Niko Kotherja është vetëm një maturant 18-vjeçar, por mosha nuk i krahasohet me dijet që ka. 

ANILA MEMA

Koleksioni i tij është tepër i pasur, jo vetëm me foto të rralla patriotësh shqiptarë, jo vetëm me dokumente të rëndësishme historike, por edhe me dorëshkrime të hershme veteranësh, luftëtarësh, me libra, flamuj... Është pjesë e shoqatës së koleksionistëve dhe bukinistëve shqiptarë dhe mes tyre nuk ka krahasim moshe, por vepre, koleksioni. Pinjoll i familjes së njohur patriotike Kotherja nga Elbasani, por e transferuar rreth gjysmë shekulli më parë në Pogradec dhe Korçë, ka hulumtuar e grumbulluar objekte historike dhe materiale dokumentare e kulturore, që dëshmojnë për vlera kombëtare. Mes koleksionit të pasur të tij, një kënd të veçantë i ka kushtuar në ekspozitën e çelur dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar edhe personalitetit Mihal Ballkameni, i lindur në fshatin me të njëjtin emër, dikur në Korçë, (sot me emër tjetër, por bën pjesë në zonën e Greqisë). Veç fotografive të panjohura për të, ka nxjerrë në ekspozitë edhe disa letra të rralla, që Mihal Ballkameni ia dërgonte familjes nga Burgu i Burrelit, një fletore ditari të tij...
* * *
“Unë disponoj rreth dhjetë letra të Mihal Ballkamenit”, thotë koleksionisti i ri Niko Kotherja - Letrat që disponon i përkasin viteve 1946-‘47-‘48. “Janë letra që Ballkameni i dërgonte familjes së tij, të shoqes e fëmijëve. Janë letra shumë të censuruara nga gardianët e burgut, që mbajnë vulat e kuqe mbrapa, ku nuk shkruhet gjë tjetër veçse për gjëra personale, për porosi për familjen. Letra e fundit që unë kam është e muajit shkurt 1948. Nuk di nëse do ketë ndonjë tjetër. Por atë nuk e kam ekspozuar këtu, pasi është shumë e dëmtuar”. Sipas Kotheres, ky koleksion i madh për Mihal Ballkamenin është trashëgimi e familjes së tij. “Një anëtar i familjes sime ka qenë bashkëpunëtor me Mihal Ballkamenin në një klub të veteranëve të Korçës në vitet ’30. Ky Mihali ka qenë nënkryetar i kësaj shoqërie. Familjari im i ka ruajtur këto letra dhe fotografi, si dhe shumë gjëra të tjera me vlerë. Koha e desh që të më kalojnë mua”, thotë ai. Ballkameni, sipas tij, ka qenë një personalitet i madh për sa i përket arsimit, kulturës, shkencës. Ka shkruar pothuajse në të gjithë periodikët e kohës, ku janë botuar shkrime të ndryshme të tij. Ka dhe libra të botuar, madje në dorëshkrim  kanë mbetur tekste për letërsi, biologji, dorëshkrime që ai mendonte për t’i botuar që t’i përdorte shkolla.
* * *
Niko tregon se Mihal Ballkameni, fillimisht është marrë me lëvizjen kombëtare, bashkë me Spiro Ballkamenën, që thuhet se zakonisht janë vëllezër, por nuk janë të tillë. Ka marrë pjesë si luftëtar i kësaj zone, kundër turqve, pastaj ka ngelur në çetën e tyre në Korçë. “Ka qenë personalitet i shquar për sa i përket kulturës, ka hapur shkollën e parë shqipe të natës në Shqipëri, ka hapur shkollën shqipe në Pogradec, ka qenë për disa vite drejtor i arsimit në Pogradec, ka qenë përfaqësues i gazetës ‘Shqipëria e re’, që për kohën në vitet ’30 ka qenë gazeta më e madhe”, shton më tej koleksionisti i ri. Por krahas krijimit të koleksionit, ai vazhdimisht ka studiuar historinë e popullit shqiptar dhe sidomos atë të Qarkut të Korçës. Ndonëse tepër i ri, shkon i ftuar në sesione e simpoziume shkencore, përurime librash apo mbledhje përkujtimore, ku shpesh edhe referon tema të ndryshme historike. E pazakontë për një 18-vjeçar, por Niko Kotherja tashmë e ka bërë zgjedhjen e profesionit të tij të ardhshëm, do t’i përkushtohet studimit të historisë dhe kulturës së popullit e vendit të tij.
* * *
“Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Mihali u lidh me fashistët, duke veshur rrobat e tyre dhe duke u bërë anëtar i thjeshtë i partisë fashiste. Pas çlirimit të vendit në 1944, në nëntor u arrestua dhe u burgos në fillim në Korçë, kohë nga e cila kemi disa fotografi që Mihal Ballkameni shfaqet me disa persona të tjerë në kinemanë ‘Majestik’ të Korçës, kur u bë gjyqi i popullit, pastaj erdhi në Tiranë që u bë gjyqi (sot në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme ndodhen dokumentet dhe procesi gjyqësor i tij) dhe më pas u burgos në Burrel”, tregon më tej Kotherja. I bazuar mbi kujtimet e disa bashkëkohësve, të cilët kanë vuajtur dënimin së bashku në burgun e Burrelit, Kotherja tregon edhe vdekjen e tmerrshme të Ballkamenit. “Në burgje, sipas një dëshmitari okular, kam mësuar se liheshin ditë e javë pa ngrënë, pastaj u jepej ujë me kripë dhe detyrimisht vazhdonin të ngeleshin pa ngrënë dhe kripa bënte të vetën dhe trupi i tyre mbushej me flluska me qelb, të cilat çaheshin dhe nuk mjekoheshin. Ushtarët që ruanin burgun, në vend që t’i çonin në spitalin e burgut, iu ngacmonin plagët me bajoneta. Eshtë një kujtim që ma ka dhënë një bashkëvuajtës i tij”, tregon më tej. Por një tjetër fakt interesant, sipas koleksionistit, është se varri i tij nuk gjendet edhe sot. “Nuk dihet se ku është varri i tij, pavarësisht se familjarët kanë bërë kërkime të vazhdueshme”, tregon Niko.

                                             Korçë (burg) 8 shkurt 1946


E adhuruara ime,

U idhërova shumë për mundimin e kotë që bëre, tani në kohë dimni plot baltra dhe ujra. Kuptoj ndjenjën tënde amtare që të shtyn ndaj fëmijën që ke lënë larg zemrës sate dhe të tërheq, porse duhet të kesh edhe durim, duke u kujdesur për shëndetin tënd se po more plevitin për së dyti, shkove, ike, vdiqe. Prandaj të lutem, shiko shëndetin tënd, ushqehu mirë, pi ndonjë kupë verë, drekë-darkë qetësohë gjakun, hiq mendjen nga fëmija. Sa ata janë në kujdesin dhe duart e Perëndisë që i ruan. Po të duash merre Ptolemenë pas. Haromë fare dhe mos ki merak për mua fare.

Të puth me mall
Mihal