Ministri për Evropë i Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington mirëpriti zhvillimin e qetë të zgjedhjeve në Kosovë, duke i vlerësuar ato si shenjë të pjekurisë demokratike.

Megjithatë, Lidington tha se janë raportuar disa parregullsi dhe me këtë rast iu bëri thirrje të gjitha palëve për të punuar me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në adresimin e këtyre çështjeve me shpejtësi dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Unë përshëndes zhvillimin e qetë të zgjedhjeve të parat, pas pavarësisë së Kosovës, si një shenjë e mëtejshme e pjekurisë demokratike të Kosovës dhe integrimit në bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Lidington.

 


Ai tha se Mbretëria e Bashkuar mirëpret bashkëpunimin me qeverinë e ardhshme të Kosovës, në mënyrë që të ketë progres drejt një të ardhme të qëndrueshme, të sigurt dhe të begatë evropiane.