Kryeministri Edi Rama e kishte paralajmëruar disa herë gjatë tryezave të diskutimit që ka patur në shkolla të ndryshme në vend dhe qeveria e ka miratuar sot vendimin, që i hap rrugën pajisjes me tekste shkollore falas të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt.


Në vendimin e qeverisë theksohet se çmimi i blerjes së teksteve shkollore mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për Arsimin. Ky vendim do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në fletoren zyrtare.


Institucionet arsimore si dhe njësitë arsimore vendore ngarkohen që brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Blerja e teksteve shkollore të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt, në emër të prindërve ose përfaqësuesve ligjorë, për llogari të nxënësve, realizohet nga institucioni arsimor, për llogari të njësisë arsimore vendore. Likuidimi i faturës tatimore ndaj subjekteve, shtëpive botuese, realizohet nga njësia arsimore vendore, me fondet e miratuara si Transfertë tek individët, në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin, në llogarinë bankare të shitësit, thuhet në vendim.


Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, parashikohen në shumën prej 270.000.000 lekësh. Këto fonde janë parashikuar në buxhetin e miratuar për vitin 2018.


11 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)