Rrënjët fshatare të liderit të Bjellorusisë, diktaturës së fundit të Evropës



Bjellorusia mban sot zgjedhjet parlamentare, të cilat konsiderohen si një test për ish-republikën sovjetike drejt botës perëndimore. Por pakkush e di se lideri i këtij vendi të quajtur nga SHBA-të “Diktatura e fundit e Evropës”, i ka rrënjët në një fshat fermer të quajtur Gorodets. Ferma kolektive është rreth dy orë larg nga kryeqyteti Minsk. Ishte pikërisht këtu në vitet e vdekjes së Bashkimit Sovjetik, në mes të baltës, traktorëve dhe erës së bagëtisë, ku Aleksandër Lukashenko “u mpreh” si politikan përpara se të zgjidhej president për herë të parë në vitin 1994. “Ai ishte një shef strikt”, - thotë Tamara Krotikova, e cila punonte këtu në ditët kur presidenti i tanishëm bjellorus ishte menaxheri i fermës, në fund të viteve ‘80. “Një shef i rreptë, por njeri i mirë”, - shton ajo. Sa për jetën e saj, zonja Krotikova thotë se përmirësohet gjithnjë e më shumë. E vetmja gjë për të cilën ajo ka nevojë, janë pak më shumë para, pasi pensioni i saj është rreth 100 dollarë në muaj. Pra, për kë do të votojë ajo në këto zgjedhje? “Ka vetëm një person që mund të na rrisë pensionet dhe ai është Lukashenko, vetëm nëse jep urdhër. Sa për pjesën tjetër, ata nuk na japin asgjë. Presidenti i bën ligjet dhe ne i bindemi”, - shprehet ajo. “I barabartë me Zotin”Një tjetër person që e njihte presidentin Lukashenko gjatë karrierës së bujqësore është Anatoly Gulyaev. Në atë kohë, Gulyaev hetonte akuzat se Lukashenko kishte sulmuar një traktorist që ishte i pirë në orarin e punës. Por akuzat nuk u vërtetuan kurrë në gjykatë. “Eksperienca e tij në fermë është ajo çka e mban në pushtet sot. Nën atë sistem, drejtori i fermës kolektive ishte i barabartë me Zotin, carin dhe komandantin e përgjithshëm. Fjala e tij ishte ligj dhe askush nuk mund ta kundërshtonte”, thotë Gulyaev. Por në Minsk duket se administrata e tij po bën gjithçka mundet që të prezantojë një tjetër fytyrë përpara botës. Muajin e kaluar, një numër të burgosurish politikë u liruan nga burgjet dhe rreth 70 kandidatë të opozitës kanë mundur të regjistrohen për zgjedhjet e sotme, ku votohet për Dhomën e Ulët të parlamentit dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Madje, nëpër rrugët e kryeqytetit bjellorus ka disa postera të opozitës. Qeveria insiston se këto zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme. Por deklaratat se regjimi i Lukashenkos ka lënë pas mënyrat e tij autoritare mund të duken të parakohshme. Vadim është një aktivist pro demokracisë dhe vetëm 19 vjeç. Një natë, javën e kaluar bashkë me një shokun e tij nisën të ngjisin postera nëpër rrugët e kryeqytetit, në të cilët bëhej thirrje për bojkotim të zgjedhjeve dhe një demonstratë në ditën e votimit. Fatkeqësisht ata u panë nga policët dhe jo vetëm që u arrestuan, por u keqtrajtuan fizikisht dhe u gjobitën me 500 dollarë për nxitje të një proteste të jashtëligjshme. “Njëri prej policëve më kapi, më qëlloi në gjunjë, pastaj në stomak dhe më përplasi në makinë”, - thotë Vadim“i frikësuar nga reformat”.I burgosuri më i rëndësishëm politik që u lirua në muajin gusht është ish-kandidati për president. Aleksandër Kozulin. Ai kaloi 30 muaj në burg, pasi udhëhoqi një protestë kundër Lukashenkos në vitin 2006. “Do të na pëlqente të besonim se Lukashenko është gati të reformohet dhe natyrisht ne do ta mbështesnim nëse është kështu. Por unë e njoh atë shumë mirë dhe ai ka frikë nga reformat, sepse ka frikë të humbasë pushtetin”, - thotë Kozulin. Qeveria megjithatë thotë se këto zgjedhje do të jenë të drejta dhe të lira dhe po i bën thirrje Bashkimit Evropian të shpërblejë përpjekjet e tyre, duke lehtësuar sanksionet dhe duke mundësuar lëvizjen e lirshme të anëtarëve të administratës. Një prej njerëzve në listën e personave që ndalohen të udhëtojnë në vendet e BE-së, është dhe Lydia Ermoshina, kryetarja e Komitetit Qendror Zgjedhor. Pak ditë më parë, ajo zbuti tonet, duke treguar një lloj ndryshimi. “Ne u jemi bindur të gjithë principeve dhe standardeve të përbashkëta dhe nëse ka ende mungesa apo gabime, mund të flasim edhe për to. Ne mësojmë shpejt”, - tha ajo. “Baba”Presidenti Lukashenko njihet nga bjellorusët si “Batka” (baba), një pseudonim i përdorur herë me përkëdheli e herë në mënyrë ironike. Ai dominon valët radiofonike dhe buletinet e lajmeve, ku thekson gjithmonë arritjet e popullit bjellorus. Për shembull këtë vit, sipas presidentit, ka pasur një rekord në të korra. Përshtypja e përgjithshme është se bëhet fjalë për një komb të lumtur dhe për të cilin lideri i tyre kujdeset shumë. Dhe ky, sipas ekonomistit Mikhail Zaletsky, është sekreti tjetër i popullaritetit të Lukashenkos. “Njerëzit nuk duan shumë. Ndryshimi mes të pasurit dhe të varfrit në një vend si i yni është shumë i vogël”, - thotë ai. Në vitet 1990, ndërsa ish-shtetet e tjera sovjetike kaluan nga privatizimi i shpejtë në kriza financiare, ekonomia bjelloruse mbeti e qëndrueshme dhe thuajse nën kontrollin e plotë të shtetit. Njerëzit paguheshin në kohë dhe nëpër dyqane kishte salçiçe plot. Zaletsky e krahason Bjellorusinë me një kamp pionierësh të rinj, një kamp veror për të rinjtë sovjetikë, ku për çdo gjë kujdeset lideri. “Ne jemi një model i Bashkimit Sovjetik dhe jetojmë si të ishim në Bashkimin Sovjetik”, - thotë ai. Në fermën kolektive të Gorodetsit, Oleg Lesnik është tani njeriu në drejtim. Ai thotë se nuk ka fare ambicie presidenciale, por se kjo punë është një përgatitje shumë e mirë për të drejtuar vendin. “Kam 178 punëtorë nën vete. Duhet të dish si t’i menaxhosh”, -shprehet ai. Ferma është blerë kohët e fundit nga një bankë, por është një lloj privatizimi bjellorus, sepse vetë banka është pronë e shtetit. Kjo fermë është një mikrokozmos i vetë vendit në tërësi: një vend ku njerëzit punojnë tokën, fitojnë shumë pak, por kanë rroga të qëndrueshme dhe respektojnë e i binden autoritetit.