Ish-kryeministri Aleksandër Meksi, me statusin e një specialisti të njohur të monumenteve, njëherësh arkitekt e restaurues, u nderua në fillim të javës me çmimin e vitit për librin më të mirë, dhënë nga AIITC (Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam). Vlerësimi i lartë për Meksin iu dedikua veprës së tij studimore "Arkitektura e xhamive të Shqipërisë në shekujt XV-XIX". Këtë çmim ku përfshihen medalja, diploma dhe çeku me vlerë 1500 dollarë, z. Meksi ia dorëzoi kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça. Ai e përgëzoi ish-kryeministrin e Shqipërisë për kontributin që dha në pasurimin e mëtejshëm të kulturës islame dhe aspekt i rëndësishëm i saj është edhe njohja e objekteve të kultit që, përveç vlerave shpirtërore, përcjellin edhe vlera arkitektonike dhe disa prej të cilave janë shpallur monument kulture dhe mbrohen nga shteti. Ndërsa çmimin e parë për "Peizazhin më të bukur në penelat e piktorëve shqiptarë" e fitoi Kastriot Dervishi për peizazhin me vlera të veçanta artistike dhe një trajtim virtuoz, ekspresiv në krijimin e imazhit të qytetit të Beratit. Çmimin dhe medaljen z. Dervishi ia dorëzoi prof. dr. Ali Oseku. Një çmim iu rezervua dhe të nderuarit profesor Myzafer Xhaxhiu me motivacionin "Për forcë vargu e ndjenjë të thellë besimi", në vëllimin poetik "Ofshamë". Më tej, një varg çmimesh u dhanë për kontribute në krijimtari si ai "Për përçim të mesazheve të besimit në shëndoshjen e shpirtit njerëzor", ku u vlerësua z.Osman Xhili, për librin me titull "Jetë që ndryshojnë". Krijuesi i njohur çam Namik Selmani, me të njëjtin motivacion, u vlerësua për vëllimin me poezi dhe ese "Dritaret e besimit". Këto çmime e vlerësime në art dhe kulturë, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, drejtuar nga dr. Ramiz Zekaj, i ka shndërruar në një traditë. Në juritë e tyre marrin pjesë emrat më të njohur të fushave përkatëse, si Xhevair Spahiu e profesor Shefik Osmani në fushën e letrave, apo Rubens Shima dhe Ali Oseku në fushën e arteve vizive. "Çdo libër i shkruar është një dritare nga ku njeriu sheh botën dhe shoqërinë njerëzore. Në çdo vepër arti, natyra shpalos bukuritë e saj dhe i buzëqesh njeriut. Dijet dhe kulturat janë oksigjeni që shëndoshin dhe pastrojnë klimën, shkrimtarët, poetët, artistët janë fllade që e freskojnë mendjen dhe shpirtin e njeriut", thuhet nga drejtues të këtij instituti lidhur me vlerësimet e përvitshme që jepen në krijimtarinë artistike dhe kulturore. Sipas tyre, në trungun e kulturës sonë është ngjizur e trupëzuar atdhetaria, heroikja, estetikja, besimi dhe një botë shpirtërore e madhe, e pasur, e pastër dhe fisnike. Kultura dhe arti religjioz në Shqipëri kanë ndikime në fisnikërimin e ndjenjave dhe në formimin shpirtëror, në përsosjen e botës së brendshme drejt sublimitetit, hyjnores, së përjetshmes. E në këtë këndvështrim, edhe kultura e arti islam në trojet shqiptare kanë vendin dhe rolin e tyre në përcjelljen e mesazhit hyjnor dhe njerëzor së bashku. "Kjo kulturë dhe ky art është produkt i mendjeve dhe talentit shqiptar tashmë e shekuj më parë. Duke vështruar kulturën islame, si pjesë e kulturës kombëtare konturohen ndikimet e saj pozitive në bashkëveprim e përqasje me kulturat e tjera për formimin e profilit dhe fizionomisë së kulturës shqiptare", vlerësuan organizatorët e ceremonisë së dhënies së çmimeve.



"Çmimet AIITC 2007, u tha nga drejtues të këtij instituti, patën si qëllim dhe shërbyen si nxitje për të vënë në lëvizje e për t‘i dhënë shtytje aftësive krijuese të studiuesve, shkrimtarëve dhe artistëve tanë, që çdo ditë, me talentet e tyre, pasurojnë odeonin shqiptar të kulturës. Kjo garë e bukur pasuroi fondin e artë të kulturës sonë kombëtare me prurje të niveleve dhe arritjeve më të larta dhe dëshmoi forcën krijuese e talentet që prodhon trualli ynë".