Socialistët kërkojnë një ligj të ri për kufijtë. Duke vënë në dyshim dhe ekzistencën e një ndarje tokësore me shtetin grek që prej 2008-s, të majtët në komisionin e sigurisë, do t?i kërkojnë me shkrim qeverisë të nisë punën sa më parë me palën helene.





"Të ndërhyhet sa më shpejt të jetë e mundur për të bërë disa klauzola
tranzitore në ligjin e 2008 dhe ndërkohë të punohet me urgjencë për të
hartuar një ligj të ri për sa i përket përcaktimit të kufijve detar të
cilët janë përcaktuar që në 1925 me protokollin e Firences. Ligji i 2008
unë nuk e di pse është bërë po ai praktikisht na lë ne pa definuar, pa
përcaktuar kufijtë detar", tha Ilir Gjoni, n/kryetar i komisionit të
sigurisë.



Por Osman Metalla, deputet i PD-së njëkohësisht edhe ekspert detar,
thotë se problemi qëndron vetëm me kufijtë ujorë me Greqinë dhe Malin e
Zi, të cilët mbeten për t?u përcaktuar. Ligji i 2008-së për kufirin, por
as pakti detar me Greqinë, nuk kanë cënuar ndarjen tonë zyrtare
tokësore.



"Në asnjë rast nuk është shfuqizuar kufiri tokësor por ligji i 2008
parimisht thotë për ato raste kur kufiri është i përcaktuar, përcaktohet
mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërmjet Shqipërisë dhe
Greqisë nuk ka  ekzistuar kufi i përcaktuar detar. I njëjtë është rasti
dhe me kufirin detar që kemi me Malin e Zi dhe tani kemi të
mirëpërcaktuar vetëm kufirin detar që kemi me Italinë. Në të dy
ekstremet nuk janë të mirëpërcaktuar kështu që duhen të bëhen
marrëveshjet bilaterale, ose trilaterale", thotë Osman Metalla, deputet i
PD.



Në prill të 2009  u nënshkrua pakti detar me Greqinë që përcaktonte
vijën e re ndarëse përmes 150 koordinatave. Pasi u miratua nga Kuvendi
në shtator të po atij viti, 5 muaj më pas gjykata kushtetese e shpalli
atë antikushtetues.



Elona Gjylmi