptare ku malazezët nuk numëronin 1/1000 të vendësve. Greqia, nga ana tjetër, nuk u kënaq me gjithë Shqipërinë e Jugut, kërkonte edhe një copë vend të madh si të drejtën e vet.


Një komitet ndërkombëtar i vizitoi viset e dyshuara dhe vendosi që ato, pa dyshim, ti ngeleshin Shqipërisë. Por Greqia nuk iu bind vendimit dhe rregullimit të komitetit, edhe për të gënjyer botën, punoi çdo lloj komedirash me finale tragjike në Korçë e në Gjirokastër, ku ushtarë aktivë grekë, me petka të vendësve, luftuan kundër Shqipërisë foshnjë.


Zoti President! Në qoftë se në vendimin e paqes një komb lihet i pa njohur dhe do të përdoret kaq padrejtësisht, a mundet ndonjëherë të sigurohet paqja në atë anë të botës? Shqipëria sikundër Konferenca e Londrës e kufizoi kurrë smundej të rronte; kishte farën e vdekjes në gjakun e saj që në lindjen e vet.


Me këtë mënyrë Zotëri deri tani bota na ka përdorur mizorisht, prandaj ngremë zërin tonë tek Ju, si mbrojtësi i njerëzimit duke e ditur me siguri se marrja pjesë e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e drejtë e të ndershme të Zotërisë Suaj, në Kongresin e Paqes, drejtësia do të përmbushet dhe shqiptarët duke pasur të drejtën e vetvotimit për formën e qeverimit të tyre do të kenë lejën, si një komb i lirë, të hyjnë në Lidhjen e Kombeve.


Zotëri! Ju lutemi në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar, ta merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen Tuaj.


Në emër të studentëve shqiptarë në Vjenë,


Të përvuajturit,


cand. med                                           cand. Bodenkultur                                              cand. ing


Jan BASHO                                  Remzi BAÇE                                                                  H. HIFZI


cand. jur.                                             stud. phil.                                        cand. Export akademi


Nush BUSHATI                    Djevat KORÇA                                Luigj KAKARRIQI


stud. ing                                 Aspirant pharm.                                    stud. ing


Gjovalin GJIADRI                 Raku BUDA                                     Fuad ASLAN


Vjenë, Austri


15 / 12 / 918


31 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)