Stendes së kulturës italo-shqiptare i është shtuar dhe një vepër e autorit dhe gazetarit të njohur italian Donato Kalabrese. Ashtu si turizmi i Shën Ndoit në Laç, në Sari Salltik të Krujes apo në Malin e Tomorrit në Kulmak të Skraparit edhe përgjatë verës në Itali ka disa vende turizmi religjiv ku vërshojnë pelegrinë nga mbarë besimet fetare dhe kombësitë në vendlindjen e Padre Pios në Petrelcina dhe në spitalin humanitar të Umbrias. Kështu me iniciativën e studentit Bujar Gazheli dhe përkthmin e mjeshtrit Amik Kasoruho, bashkohës i mjeshtrit të përkthimit Robert Shvartz, libri që rrëfen Mrekullitë e jetuara të Padre Pios mbërrin në shqip për lexuesin si një dhuratë e bukur.



Një libër me afro 400 faqe që të rrëmben me rrëfimet e njerëzve dhe komentet e shtypit të kohës. Libri që flet për misteret e jetuara të banorëve të ndryshëm të gadishullit Apenin të cilët kanë përjetuar shërimin e sëmundjeve të rënda, shpëtimin nga pushkatimi përgjatë luftës së dytë botërore apo ngjarje të tjera të jashtëzakonshme të cilat i atribohen ndihmës së klerikut tepër njerëzor Padre Pio.

Përkthyesi Amik Kasoruho në kolanën e shumë pendave të prozatorëve dhe poetëve të njohur italiane të letërsisë klasike dhe bashkëkohore vlerëson se kjo lloj letërsie i ka munguar publikut shqiptar në ndryshim nga lexuesi i kultivuar evropian i cili këta libra i vlerëson si guida shpirtërore. Sidoqoftë ardhja në shqip e Padre Pio dhe mrekullive të tij të njohura e të publikuara tanimë nga mediat italiane shënon një hap të ri në prurjet e përkthimeve nga letrat botërore.