TRIPOLI- Një masakër e vërtetë po ndodh në Libi. Janë gati 10 mijë personat që kanë vdekur që nga fillimi i protestave kundër regjimit të Muamar Gadafit. Lajmi është pohuar në televizionin al-Arabiya, nga anëtari libian i Gjykatës Penale Ndërkombetare Sayed al Shanuka.
Duke folur nga Parisi, ai shtoi se të plagosurit në Libi arrijnë deri në 50 mijë. Al Shanuka, theksoi se në regjimet diktatoriale si ai në Libi, populli nuk mund të manifestojë. Sipas tij, që kur kolonel Gadafi erdhi në pushtet ka vrarë mijëra vetë ndërsa mijëra të tjerë ndodhen nëpër burgje.
Një tjetër konfirmim dramatik i bilancit të viktimave në Libi, është bërë edhe nga një mjek francez që sapo është rikthyer nga qyteti i Bengazit, i cili tha se përleshjet në Libi kanë shkaktuar mbi 2 mijë të vdekur vetëm në këtë qytet.
Xherard Byfe, aktiv prej një viti e gjysmë në qendrën mjekësore të Bengazit, ka thënë për të përditshmen franceze Le Point se gjatë ditëve të para, ambulancat merrnin rreth 100 të vdekur në ditë. E ndërkohë imazhet e dhjetra varreve masive tashmë në Libi, disa të mbuluara me cimento janë shfaqur në internet përmes një video amatoriale të xhiruar në kryeqytetin Tripoli. Videoja në fjalë tregon varret përgjatë bregdetit libian dhe një grup burrash që punojnë në atë që mund të konsiderohet një varrezë masive.
Sic raporton BBC, lideri libian Gadafi vazhdon të luftojë për të vënë nën kontroll Tripolin dhe zonat në perëndim të Libisë, ndërsa protestuesit tashmë kanë konsoliduar kontrollin e pjesës lindore. Nga ana tjetër, mijëra të huaj vazhdojnë të largohen nga vendi, dhe një kaos i vërtetë mbizotëron në aeroportin e Tripolit. Rrjeti britanik raporton se kryeqyteti libian është i shkretuar ndërsa përkrahësit e Gafatit të armatosur patrullojnë rrugët.
(m.a/News24/BalkanWeb)