policia-natenNjë person është vrarë me armë zjarri gjatë orëve të mbrëmjes në aksin rrugor Lezhë-Shkodër. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:25 ndërsa Dritan Lorenci, ish-efektiv i Policisë Rrugore Lezhë, udhëtonte drejt Shkodrës.

Ai u qëllua me armë zjarri në automjetin e tij nga një makinë tjetër në lëvizje në fshatin Mabë të Lezhës.

"Më datë 02.01.2016, rreth orës 20.25 në segmentin e rrugës autostradë Lezhë-Shkodër, vendi i quajtur Mabë, nga persona të paidentifikuar është gjuajtur me armë zjarri në drejtim të mjetit tip "Lançia", ngjyrë blu, me targa AA479KJ , ku si pasojë ka mbetur i vdekur drejtuesi i mjetit me iniciale D.L, ish-punonjës policie", thuhet në njoftimin e policisë.

Forcat e policisë kanë ngritur postblloqe të shumta për të kapur autorët e vrasjes.

Ish-polici i vrarë, i akuzuar për vrasje në Gjykatën e Lezhës në 2011-n

Dritan Lorenci u arrestua me 29 tetor 2011 për akuzën e vrasjes lidhur me ngjarjen e ndodhur në Gjykatën e Lezhës në 14 tetor vitin 2011, ku mbeti i vrarë një shtetas dhe u plagosën 4 të tjerë.

Në qershor të vitit 2013, Lorenci është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Laçit.

Sipas relacionit të Gjykatës së Laçit, dy të akuzuarit, Dritan Lorenci (efektiv i Policisë Rrugore kur ndodhi ngjarja) dhe Alban Dede, u shpallën të pafajshëm, ndërsa ishin akuzuar nga Prokuroria se kishin vrarë shtetasin Endri Bejtja dhe kishin plagosur një person tjetër.

Ngjarja ka ndodhur në Gjykatën e Lezhës, në tetor të vitit 2011, në një proces gjyqësor që kishte për objekt një mosmarrëveshje pronësie mes dy familjeve.

Burime zyrtare të Prokurorisë thanë se në përfundim të gjykimit, organi i akuzës kishte kërkuar në pretencë dënimin me 18 vjet heqje lirie për shtetasin Dritan Lorenci dhe 15 vjet burg për Alban Deden.

Por trupi gjykues i çështjes ka shpallur vendimin, sipas të cilit, të akuzuarit nuk janë fajtorë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në vitin 2011, pasi fakti nuk provohet. / ORA /