Një studim i ri tregon një lidhje midis shëndetit të zemrës dhe të trurit. Rezultatet tregojnë se njerëzit, zemra e të cilëve pompon pak gjak, shfaqin shenja të një truri të plakur. 
Një zemër e shëndetshme mund të ndihmojë në ngadalësimin e plakjes së trurit. Një studim i ri nga shkencëtarë në Universitetin e Bostonit, Shkolla e Mjekësisë, konstatoi se truri i një personi moshohet më shpëjtë, kur zemra e tij pompon më pak gjak, ka raportuar VoA.
Sasia e nevojëshme e gjakut që një zemër duhet të pompojë quhet Indeks Kardiak. Niveli i këtij indeksi varet nga masa e trupit të personit. Sipas studimit, personat me Indeks të ulët kardiak kishin tru që dukej thuajse 2 vjet më i moshuar sesa truri i personave me indeks të lartë kardiak. Ndërsa truri moshohet, ai zakonisht zvogëlohet në masë. Vëllimi i trurit është i prirur të jetë më i vogël tek personat që vuajnë nga demenca.
Edhe kur studiuesit përjashtuan personat me sëmundje kardiovaskulare, të dhënat përsëri treguan se tek njerëzit me një indeks më të ulët kardiak vihej re një plakje më e madhe e trurit.
Ushtrime të rregullta fizike përbëjnë një nga mënyrat më të mira për përmirësimin e rrjedhjes së gjakut në zemër. Shkencëtarët e pranojnë se nuk e kuptojnë plotësisht lidhjen midis funksionit të zemrës dhe vëllimit të trurit. Ata kanë në plan të vazhdojnë me studime të tjera të ngjashme  për të parë se si këto ndryshime ndikojnë trurin dhe kujtesën.