Kryeministri Edi Rama ndodhej sot në qarkun e Elbasanit ku kreu dy takime për BashkinëQëDuam në Prrenjas dhe Librazhd.


Nga aty, kryeministri nuk kurseu as sulmet politike për rivalët e tij, por në kuadër të aksionit opozitar, duket se këta të fundit i janë përgjigjur me revoltë.


Sipas raportimeve paraprake kryetari i PD-së në Librazhd, Bujar Vreto dhe 5 persona të tjerë janë proceduar penalisht nga policia, pasi kanë tentuar ti bllokojnë rrugën eskortës së shefit të qeverisë.


Incidenti është shënuar mëngjesin e sotëm. Personat e proceduar janë: Arben Kurti, Roland Abazi, Xhevdet Balliu, Florant Vreto, Arjanit Leka.


Ata së bashku me një grup qytetarësh të Librazhdit dhe drejtues të degës së PD-së kishin dalë në hyrje të baypass-it të këtij qyteti për të protestuar kundër qeverisë.


Protestuesit kanë tentuar të bllokojnë lëvizjen e eskortës dhe kryeministrit por policia ka ndërhyrë duke krijuar normalitet në qarkullim. Më pas protestuesit janë shpërndarë paqësisht dhe nuk janë shënuar incidente të tjera.


Ndërkohë, pak më parë në një postim në Facebook, Vreto shkroi se qytetarët e lirë po thirren në polici dhe po kërcënohen me urdhër të Edi Ramës.


Demokrate dhe qytetare te lire te gjithe para policise se po kercenohen duke u therritur ne polici njerzit e pafajshem! Drogmeni ka urdheruar policine dhe po kerkohen demokratet dhe qytetaret e lire te paraqiten ne komisariatin e Librazhdit. Nuk na tremb o i mbaruar…, shkroi ai.