Udhëheqësi i demokratëve suedezë, që drejton partinë e dytë më të madhe në vend Sverigedemokraterna, Mattias Karlsson ka tronditur BE-në, me një deklaratë të fundit, ku shpreh bindjen se Suedia duhet të organizojë një referendum për të vendosur nëse do të qëndrojë pjesë e bllokut, apo do të largohet njëjtë si Britania e Madhe.


Karlsson tha për mediat se “qëllimi ynë është që Suedia të dalë nga BE-ja me anë të një Swexit, të ngjashëm me Brexit, dhe kjo të realizohet në kohën më të shkurtër të mundshme”.


“Suedezët do të vendosin me referendum, por ne ndërkohë do të punojmë për të reformuar BE-në në mënyrë që pushteti të bëhet demokratik në shtete të veçanta”.


Bomba e Karlsson është hedhur në një intervistë të botuar sot nga La Stampa.


“Ne jemi sovranist në çdo mënyrë, dhe po, ne jemi populistë në qoftë se kjo do të thotë se duhet qëndruar pranë njerëzve dhe për të kuptuar nevojat e tyre dhe të besojmë te shteti i mirëqenies dhe siguria kombëtare, tha Karlsson.


Udhëheqësi i Sverigedemokraterna, të vendosur në të njëjtin grup të lëvizjes antiestablishment 5 Yje në Parlamentin Evropian, gjithashtu pohoi se “koalicioni i qeverisë 5 Yjet-Lidhja e Veriut është rezultati më i mirë për Italinë”.


Sipas tij, “emigracioni është duke krijuar probleme, në mënyrë të hapur në politikat e azilit në BE, kështu që zgjidhja është për të ndërhyrë në vendet e origjinës së emigrantëve”.


“Ne duam të largohemi nga BE sepse besojmë se Suedia, duke qenë tatimpaguesi i dytë më i madh në union, shpenzon shumë dhe merr shumë pak”, theksoi lideri i opozitës suedeze.


Në shtator, do të ketë zgjedhje në Suedi dhe partia nacionaliste vlerësohet të arrijë rreth 23 përqind në Parlament. Por midis tyre ka optimizëm.


“Ata zakonisht na nënvlerësojnë, për ‘faktorin e turpshëm’. Suedezët kanë turp të thonë se do të votojnë për ne sepse na lidhin me neonazizmin”, përfundoi Karlsson.


21 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)