Nëse kosovarët nuk mund të lëvizin as përtej pragut pa pasaportë, e aq më pak pa vizë, shumë prej shtetasve të huaj që vijnë në Kosovë, mund të hyjnë pa pasur asnjërën prej tyre. Sa u përket vendeve fqinje, edhe në këtë drejtim, Serbia vazhdon të mbetet më e privilegjuara. “Jo pse duam, por sepse duhet”, thotë një zyrtar i Qeverisë së Kosovës. Kështu, me katër shtete fqinje më të cilat kufizohet Kosova, vetëm me dy prej tyre e ka të rregulluar mënyrën e kalimit kufitar të qytetarëve. Derisa me Shqipërinë ka marrëveshje për kalim të kufirit edhe pa pasaportë, secili që hyn nga Maqedonia duhet të ketë këtë dokument.

Sa u përket raporteve me Malin e Zi, edhe pse nuk ka kurrfarë marrëveshjeje ndërshtetërore, me vendim të njëanshëm, ky shtet nuk iu kërkon kosovarëve pasaportë, formalitet të cilin nuk e kërkojnë as kufitarët e Kosovës.

Por situata është shumë me e komplikuar me Serbinë. Me këtë shtet, ka qenë UNMIK-u që ka pasur marrëveshje për mënyrën e kalimit kufitar. Por me hyrjen në fuqi, disa ditë më parë, të Ligjit për të huajt, të miratuar një vit më parë nga Kuvendi i Kosovës, ajo marrëveshje nuk ka më vlerë.

Megjithëkëtë, Ligji për të huajt, i hartuar më shumë nga zyrtarët ndërkombëtarë sesa ata vendorë, ka edhe një nen, i cili e bën këtë akt juridik shumë gjysmak.

Neni 28.1 lejon hyrjen në territorin e Republikës të shtetasve të një vendi të caktuar edhe me një dokument identifikimi, në rast se personi vërteton se vizita e tij ka qëllime turistike apo afariste.

“Nëse i huaji vjen për vizitë turistike apo afariste në Republikën e Kosovës, e nuk posedon dokumentin e vlefshëm të udhëtimit, organi kompetent për kontrollin e kalimit të kufirit shtetëror i lëshon lejen për kalimin e kufirit, në bazë të dokumentit që dëshmohet identiteti i të huajit, të cilin e ka lëshuar shteti i të cilit i huaji është shtetas”, thuhet në këtë nen të kreut IV të këtij ligji. “Nuk pritet, së paku jo tash, që shtetasve të Serbisë t’iu kërkohet domosdoshmërisht pasaportë në kufi”, thotë ky zyrtar për Express. Sipas tij, ka pasur disa iniciativa që atyre t’iu ndalohet hyrja në Kosovë pa pasaportë, por zgjerimet që u janë bërë nga zyrtarët e lartë ndërkombëtarë, e kanë pamundësuar këtë. “Duhet të themi se tash për tash me Serbinë, kemi marrëdhënie të veçanta”, shpjegon ai për Express. Por edhe pse Ligji është shumë i përgjithësuar, ai është mjaft i qartë sa t’i mundësojë policit kufitar që ta kthejë prapa një të huaj, në këtë rast edhe shtetas serb, në rast se ai thjesht dëshiron që personi që hyn në Kosovë të ketë pasaportë. “Ligji ia lejon policit kufitar që ta kthejë prapa një shtetas të huaj, qoftë ai edhe nga Serbia, që pa pasaportë të mos hyjë në Kosovë”, shpjegon zyrtari i lartë qeveritar.

Por marrë në tërësi, zyrtarisht, nuk ka asnjë vendim nga Ministria e Punëve të Brendshme që do të autorizonte Policinë Kufitare që shtetasve të Serbisë, t’iu kërkohet patjetër pasaportë në kufi, sikurse atyre të Maqedonisë.

“Jo, vendim të tillë nuk ka, sepse Ligji për të huajt rregullon hyrjen, qëndrimin dhe daljen e shtetasve të huaj nga Republika e Kosovës”, thotë Fisnik Rexhepi, këshilltar i lartë i ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti. Ai tregon se më shumë sesa që parashikon ky ligj, nuk mund të bëjë as Ministria.

Pavarësisht kësaj, është pritur që kjo praktikë të ndryshojë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, më 16 dhjetor. Para se kjo të ndodhte, zyrtarë të lartë qeveritarë patën besuar se pas kësaj date, nuk do të lejohet asnjë shtetas i huaj me të cilën Kosova nuk ka marrëveshje të veçantë, që të hyjë në territorin e Republikës pa pasaportë.

Megjithëkëtë, kjo nuk pritet të ndodhë së shpejti.