1.
Prej disa ditësh, pas inaugurimit të Presidentit Obama, shtypi shqiptar, i ngazëllyer prej Presidentit të ri, nuk ka ngurruar të mbajë qëndrime ekstreme ndaj Presidentit dhe presidencës "Bush". Duke tejkaluar jo thjesht etikën, por më së shumti aftësitë dhe kompetencat në vlerësimin e presidencës amerikane, autorë të ndryshëm i kanë ofruar lexuesit vlerësime që u takojnë t‘i bëjnë historianët. Ndër këto vlerësime më tërhoqi vëmendjen klasifikimi i Presidentit Bush si Presidenti më i dobët dhe i presidencës së tij si më e keqja e historisë amerikane. As unë nuk jam historian dhe nuk pretendoj të vlerësoj në mënyrë shteruese presidencën "Bush". Por mendoj se publikut dhe lexuesit nuk duhet t‘u serviren vlerësime të nxituara për një nga periudhat më dramatike të historisë dhe lidershipit amerikan. Për më tepër, inaugurimi i Presidentit të SHBA, me gjithë përmasat planetare dhe entuziazmin e natyrshëm që krijoi, si për njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe për qendrat e tjera të vendimmarrjes botërore, është një ritual i zakonshëm i demokracisë amerikane. Edhe pse Presidenca mbetet qendra e kësaj demokracie.
2.
A ishte Bush Presidenti me performancë më të dobët në historinë amerikane? Politologjia amerikane nuk e ka zakon të nxitohet. Vlerësimet për presidentët amerikanë bëhen nëpërmjet anketimit të historianëve më të njohur të vendit. Një ndër anketimet më të fundit të tyre ka vlerësuar Nikson si një ndër tre presidentët me performancën më të dobët, madje më të dobëtën. Duke marrë këtë vlerësim, Nikson pagoi në një farë mënyre problemet që i shkaktoi vendit më 1973-‘74, sidomos me ngatërrimin/abuzimin e lidershipit me pushtetin, çka u pasua me dorëheqjen e tij të detyruar.
Por Nikson, edhe pse Presidenti më i dobët, madje më problematik, konkurron me Regan dhe Kenedi si figura politike më e rëndësishme në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë: tri herë kandidat për President dhe dy herë për zëvendëspresident. Nikson u largua nga jeta rreth dy dekada pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, i përcjellë me nderim nga Presidenti në detyrë, Klinton. Në kulturën e popullit amerikan, por edhe të politologjisë amerikane, vlerësimi është në korrelacion të zhdrejtë me horizontin kohor. Presidenca orientohet, kritikohet, madje fshikullohet nga shtypi dhe publiku gjatë mandatit presidencial, por vlerësohet në balancë me kontributin për vendin pas largimit të Presidentit nga Shtëpia e Bardhë.
3.
Bush anatemohet kryesisht për qëndrimet ekstreme të administratës së tij ndaj terrorizmit, të cilat nuk mungojnë të shiten si qëndrime intrasigjente ndaj islamizmit. Bush nuk ishte një antiislamik, por një President që u detyrua t‘i rezistojë, bashkë me kombin amerikan dhe në krye të tij, valës së goditjeve terroriste. Ai ishte një lider as karizmatik, as inspirues, (ndonëse u transformua në pjesërisht të tillë periudhat e para pas 11 shtatorit) dhe as transformues, por një lider operacional dhe rezistues ndaj rreziqeve planetare që synonin në radhë të parë vendin e tij. 11 shtatori ishte, sipas historianëve, goditja më e madhe që i është bërë Amerikës në territorin e saj. Por kjo goditje nuk kishte si target vetëm Amerikën.
Tejkalimi i së drejtës për t‘u mbrojtur është një temë e diskutueshme, por populli amerikan e bëri vlerësimin e vet kur rivotoi Presidentin që e udhëhoqi t‘i mbijetojë tmerrit të 11 shtatorit. Gati një dekadë pas këtij tmerri, sa herë që hipin në avion, qytetarët nga të gjitha anët e globit, myslimanë e të krishterë, sheikë dhe nobelistë, miliarderë dhe varfanjakë, diplomatë e biznesmenë, radikalë dhe pacifistë, hedhin instinktivisht vështrimin te njerëzit që u vinë rrotull. Lidershipi i Bush përfaqëson përpjekjet e kombit amerikan jo thjesht për të mbijetuar vetë, por për të mbijetuar në pozitat e lidershipit botëror dhe për të ndihmuar njerëzimin te çlirohet nga ankthe të tilla.
Këtej nga periferia, lidershipi i Bush anatemohet se futi kombin amerikan në luftë. Fakt është se kombi amerikan ka qenë vazhdimisht në luftë, pothuaj gjatë gjithë historisë së tij. Ky komb ishte në luftë edhe gjatë vitit 1999, kur udhëhoqi betejën fisnike në emër të paqes, për të shpëtuar një popull tjetër, kosovarët, nga etnocidi serb. Edhe popujt e tjerë kanë të drejtë të shpëtojnë nga diktaturat dhe tiranitë, pavarësisht se ato nuk janë pastërtisht etnike. Populli amerikan, sado që ka paguar çmimin më të lartë të këtyre luftërave, madje me mijëra e mijëra jetë njerëzore, mbetet gjithsesi më i përmbajtur sesa thirrjet tona cinike nga periferia. Ne japim leksione pacifizmi, ndërsa amerikanët e thjeshtë paguajnë taksat dhe ndjekin të drithëruar raportet televizive mbi fatin e bijve të tyre në betejat me kërcënuesit e paqes dhe sigurisë, jo vetëm të tyre, por edhe tonës.
Atuja e tretë antiBush është ekonomia. Eshtë e tepërt të themi që kriza globale financiare nuk u përgatit në një ditë dhe as gjatë presidencës "Bush". Presidenca amerikane, ashtu si edhe çdo formë tjetër lidershipi, përballon jo vetëm pasojat e ngjarjeve të kohës, por edhe koston e historisë. Shpesh kjo kosto shprehet në formën e fatit e shansit. Por shpesh në formën e krizave, tronditjeve dhe anktheve ekonomike, shpirtërore globale.
4.
Do të duhet, natyrisht kohë, për të vlerësuar tetë vjetët e fundit të historisë amerikane. Them të historisë amerikane, sepse në asnjë vend tjetër të botës, historia e shtetit nuk është e lidhur kaq shumë me emrin e një njeriu sa në rastin e Presidentit të SHBA. Megjithatë, administrata amerikane nuk është vetëm Presidenti, por një koncertim institucionesh ligjvënëse dhe ekzekutive, Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë. Shumica e vendimeve të administratës kërkojnë konsensusin e Kongresit. Dhe në mjaft raste të diskutueshme të Presidencës Bush, ky konsensus nuk ka munguar. Madje, shpesh edhe nga opinioni publik.
Duke lexuar vlerësimet që bëhen sot për Presidentin Bush, më kujtohen lobingjet e një pjese të Diasporës shqiptare, në mbështetje të kandidatit Bush në vitin 2000 dhe të Presidentit Bush në vitin 2004. Mjaft prej tyre bënë thirrje publike kundër kandidatit Al Gore. Le t‘i mirëkuptojmë këto lobingje. Por mungesa e kujtesës historike për kontributin e administratës Klinton (Al Gore ishte në krah të tij) në favor të çështjes së Kosovës nuk është dinjitoze. Ne shqiptarëve na u desh shumë mund dhe investim për të bindur botën se entuziazmi për Presidentin Bush gjatë vizitës së tij në Shqipëri, nuk ishte mirënjohje për qytetarin George W. Bush, por për kombin amerikan. Tani do të na duhet më shume mund që të bindim të tjerët, nëse vetë jemi të bindur, se retorika antiBush nuk është retorikë antimaerikane. Kandidatin Obama e fshikulluam për shkak të mbiemrit dhe origjinës së Guvernatorit të shtetit të tij, nga i cili sot Presidenti vetë është distancuar. Prandaj druaj se në sulmet, ironitë, vlerësimet dhe paranojat ndaj ish-presidentit të djeshëm, lulëzojnë sythet e vlerësimit dhe mosmirënjohjes ndaj ish-presidentit të nesërm. Dhe frika se mos në këto ekzaltime maskohet një antimaerikanizëm i fshehur është akoma më e madhe.
Presidenti Uilson fitoi mirënjohjen e shqiptarëve për qëndrimet e tij pro kombit tonë, kur në botë vendoseshin fatet e kombeve, shteteve dhe territoreve të tyre. Sot bota nuk kërcënohet dhe aq nga shkëmbimi, pushtimi apo humbja e territoreve, sesa nga ankthet terroriste, bërthamore e biologjike, dhe humbja e sigurisë. Presidenti Bush e udhëhoqi kombin amerikan në një kohë kur në marrëdhëniet ndërkombëtare mbizotëron deterritorializimi dhe etnocidi përbën një kërcënim serioz e konstant. Le të arsyetojmë pak dhe do të kuptojmë se edhe Presidenti Bush, të paktën për ne, meriton mirënjohje për aksionet politike (madje edhe ushtarake) në favor të fatit të shqiptarëve. Të cilën me siguri do ta meritojë nesër edhe Presidenti Obama.