Lideri i lëvizjes shiite libaneze, Hezbollah, është shfaqur në publik për herë të parë që prej dhjetorit të vitit 2011, për të denoncuar filmin amator anti-Islam, që ka shkaktuar protesta në mbarë botën.

Duke folur në një tubim në Bejrut, Sheiku Hassan Nasrallah, deklaroi se SHBA do të përballen me reprezalje, nëse lejon publikimin e videos së plotë.

Hassan Nasrallah iu adresua një turme të madhe në bastionin e Hezbollahut, në jug të qytetit. Ai tha se bota nuk e kupton “shkallën e lartë të poshtërimit” të shkaktuar nga “sulmi më i rëndë në histori ndaj Islamit”.

Ndodh rrallë që lideri me ndikim i grupit militant shiit të shfaqet në publik. Zakonisht ai u adresohet mbështetësve të vetë përmes videove në internet, për shkak të frikës nga ndonjë atentat.