ramaNga Edi Rama


Dje, drejtoresha e Ismail Qemalit i kishte vënë gjoksin fushatës së Partisë Demokratike në ballin e Panoramës. I bënte jehonë kryeministrit, që tha në miting se kryetari i opozitës paskej kërcënuar një drejtoreshë shkolle.


Në fakt, mjafton të lexosh dy mesazhet që i kam çuar drejtoreshës e që ajo i kishte bërë publike, për të kuptuar se jo vetëm nuk e kam kërcënuar, po jam përpjekur ta ndihmoj dy herë zonjën e pasjellshme, duke i kujtuar detyrën e saj përpara Kushtetutës e ligjit, mësuesve e nxënësve. Herën e parë u përpoqa ta ndihmoj, pasi mbylli telefonin duke ndërprerë brutalisht një bisedë deri aty aspak etike nga ana e saj, dhe herën e dytë, pasi dëgjova se më kishte paditur tek kryetari i Partisë Demokratike.


Zonja thotë se paditjen e ka bërë përmes Drejtorisë Arsimore dhe këtë e besoj, sepse në krye të asaj drejtorie në Tiranë është një shefe e flaktë e fushatave të PD-së që natyrshëm ka çuar fjalën tek Doktori. Po kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka diçka tjetër dhe thelbi i shqetësimit tim e i këtyre rreshtave po ashtu, është fakti se në shkolla po ushtrohet një presion i jashtëzakonshëm mbi mësuesit e mbi votuesit e parë. Kryesisht nga drejtorët, edhe pse ka ndër ta që nuk e bëjnë, ose edhe pse jo, pak ndër ta bëjnë me sikur dhe nga ana tjetër vijnë tek ne e na thonë gjëra.


Shtysa për ti telefonuar drejtoreshës u bë rrëfimi i një prindi, nëna e një nxënëseje shumë të mirë, që mu drejtua shumë e shqetësuar për faktin se e bija ishte joshur në shkollë me 200 mijë lekë të vjetra për tu bërë pjesë e PD-së dhe votuar për PD-në. Natyrisht që drejtoresha e mohoi një fakt të tillë, siç e mohon edhe publikisht, ndërkohë që të paktën në këtë pikë tregohet korrekte kur thotë se unë nuk e akuzova se lekët partia i ofronte përmes saj personalisht. Por çka drejtoresha nuk mohon dot megjithëse mundohet shumë në publik, është se ajo i përket asaj kategorie drejtorësh që sot janë me të dyja këmbët në shkelje të vijës së kuqe që ndan shkollën nga politika.


E prandaj, duke u marrë me këtë rast, unë dëshiroj ta përsëris publikisht apelin tim: Lërini rehat mësuesit e nxënësit në zgjedhjen e tyre politike! Mjaft më me trajtimin e tyre si robër për mitingjet e pushtetit! Mjaft më me presione mbi ta për të marrë pjesë me pahir në fushatën e partisë në pushtet! Mjaft më me trysni psikologjike për tua lexuar votën në tru dhe me kërcënime se po nuk votuan për PD-në do humbasin punën apo notën!


E të jemi shumë të qartë: Unë nuk kërcënoj askënd kur them se pas 23 qershorit do të vendosim përpara përgjegjësisë publike e ligjore çdo drejtor shkolle (e jo vetëm shkolle në fakt, po këtu flasim për shkollën), që në shkelje të hapur të lirive e të të drejtave kushtetuese, si edhe të ligjit për arsimin, e vendos veten në rolin e kapterit të partisë në pushtet. Sështë kërcënim, është zotim i yni, që përbën edhe pikënisjen e çlirimit përfundimtar të shkollës shqiptare nga kjo e keqe e madhe e politizimit brutal, që ska asgjë të përbashkët me sistemin europian të edukimit në Shqipërinë e rilindur.


Pas 23 qershorit nuk do të ketë më drejtorë të partisë në shkollë, po vetëm drejtorë shkolle që do përzgjidhen në bashkëpunim me komunitetin e prindërve. Nuk do ketë më mësues të trembur nga humbja e vendit të punës po nuk u paraqitën në kuadratin përkatës të mitingut të partisë në pushtet kundër opozitës, po vetëm edukatorë të përkushtuar ndaj gjeneratës së re dhe të lartësuar në autoritetin e tyre moral nga respekti absolut që do të tregojë qeveria për lirinë e të drejtat e tyre. Nuk do të ketë më as opozitë të mallkuar nëpër oborret e shkollave, nëpër klasa e nëpër komunikimet me prindërit, po vetëm respekt të barabartë për qeverinë e për opozitën në hapësirën demokratike të shkollës.


Kjo është rruga e Rilindjes që duam për shkollën dhe nga këtu do ta fillojmë menjëherë pas 23 qershorit.