Autori i Lajmit: red.
Startoi projekti “Via Egnatia Passagio a Est”, realizuar nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare “Vatra” në bashkëpunim me bibliotekat e qytetit të Torinos. Të pranishëm në mbrëmjen artistike të organizuar me këtë rast ishin poeti Visar Zhiti, aktualisht këshilltar pranë ambasadës së Shqipërisë në Romë dhe Paolo Messina, drejtor i përgjithshëm i Sistemit Bibiotekar Urban të qytetit të Torinos, si dhe intelektualë dhe studentë shqiptarë të Universitetit të Torinos. Poeti Zhiti vlerësoi çeljen e këtij projekti si një ndihmë e çmuar për emigrantët shqiptarë në Torino, që tani e tutje do të kenë më shumë libra të autorëve shqiptarë por dhe të huaj të përkthyer në shqip. Aktorja Irma Mali, e diplomuar pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, lexoi poezi të zgjedhura të Visar Zhitit, të shoqëruara me muzikë nga Johan Sebastian Bah, e ekzekutuar në violë nga artistja e talentuar shqiptare Erjola Gripshi. Në fund të takimit të pranishmit morën pjesë në një koktej me specialitete të traditës gastronomike shqiptare, të shoqëruara me verë të zgjedhur piemonteze. Projekti “Via Egnatia Passaggio a Est” parashikon krijimin e seksioneve të librit në gjuhën shqipe pranë bibliotekave publike të qytetit të Torinos. Të marra në tërësinë e tyre, seksionet e krijuara do të përbëjnë një nga fondet më të pasura të librave në gjuhën shqipe jashtë territoreve kombëtare. Autorët klasikë si Fishta, Noli, Frashëri, Konica, Migjeni, Koliqi, Camaj, Kuteli e Poradeci, por edhe ata bashkëkohorë si Kadare, Agolli, Kongoli, Zhiti, Spanjolli, Dones, Hatibi, Ahmeti e të tjerë, do të jenë këtej e tutje, me veprat e tyre më të mira, në dispozicion të lexuesve shqiptarë që jetojnë e studiojnë në Torino.

Ky lajm është publikuar: 27/09/2008